FOTO/ Kronika e 48 orëve dramatike: Flakët pushtojnë vendin! Evakuime urgjente, humbje në bagëti, banesa dhe pyje. Një viktimë në Gramsh

13 Gusht 2025, 20:11Kronika TEMA
FOTO/ Kronika e 48 orëve dramatike: Flakët pushtojnë vendin!

Që prej fillimit të korrikut, Shqipëria po përballet me temperatura ekstreme dhe vatra aktive zjarri në qarqe të ndryshme, përfshirë Vlorën, Dibrën, Beratin, Tiranën, Gjirokastrën, Elbasanin, Shkodrën, Kukësin, Korçën dhe Lezhën.

Forcat zjarrfikëse, ato të Mbrojtjes Civile, policisë dhe ushtrisë, të mbështetura nga forcat ajrore (edhe të huaja), janë prej javësh në luftë me flakët. Bilanci i deritanishëm është dramatik, me një viktimë, djegie banesash, humbje bagëtish dhe dëme të mëdha në pyje. Evakuuime masive janë kryer në zonat më të rrezikuara të vendit, si Delvina, Gramshi dhe Poliçani.

• 37 vatra aktive zjarri në gjithë vendin, përfshirë qarqet Vlorë, Dibër, Berat, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër, Kukës, Korçë dhe Lezhë.  Në terren operojnë forca të MZSH, FA, zjarrfikëse, policia dhe forcat rajonale, të mbështetura nga helikopterë çekë dhe sllovakë.

• Bilanc dramatik me djegie banesash, bagëtish e pasurish natyrore. Më 12 gusht, u shënua viktima e parë nga zjarret këtë vit, një i moshuar në Gramsh.

Delvina, Gramshi dhe Poliçani, zonat më problematike deri më tani, ndërsa janë kryer evakuuime masive të banorëve. Mbrëmjen e djeshme, flakët iu afruan qytetit të Delvinës, duke rrezikuar depot e naftës dhe spitalin.

•  Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar dhjetë persona, ndërsa janë proceduar penalisht katër të tjerë, për zjarrvënie. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur  mekanizmin e emergjencës për mobilizimin e të gjitha strukturave shëndetësore dhe logjistike në zonat e rrezikuara nga zjarret.

Valë të nxehtësisë rekord po përfshijnë jugun e Europës, duke sjellë temperatura që në disa vende kalojnë 40 gradë Celsius, një fenomen që po shkakton zjarre të shumta në vende si Italia, Spanja, Portugalia dhe rajoni i Ballkanit.

BBC ka shkruar një artikull pikërisht për situatën me zjarret, veçanërisht në vendin tonë, si më poshtë:

Shqipëria është një nga vendet më të prekura në rajon, ku temperaturat e larta dhe era po përkeqësojnë situatën, duke shkaktuar zjarre të mëdha që kanë detyruar evakuimin e banorëve në disa zona.

Në Shqipëri, zjarrfikësit dhe emergjencat civile po përballen me sfida të mëdha për të kontrolluar përhapjen e flakëve. Në zonat rurale dhe malore, flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të thatësirës së thellë dhe erërave të forta, duke rrezikuar fshatra dhe pyje të rëndësishëm. Banorë të shumtë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim në vende më të sigurta.

Situata mbetet e vështirë sidomos në zonat jugore dhe juglindore të vendit, ku emergjencat po punojnë pa pushim për të ndihmuar banorët dhe për të mbrojtur zonat më të prekura. Forcat zjarrfikëse bashkëpunojnë me autoritetet lokale dhe ndërkombëtare për të menaxhuar krizën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.

Ekspertët e mjedisit dhe meteorologët paralajmërojnë se kjo valë e nxehtësisë ekstreme është pjesë e një tendence më të gjerë globale, ku ndryshimet klimatike po shkaktojnë periudha më të gjata dhe më të rrezikshme të zjarreve.

Shqipëria, si vend mesdhetar, po përballet me pasojat e drejtpërdrejta të këtyre ndryshimeve, ndërsa është urgjente të forcohen masat për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

Lini një Përgjigje