Në tremujorin e dytë të vitit 2025, u miratuan 352 leje për ndërtesa të reja, një numër pothuajse i pandryshuar nga një vit më parë.
Kështu rezulton sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT).
Por sipërfaqja e parashikuar për ndërtim ra ndjeshëm me 67%, ndërsa vlera e projekteve të miratuara u ul me 45,5%, duke zbritur në 18,4 miliardë lekë.
Pjesën kryesore e përbëjnë ndërtimet për banim, me mbi 270 leje.
Qarqet Durrës, Korçë dhe Shkodër shfaqën rritje të ndjeshme në vlerë, duke treguar një dinamikë të re jashtë kryeqytetit.
Njëherazi kostot e ndërtimit për banesa vazhdojnë të lëvizin në kah rritës, por me ritëm më të moderuar.
Indeksi i kushtimit në ndërtim arriti në 113,5, me një rritje vjetore prej 1,1%, ndjeshëm më e ulët se 2,5% e vitit të kaluar.
Ndërkohë rritja më e madhe u shënua te shpenzimet për paga, me 6,2%, ndërsa çmimet e materialeve të ndërtimit shënuan një ulje të lehtë me 0,7%.
Ngadalësimi i lejeve dhe ulja e sipërfaqeve mund të sinjalizojnë një rregullim të tregut.
Edhe stabilizimi i kostove është një lajm pozitiv, duke krijuar hapësirë për projekte më të qëndrueshme.
Lini një Përgjigje