Shitje narkotikësh, dhunë në familje dhe vjedhje - Arrestohen pesë persona të shpallur në kërkim

22 Janar 2025, 13:23Kronika TEMA
Shitje narkotikësh, dhunë në familje dhe vjedhje - Arrestohen

Policia ka finalizuar fazën e tretë të operacionit "Catch", duke kapur dhe ndaluar 5 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim B. M., 27 vjeç, me masë sigurie “Arrest në burg”, nga Gjykata e Tiranës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën shtetasin e shpallur në kërkim V. P., 61 vjeç, i dënuar me 1 vit burgim, nga Gjykata e Kurbinit, për veprën penale “Dhuna në familje”. Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kapën dhe ndaluan shtetasin E. Ll., 17 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim P. V., 36 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 muaj burgim, për veprën penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim N. Th., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje