Pixar kaloi javën hapëse më të keqe me shitjen e biletave të filmit të animuar “Elio” i cili grumbulloi rreth 21 milionë dollarë në Amerikën e Veriut dhe 14 milionë dollarë në rang ndërkombëtar, edhe pse kritikat ishin pozitive.
Historia e Elio vërtitet rreth një djali jetim, të cilit i realizohet ëndrra e rrëmbimit nga alienët miqësorë. Filmi hasi kundërshtarë të fortë si “How To Train Your Dragon i cili fitoi 37 milionë dollarë në javën e dytë dhe “28 Years Later”, filmi me zombi i Danny Boyle i cili doli 23 vite më vonë pas të parit (“28 Days Later”), grumbulloi 30 milionë dollarë në Amerikën e Veriut dhe 60 milionë dollarë në rang global.
Pixar, shtëpia e filmave ikonikë si “Toy Story”, “Finding Nemo” dhe “The Incredibles”, ishte përgatitur për rezultate të këtij lloji pasi “Elio” vjen në një moment kur animacioni origjinal përballet me trendin e ri-realizimeve dhe sagave, shkruan The Guardian.
Megjithëse shtëpia filmike ka arritur suksesin me sagat e saj si “Inside Out 2” që arriti në 155 milionë dollarë fitime në arkë në fundjavën hapëse dhe 1.7 miliardë dollarë gjatë vitit 2024, prodhimet origjinale e kanë më të vështirë të shiten.
Para se “Elio” të debutonte, sondazhet treguan se do të barazonte me “Elemental”, filmin e animuar të vitit 2023 që mblodhi 30 milionë dollarë në fundjavën hapëse, një diferencë e madhe krahasuar me “Coco” që arriti 49 milionë dollarë në premierë dhe 814.3 milionë dollarë në rang botëror.
Disney, partneri i Pixar, tha se edhe ky film do të kishte sukses afatgjatë ashtu si “Elemental”, i cili në fakt ka arritur në 500 milionë dollarë fitime në arkën botërore.
Kritikat kanë qenë përgjithësisht pozitive, edhe pse disa prej tyre nuk e përshkruajnë si diçka të jashtëzakonshme.
Deri më sot, suksesi më i madh i Pixar në një fundjavë debutuese është në vitin 2018 me “Incredibles 2” që fitoi 182.6 milionë dollarë në Amerikën e Veriut dhe 231.5 milionë dollarë në arkat ndërkombëtare, transmeton klan.
Lini një Përgjigje