Mos kini frikë ende nga një apokalips i punës i shkaktuar nga Inteligjenca Artificiale

22 Prill 2023, 21:30Hi-Tech TEMA

 Mos kini frikë ende nga një apokalips i punës i shkaktuar nga

The Economist

“Unë mendoj se mund të tejkalojmë raportin një me një të robotëve humanoidë ndaj njerëzve”, deklaroi Elon Musk, më 1 mars. Kjo deklaratë nga shefi i kompanisë teknologjike Tesla, tingëlloi më shumë si premtim se sa parashikim.

Kompania e makinave të zotit Musk po zhvillon një automat me Inteligjencë Artificiale, të koduar me emrin Optimus, i cili është menduar për t’u përdorur në shtëpi dhe në fabrika.

Komentet e Musk u shoqëruan me një video të Optimus duke ecur përreth, pa ndihmën e askujt.

Duke qenë se zoti Musk nuk dha hollësi se si (apo kur) bota do të kalojë nga një klip promovues i Inteligjencës Artificiale, në një ushtri prej më shumë se 8 miliardë robotësh, duket se kjo nuk është veçse një nuhatje fantastiko-shkencore.

Por ka nisur një debat shumë më i gjerë dhe serioz për të ardhmen e punës. Në disa forma të caktuara, automatizimi i mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, po kthehet shpejt në një fakt shkencor.

Që nga nëntori, platforma e Inteligjencës Artificiale ChatGPT, i ka mahnitur përdoruesit me veçoritë e saj njerëzore në zhvillimin e një bisede. Inteligjenca të tjera artificiale “gjeneruese” kanë krijuar tekste, imazhe dhe tinguj, duke analizuar grupe të dhënash në internet.

Muajin e kaluar, drejtuesi i IBM parashikoi se do të shkurtonte shumë vende pune nëpër zyra.

Më 6 mars, Microsoft njoftoi prezantimin e “ko-pilotëve” të Inteligjencës Artificiale, për punëtorët në zyra, që variojnë nga shitjet dhe marketingu, deri te menaxhimi i zinxhirit të furnizimit. Vëzhguesit e nxituar murmurisin se po afron një apokalips i vendeve të punës.

Frika nga efektet që mund të sjellë teknologjia në zhvendosjen e vendeve të punës, natyrisht që nuk është asgjë e re. Në Britaninë e shekullit XIX, luditët dogjën makineritë e fabrikave.

Termi “automatizim” fillimisht u bë i njohur pasi përdorimi i risive të kohës së luftës në mekanizim, ndezi një valë paniku mbi papunësinë masive në vitet 1950.

Në vitin 1978, kryeministri britanik James Callaghan, e përshëndeti përparimin më të madh teknologjik të epokës së tij, mikroprocesorin, duke urdhëruar një hetim qeveritar mbi vendet e punës që do të sakrifikonte përdorimi i tij.

Dhjetë vite më parë, Carl Frey dhe Michael Osborne nga Universiteti i Oksfordit, botuan një studim shumë të suksesshëm, të cituar më shumë se 500 herë, ku pretendonin se 47% e detyrave që kryejnë punëtorët amerikanë mund të automatizohen “gjatë një ose dy dekadave të ardhshme”.

Tani edhe tekno-optimisti Musk pyet se çfarë do të ndodhte nëse robotët do të tejkalonin numrin e njerëzve: “Nëse vjen ajo pikë, nuk është e qartë se çfarë mund të quhet ekonomi”.

Megjithëse zotërinjtë Frey dhe Osborne nuk e kanë provuar ende vërtetësinë e studimit të tyre, dhe zoti Musk po shpërfillet për momentin, frika e mëparshme për teknologjinë që vret vendet e punës, nuk është materializuar asnjëherë.

Përkundrazi, tregjet e punës në të gjithë vendet e pasura janë jashtëzakonisht të ngushta dhe po bëhen gjithnjë e më të ngushta me rritjen e moshës së popullsisë.

Tani për tani, ka dy vende të lira pune për çdo amerikan të papunë, shkalla më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Sektorët e prodhimit dhe hotelerisë në Amerikë, raportojnë mungesa të fuqisë punëtore prej përkatësisht 500,000 dhe 800,000 personash (siç matet nga hendeku midis hapjeve të vendeve të punës dhe punëtorëve të papunë).

Përhapja e makinerive

Problemi i tanishëm për ekonomitë e përparuara nuk është automatizimi i tepërt, por mungesa e automatizimit. Problemi përkeqësohet nga fakti se, për bizneset e mëdha, automatizimi zakonisht është i vështirë për t’u arritur në praktikë. Dhe Inteligjenca Artificiale nuk ka gjasa ta bëjë këtë më të lehtë.

Krahët mekanikë në dyshemenë e fabrikës që kryejnë detyra të përsëritura si saldimi, shpimi ose lëvizja e një objekti, janë përdorur për dekada me radhë.

Historikisht, përdorimi i robotëve është përqendruar në industrinë e makinave, pjesët e rënda të të cilave, dhe ngarkesat e mëdha pa shumë variacion, janë të përshtatshme për makineritë robotike. Industria e elektronikës, që ka nevojë për lëvizje të sakta por të përsëritura, e përdori gjithashtu shpejt teknologjinë e re të Inteligjencës Artificiale robotike.

Kohët e fundit, lista e industrive që përqafojnë robotët është rritur, vëren Jeff Burnstein, president i Shoqatës për Përparimin e Automatizimit, një grup i industrisë amerikane.

Përparimet në vizionin kompjuterik i kanë bërë makinat shumë më të shkathëta, thekson Sami Atiya, i cili drejton biznesin e robotikës të firmës zvicerane ABB. “Robotët bashkëpunues” tani punojnë lehtësisht krah për krah me njerëzit, në vend që të mbyllen në kafaz, dhe automjetet autonome transportojnë objekte nga një vend në tjetrin, në fabrika dhe magazina.

Në të njëjtën kohë, çmimet e robotëve kanë rënë. Çmimi mesatar i një roboti industrial, ra nga 69,000 dollarë në vitin 2005, në 27,000 dollarë në vitin 2017, llogarit firma e menaxhimit të aseteve Ark Invest.

Në dhjetor, firma ABB hapi një “mega fabrikë” me sipërfaqe 67,000 metra katrorë në Shangai, ku robotët prodhojnë robotë të tjerë.

Kostot e instalimit janë ulur gjithashtu, dhe sistemet e reja “pa kod” nuk kërkojnë aftësi programimi, vëren Susanne Bieller, sekretare e përgjithshme e Federatës Ndërkombëtare të Robotikës (IFR), një tjetër organ i industrisë.

Si pasojë e teknologjisë më të mirë dhe çmimeve më të ulëta, stoku global i robotëve industrialë, u rrit nga 1 milion në vitin 2011, në gati 3.5 milionë në vitin 2021.

Shitjet në kompaninë Fanuc, një prodhues i madh japonez i robotëve, u rritën me 17% tremujorin e kaluar, në bazë vjetore; shitjet e kompanisë japoneze Keyence që vepron si një konsulent automatizimi për fabrikat e botës, u rritën me 24%.

Edhe pse janë ulur në krahasim me majat e vitit 2021, kur drejtuesit ekzekutivë po kërkonin alternativa ndaj fuqisë punëtore njerëzore për shkak të Covid-19, çmimet e aksioneve të prodhuesve të robotëve, mbeten një e pesta më të larta se përpara pandemisë.

Automatizimi mbetet i ulët

Sidoqoftë, pavarësisht gjithë kësaj rritje, nivelet absolute të përdorimit të automatizimit, mbeten të ulëta, veçanërisht në Perëndim. Sipas IFR-së, edhe firmat koreanojugore, që deri tani janë përdoruesit më të mëdhenj të robotëve në botë, punësojnë rreth dhjetë punëtorë për çdo robot industrial, shumë larg nga vizioni i zotit Musk.

Në Amerikë, Kinë, Europë dhe Japoni, ky raport është 25-40 me 1. Shifra prej 25 miliardë dollarësh që shpenzoi bota për robotët industrialë në vitin 2020, ishte më pak se 1% e shpenzimeve kapitale globale (duke përjashtuar sektorët e energjisë dhe minierave).

Duke qenë se pajisjet industriale kanë jetëgjatësi, makineritë më të vjetra nuk mund të zëvendësohen shpejt me makineri të reja më të shkathëta, vëren Rainer Brehm, i cili drejton njësinë e automatizimit të fabrikës Siemens, gjiganti industrial gjerman.

Por gjithsesi, shumica e punëve me status të ulët në ekonomitë e përparuara janë në industritë e shërbimeve, ku detyrat fizike janë më të vështira për t’u automatizuar.

Trupi i njeriut, me nyjet dhe gishtat që ofrojnë 244 plane lëvizjeje, është një mrekulli e shkathtësisë. Një robot tipik ka gjashtë “shkallë të tilla lirie”, vëren Kim Povlsen, shefi ekzekutiv i firmës Universal Robots, prodhues i krahëve të robotëve industrialë.

Automatizimi i punës në zyra është ndalur në mënyrë të ngjashme dhe për arsye të ngjashme që kanë të bëjnë me sistemet e vjetra dhe ngathtësinë e korporatave.

Në teori, dixhitalizimi duhet të bëjë të mundur heqjen e pjesës më të madhe të përfshirjes njerëzore nga detyra rutinë si porositja e inventarit, pagesa e furnitorëve ose mbushja e llogarive.

Në praktikë, shumica e bizneseve të lindura para epokës dixhitale, përdorin një sërë sistemesh të vjetëruara dhe të papajtueshme, vëren Cathy Tornbohm nga firma kërkimore Gartner.

Në vend që të paguajnë konsulentët që të vijnë dhe të zgjidhin problemet logjistike, shumë firma parapëlqejnë t’i transferojnë punët e dorës në vende me kosto të ulët, si India apo Filipinet.

Firma kërkimore IDC, e vlerëson tregun për softuerët që automatizojnë punën rutinë të zyrave, në vlerën 20 miliardë dollarë në vit, madje edhe më pak se sa shpenzohet për robotë me varietet fizik.

Puna automatike për njerëzit

Me kalimin e kohës, risia do të heqë disa nga këto pengesa. Kjo po ndodh me robotët në Korenë e Jugut, e cila është e çmendur pas makinerive. Firma Doosan Robotics, një nga prodhuesit më të mëdhenj të robotëve në vend, ka hapur softuerin e vet edhe për zhvilluesit e jashtëm, për të krijuar aplikacione të paraprogramuara për robotët e saj.

Këto tani përdoren për gjithçka, nga përgatitja e kafesë, deri te shtrimi i dyshemeve në kantieret e ndërtimit. Robert Chicken përdor krahët robotikë në restorantet fast food.

Për të ulur investimet paraprake për franshizuesit, kompania i jep me qira robotët për rreth 900 dollarë në muaj, shumë më pak se kostoja e një punëtori njeri.

Gjiganti koreanojugor i internetit Naver ka një njësi që zhvillon automjete robotike, të cilat mund të lundrojnë në mjedise me planimetri të ndërlikuara: një ushtri robotësh të tillë, tashmë shpërndan kuti ushqimi dhe pako për punëtorët e kompanisë.

Automatizimi i proceseve në zyra po bëhet gjithashtu më i sofistikuar. Firma UiPath, pioniere në automatizimin e detyrave rutinë, si kopjimi dhe kalimi i informacionit nga një program në tjetrin, tani ofron mjete të tjera që nxjerrin të dhëna nga dokumentet, duke përdorur algoritme të njohjes së imazhit ose që hartojnë proceset e biznesit, duke vëzhguar se çfarë bëjnë punëtorët në kompjuterët e tyre.

Rob Enslin, bashkëdrejtuesi i firmës UiPath, thotë se kompania u shërben 10,000 klientëve. Power Automate, një mjet nga Microsoft për automatizimin e detyrave si shpenzimet ose miratimet e udhëtimit, ka 7 milionë përdorues aktivë mujorë, thotë Charles Lamanna, i cili është përgjegjës për shumë prej produkteve të automatizimit të gjigantit të softuerit.

Disa biznese kanë filluar të përqafojnë paraprakisht edhe Inteligjencën Artificiale gjeneruese. Megjithatë, si me robotët dhe automatizimin e proceseve, përshtatja me teknologjinë e re, nuk do të ndodhë brenda natës.

Firma ligjore Allen & Overy që në shkurt prezantoi një asistent ligjor virtual me karakteristika të ngjashme si ChatGPT, kërkon që avokatët e saj të kontrollojnë çdo gjë që lëshon roboti. CNET, faqe e lajmeve teknologjike, duke filluar nga nëntori, publikoi në heshtje 73 artikuj të shkruar nga një robot, dhe më pas u zbulua se artikujt ishin të mbushur me gabime.

Teknologjia e Inteligjencës Artificiale që mbështet chatbot-et, një ditë mund të jetë një ndihmë për automatizimin, mendon zoti Lamanna.

Por kalimi nga fantazia shkencore në fakte shkencore, është shumë i vështirë. Edhe më e vështirë është që fakti shkencor të kthehet në fakt ekonomik.

Përktheu: Lira Muça

Lini një Përgjigje