Apple planifikon të rrisë çmimet e produkteve të saj, pasi kostoja e çipave të memories që përdor është rritur ndjeshëm, ka deklaruar drejtuesi i gjigantit teknologjik.
Tim Cook, drejtori ekzekutiv i Apple, i tha Wall Street Journal (WSJ) se rritjet e çmimeve janë “të pashmangshme”, pasi situata rreth çipave të memories është bërë “e paqëndrueshme”.
Ai nuk tha se kur do të rriteshin çmimet ose cilat produkte do të preken. Gjithashtu mbetet e paqartë nëse rritjet e çmimeve do të ndikojnë te iPhone 18, i cili pritet të dalë në treg në shtator.
Çipat e memories janë komponentë thelbësorë në pajisjet inteligjente si telefonat celularë, por bumi i inteligjencës artificiale (AI) ka rritur çmimet e tyre gjatë muajve të fundit.
“Po bëjmë çmos për të zbutur rritjet e mëdha të kostove që po na transferohen neve dhe kemi tentuar t’i mbrojmë klientët tanë nga këto rritje, por situata është bërë e paqëndrueshme. Ka më pak furnizim në një kohë kur konsumatorët kërkojnë pajisje, ndërsa prodhuesit e memories po aplikojnë rritje të mëdha çmimesh”, tha Cook, i cili do të zëvendësohet nga John Ternus si CEO i Apple në shtator, pas 15 vitesh në këtë detyrë.
“Ne kemi patjetër nevojë që çmimet dhe furnizimi i memories të rikthehen në nivele të arsyeshme për produktet e konsumatorit. Ky është thelbi i çështjes”, u shpreh ai.
Çmimi i RAM-it, zakonisht një nga komponentët më të lirë të kompjuterit, pasqyron rritje mbi dyfishin e çmimit.
Përveç rritjes së kërkesës për AI, lufta në Iran ka ndërprerë gjithashtu furnizimin global me helium, një gaz kyç në prodhimin e gjysmëpërçuesve, duke shtuar koston e çipave kompjuterikë.
Sipas kompanisë kërkimore Omdia, çmimi mesatar i shitjes së telefonave inteligjentë në nivel global pritet të rritet me rreth 20% në vitin 2026, duke arritur nivelin më të lartë historik.
Telefonat e rinj të Apple ka të ngjarë të kushtojnë deri në 150 dollarë më shumë se iPhone 17, pasi kompania pritet të përmirësojë cilësitë e tyre për funksionet e reja të inteligjencës artificiale.
Apple hoqi opsionin bazë të kompjuterëve të saj Mac Mini, duke rritur çmimin fillestar me rreth 200 dollarë më herët gjatë këtij viti.
Lini një Përgjigje