Operacioni 'Flakë në det', arrestohen tre persona, anëtarë të grupit të Gëzim Çelës

1 Maj 2024, 10:31Kronika TEMA
Operacioni 'Flakë në det', arrestohen tre persona,

Tre persona janë arrestuar me urdhër të SPAK, në kuadër të operacionit “Flakë në Det”. Operacion ky i zhvilluar me datë 15.08.2023, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike.


Operacioni i ndërmarrë vitin e kaluar çoi në pranga dhe një komisar të Kurbinit, Dritan Metaj, që dyshohej se shoqëronte të njohurin si baronin e drogës, Gëzim Çela, dhe anëtarë të tjerë të grupit të drogës. 

Në pranga kanë rënë: Alket Deda, Ksenofon Bodo, Selami Lushkaj .

"Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e  Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim Alket Deda, Ksenofon Bodo, Selami Lushkaj, si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a,  333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30.04.2024.  Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregëtare'', informoi sot SPAK.

Lini një Përgjigje