Nëse një njeri gjen arsyet, por jo forcën, për të vrarë veten ndërkohë që e shkuara e familjes e përndjek fshehurazi, tek kalon si gjarpër sa nga njëra brezni tek tjetra; nëse ti je i vetëdijshëm për probleme të shëndetit mendor, por s’i pranon as me veten pasi ke frikë; nëse ëndrra për të qenë më i ri shndërrohet në makth — mos do të kthehem në dikë që nuk ka lindur asnjëherë; nëse mungon guximi për të qenë i vërtetë dhe vendin ia zë e vërteta se është aq frikacak sa mos ta lejojë veten të njohë e të njihet; nëse ndien se nuk do të ndiesh, por s’e shmang dot domosdoshmërinë për t’u ndier gjallë… çfarë mbetet nga ti?
A është kjo krizë identiteti, apo thjesht një tjetër formë e heshtur e trashëgimisë? A formësohet identiteti ynë mbi vetëdijen, apo mbi gjithë gjërat që lihen pa thënë në familjet tona? Nëse kujtesa është edhe e të tjerëve, jo vetëm individuale, atëherë ç’do të thotë të përpiqesh të harrosh? A mund të jemi të lirë duke e fshirë të shkuarën, apo harresa s'është veçse një tjetër mënyrë për të mos ekzistuar?
Këto janë disa nga dilemat që ngrihen në romanin "Në besë të tatuazhit tënd," të autorit Andreas Dushi.
Gjatë bisedës në episodin e 23-të të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, biseduam për romanin e Andreasit, i cili vjen si një formë rrëfimi që nuk kërkon të japë përgjigje, por të analizojë plagë të vjetra – ato që nuk na përkasin vetëm ne, por na janë trashëguar përmes heshtjes, përmes trashëgimisë familjare, përmes gjërave që mbeten pa u thënë. Biseduam për identitetin si diçka që shpesh ndërtohet nga të tjerët, për traumën që përcillet si heshtje, për kujtesën që mbijeton edhe kur duam ta mohojmë, dhe për trashëgiminë që ndonjëherë kthehet më shumë në barrë se sa dhuratë.
Lini një Përgjigje