Festat e fundvitit/ Policia kontrolle për tregtimin ilegal të lëndëve piroteknike, nis hetimi për 2 pronare marketesh

20 Dhjetor 2025, 14:24Kronika TEMA
Festat e fundvitit/ Policia kontrolle për tregtimin ilegal të

Në prag të festave të fundvitit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike nga subjekte të paautorizuara.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, policia konstatoi dy markete ku mbaheshin në mënyrë të paligjshme sasi lëndësh piroteknike me qëllim shitjen. Në vijim të veprimeve procedurale, materialet u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal për dy shtetase, pronare të këtyre marketeve.

Konkretisht, u procedua penalisht shtetasja T. R., 67 vjeçe, banuese në Ersekë, pasi në marketin e saj u gjetën 49 kuti me lëndë piroteknike, që përmbanin gjithsej 2918 kapsolla. Po ashtu, u procedua penalisht shtetasja Z. I., 56 vjeçe, banuese në Ersekë, pasi në marketin e saj u gjetën 3 kuti me lëndë piroteknike, me 170 kapsolla.

Në total, u sekuestruan 52 kuti me lëndë piroteknike, që përmbanin 3088 kapsolla, të ndaluara për tregtim, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia bën me dije se kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm dhe të rrezikshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Lini një Përgjigje