Tërmeti u pasua nga një valë sizmike krimesh kundër pronës nga të miturit

26 Maj 2023, 21:50Kronika TEMA

Tërmeti u pasua nga një valë sizmike krimesh kundër

Pas tërmetit të nëntorit 2019 që tronditi Shqipërinë, policia regjistroi një numër rekord vjedhjesh në banesa e biznese në Durrës, ndërsa u shënua dyfishim i numrit të të miturve të përfshirë në këtë krim.

Nga Erjola Azizolli

Më 20 gusht të vitit 2021 Mersini, 50 vjeç,  banor i  lagjes numër 18 në qytetin e Durrësit, u njoftua nga Prokuroria se ishte sekuestruar nga forcat e rendit dera e vjedhur në pronën e tij, një ngjarje e ndodhur pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, kur ai dhe familja u detyruan të largoheshin nga banesa për të jetuar me qira.

“Ishte një oficeri i policisë gjyqësore që me anë të një letre më njoftoi se në një pikë servisi ishte gjetur kanata e derës së vjedhur në pronën time dhe më bëhej e ditur se ishte sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, kujtoi ai.

Rasti Mersit nuk është i izoluar. Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit “Për të drejtën e informimit,” tregojnë qindra vjedhje të ngjashme u regjistruan pas tërmetit në Durrës. Madje, ai mund ta kosideroj veten dhe me fat, pasi vetëm 40 % e tyre u zbuluan nga policia.

Të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se numri i vjedhjeve të denoncuara në Durrës u rrit me 20 % në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019 – nga 261 raste në 330 raste.

“Vjedhjet janë shtuar që ditët e para pas tërmetit, në banesat dhe lokalet që u braktisën masivisht nga pronarët e frikësuar”, tha Elona Hamzallari, avokate penaliste në qytetin bregdetar. Shqetësuese për Hamzallarin ishte rritje e dukshme e të miturve që u përfshinë në këtë vepër penale.

Zbulueshmëria e ulët

Tërmeti i vitit 2019 shkaktoi dëme të jashtëzakonshme, veçanërisht në zonën e Durrësit dhe Thumanës, ku humbën jetën 51 banorë, ndërsa u shembën qindra godina të të gjitha llojeve.

Ervin Karamuça, ekspert kriminalisike, tha për BIRN se historikisht në studimet kriminologjike, katastrofat natyrore janë analizuar si fenomene që rrisin panikun social dhe pasigurinë. Sipas Karamuçës nevoja e madhe për ndihmë e qytetarëve, i bën institucionet të pafuqishme për tu përgjigjur njëkohësisht dhe me efikasitet ndaj çdo telefonate apo sinjalizimi me natyrë urgjente.

“Kjo vjen edhe për shkak të faktit se në kushtet e forcave madhore që prekin një pjesë të madhe të popullsisë, logjistika dhe burimet njerëzore për ndihmë dhe siguri publike janë në disproporcion me nevojat imediate publike”, tha ai.

Denoncimet në polici tregojnë se pas vitit 2019 në banesat e dëmtuara nga tërmeti janë grabitur dhe orendi shtëpiake e sende me vlerë.

Më 26 janar të vitit 2020 në lagjen me nr. 18 të qytetit, ku humbën jetën 7 persona për shkak të tërmetit, u denoncua vjedhja në disa apartamente. Hajdutët thyen dyert e blinduara dhe grabitën të gjitha orenditë shtëpiake, madje dhe kasat e dritareve dhe dyerve.

Banorët e kompleksit ‘Jedas’ denoncuan pas tërmetit se apartamentet e tyre ishin vjedhur. Gati 280 familje u larguan nga banesat e tyre nga ky kompleks dhe disa prej tyre kanë denoncuar vjedhje në vlera të mëdha monetare.

Karamuça beson se denoncimet e regjistruara nga policia nuk e tregojnë në fakt të plotë situatën.

“Në rastin e Durrësit mendoj se shifrat e vjedhjeve të regjistruara nga organet ligjzbatuese është disa herë më e vogël se shifra reale, pasi në shumë raste vepra të tilla penale nuk denoncohen nga qytetarët”, tha ai.

Një nga arsyet e mungesës së denoncimeve është edhe zbulueshmëria e ulët e ngjarjeve.  Hamzallari tha se shumica e të akuzuarve që ajo ka parë në gjykatë janë personat që mbledhin sende të vjetra dhe përdorues të lëndëve narkotike.

“Raste që unë kam ndjekur ishin kryer në pallatet e shkatërruar nga tërmeti, ku kryesisht ishin marrë dritaret ose dyert prej duralumini, sahatet e ujit të pijshëm, të cilat shiten në pikat e mbledhjes se hekurave”, shpjegoi ajo.

Pasi situata nisi të normalizohej dhe të shtoheshin denoncimet për vjedhje,  policia në Durrës intensifikoi punën për zbulimin e tyre, duke zhvilluar disa aksione policie në këtë fushë.

Por, shifrat e marra nga BIRN tregojnë se vetëm 33.61% e vjedhjeve të ndodhura në banesa gjatë vitit 2020 janë zbuluar.

Policia tha se nga 238 vjedhje banesash të evidentuara në vitin 2020, janë zbuluar 80 prej tyre, ndërsa nga 92 vjedhje të evidentuara në lokale tregtie, janë zbuluar 53 prej tyre.

Rritja e krimit te të miturit

Shifrat e policisë tregojnë se pas tërmetit u rrit edhe numri i të miturve të përfshirë në vjedhje. Numri i të miturve deri në 17 vjeç të përfshirë në vjedhje gati u dyfishua në vitin 2020. Nga 44 raste në vitin 2019, në 83 raste në vitin 2020. Lidhja me katastrofën natyrore duket edhe më e fortë në këtë rast, pasi në vijim numrat ranë edhe më shumë dhe në vitin 2022 pati vetëm 22 raste të miturish të përfshirë në këtë krim.

Sipas avoaktes Elona Hamzallari, në shumicën e rasteve të miturit janë shfrytëzuar nga persona madhor, të cilët i kanë shfrytëzuar për të arritur qëllimet e tyre kriminale duke përdorur si mburojë për të mos u përballur me drejtësinë.

Të shpeshta kanë qenë dhe rastet kur të miturit kanë kryer vjedhje për shkak të kushteve shumë të vështira ekonomike si dhe problemeve të theksuara në familje.

“Ajo që bie në sy është që pothuajse 90 per qind e këtyre të miturve, sidomos mosha 15-17, janë të gjithë fëmijë që kanë braktisur shkollën dhe rrugë më të thjeshtë gjejnë vjedhjen për të pasur të ardhura”, tha Hamzallari.

Sipas avokates nuk kanë munguar dhe rastet e vjedhjeve në institucione arsimore.

“Janë vënë re gjithashtu që grupe të miturish të përfshihen në vjedhje kompjuterësh në shkollat e dëmtuara nga tërmeti”, kujtoi ajo.

Shqetësues sipas avokates ishte fakti që të miturit në disa raste kanë mbështetjen e prindërve për veprimet e tyre. Avokatja theksoi se ky fenomen prek kryesisht familjet në gjendje të vështirë ekonomike.

Lini një Përgjigje