75-vjetori i Teatrit “Andon Zako Çajupi”: Rrugëtim artistik mes traditës dhe risisë në Korçë

23 Qershor 2025, 14:27Kulturë TEMA
75-vjetori i Teatrit “Andon Zako Çajupi”: Rrugëtim

Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë shënon 75-vjetorin e krijimit të tij, një përvjetor i rëndësishëm që feston historinë, artin dhe shpirtin e një prej institucioneve më të dashura kulturore në Shqipëri.

Nuk e besoja që do të arrijë në këtë ditë të festoja 75-vjetorin e teatrit. Jam i lumtur. Me gjithë zemër uroj që të festohet gjithmonë kështu,” u shpreh aktori Koço Qendro.

Prej themelimit të tij, ky teatër është bërë një pikë referimi për skenën artistike shqiptare, duke ruajtur gjallë frymën e krijimtarisë, ironisë së hollë dhe forcës dramatike që e karakterizon. Gjatë këtyre shtatë dekadave e gjysmë, skena e tij ka mirëpritur qindra shfaqje, nga dramat më të fuqishme shqiptare e ndërkombëtare tek komeditë popullore, që kanë bërë publikun të qeshë me lot.

Ne me krenari themi që e kemi mbajtur larg emrin e Teatrit të Korçës. Jemi përpjekur të krijojmë vepra të mira, të autorëve të huaj, por edhe atyre shqiptarë, sepse pa dramën shqipe nuk ka teatër. Jam e lumtur që Teatri i Korçës sot ka një trupë të mirë, shumë aktorë të rinj, që kontribuojnë me te njëjtin pasion dhe të njëjtin talent,” tha drejtuesja e Teatrit, Zamira Kita.

Përvjetori u shoqërua me shfaqjen e një dokumentari të përgatitur nga Merita Çoçoli.

Ky dokumentar, në fakt, filloi në vitin 2017 dhe ngjarja ishte ndërtimi i teatrit. Për ta sjellë sa më të plotë historinë e teatrit kemi hulumtuar fotografitë. Dokumentari është përpunuar edhe në vitet e tjera… vazhdon punën enkas për 75-vjetorin,” deklaroi aktorja Merita Çoçoli.

Ky teatër ka nxjerrë emra të mëdhenj të skenës dhe ekranit shqiptar, ndërkohë që ka qenë gjithmonë një hapësirë e hapur për talentet e reja, transmeton rtsh.

Lini një Përgjigje