Botohet në greqisht vëllimi me poezi “Afrohu, orë e lumtur e poetit” të Preç Zogaj

22 Qershor 2026, 19:40Kulturë TEMA

Shtëpia botuese “Vakxikon” në Athinë ka botuar së fundi vëllimin me poezi “Afrohu, orë e lumtur e poetit” të shkrimtarit, Preç Zogaj, përkthyer nga poeti dhe përkthyesi Nikos Katsalidas.

Botohet në greqisht vëllimi me poezi “Afrohu, orë e lumtur

Çaste pjekurie, urtësie, meditimi, kthjelltësie dhe zie

Nga Georgios Nik Skhoretsanitis

Shtëpia botuese "Vakxikon" vazhdon të na befasojë këndshëm me botimin e veprave të shkrimtarëve të shquar edhe nga vendet tona fqinje të gadishullit të shumëvuajtur Ballkanik. Së fundmi, ajo solli në dritë Preç Zogajn, një nga poetët, prozatorët dhe gazetarët më të rëndësishëm të Shqipërisë bashkëkohore.

Me këtë rast, vlen të theksohet se ky intelektual ishte edhe Ministri i parë i Kulturës në vendin e tij pas rënies së totalitarizmit, në vitin 1990. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në jetën politike të Shqipërisë, por edhe në zhvillimet kulturore të saj, duke botuar dymbëdhjetë përmbledhje poetike, si dhe shumë libra me tregime, romane dhe ese.

Përmbledhja poetike e tanishme, “Afrohu, orë e lumtur e poetit” është një përzgjedhje poezish nga të gjitha vëllimet e tij të mëparshme. Vepra e Zogajt ndahet dhe analizohet domosdoshmërisht përmes dy periudhave krejtësisht të ndryshme kohore: periudhës së vështirë para vitit simbolik 1990, për shkak të censurës së rreptë dhe këmbëngulëse shtetërore, dhe asaj pas rënies së pashmangshme të komunizmit.

Ai u shfaq në letërsi gjatë viteve ’80, duke arritur të dallohej dhe të afirmohej si një krijues në ngjitje, veçanërisht si poet. Ishte ai që e quajti metaforikisht brezin e tij “brezi i antenës që ngrihet në mjegull”, siç lexojmë në hyrjen e çmuar dhe informuese të botimit nga Niko Katsalida.

Në poezinë “Afrohu, orë e lumtur e poetit”, e cila i dha titullin botimit grek, lexojmë: “Ka disa kohë që shkrimi i poezisë / më shkakton vuajtjen dhe dehjen e dhurimit të gjakut”, duke lënë të kuptohet barrën e rëndë të poetit gjatë lindjes, daljes në pah dhe ngulitjes së vargjeve të tij, por njëkohësisht edhe dhuratën e madhe të poezisë, si një lloj gjaku të ofruar në procesin fisnik dhe shoqërisht të domosdoshëm të dhurimit të tij.

Me hapjen e Shqipërisë ndaj botës së lirë dhe largimin e qindra mijëra bashkatdhetarëve të tij drejt Greqisë, poeti vazhdoi të krijojë pa u lodhur për më shumë se tri dekada. Në vargjet e tij lirike pasqyrohen qartë ndryshimet e shumta që ndodhën brenda vendit të tij, shpresat e brezave të rinj dhe, natyrisht, zhgënjimet e pashmangshme të tyre.

“Mblidhet si erashkë jeta ime”, shkruan ai në një poezi, “shkrihen vitet e ngjarjet në një shenjë/ Është zemra që përhidhet  / që kërkon  të shpëtojë / me të gjitha plagët.”

Por, sigurisht, poezia e Preç Zogajt është shumëdimensionale. Kudo, dashuria, erotika dhe ndjenjat njerëzore zënë një vend qendror. Kalimi i kohës, humbja njerëzore dhe vdekja e pashmangshme skicohen gjithashtu në shumë prej poezive të tij.

Në poezinë e fundit të kësaj përmbledhjeje, “Pleqtë që na merr lufta e padukshme”, ai shkruan me emocion, por edhe me një pranim të plotë të asaj që ndodh:

 “Asnjë feksje, asnjë magjepsje

s’ia del të ndalojë luftën e fundit 

të këtyre pleqve me fytyra përralle

 Kodrave të prillit, fushave të majit

goditur në zemër bie përdhe

shoqja a shoku i vdekjes. Të tjerët

vazhdojnë përpara duke shtyrë rrethimin.

Pas pak orësh nga padukshmëria

qitësja do të marrë shenjë përsëri.

 

Në shumicën e poezive të Zogaj hyn elementi i dialogut të brendshëm, zëvendësimi gradual i protestës shoqërore me meditimin dhe pjekurinë e zërit poetik, si dhe përfundimet që nxirren nga kalimi i jetës që ecën pandalur drejt fundit të saj. “Turma,” është një poezi karakteristike ku Preç Zogaj shpalos pikëpamjet e tij, duke pasur mbi supe shumë vite përvoje jetësore: 

 

“E kam fituar jetën time duke shkruar dhe  folur.

Fundi i rrugës ngjan të jetë  heshtja.

Mësimi që tani nuk më duhet më.

Lajthita dhe unë të mejtoj 

Si mund të ndreqet njerëzimi.

Turma është një mostër në të cilën 

askush nuk njihet.”

 

Në disa prej poezive të tij shfaqen shpesh referenca që lidhin botën e tij me Greqinë, si për shembull bukuria e peizazheve të caktuara dhe emblematike të Athinës, si dhe kujtimet e tij personale nga qëndrimi ose vizitat në këtë qytet.

Duke mbyllur këtë shënim të shkurtër për këtë poet të madh shqiptar, po paraqes të plotë poezinë prekëse dhe thellësisht të ndjerë “Vdekja e nënës”, e cila rrotullohet rreth humbjes së nënës së tij:

 

“Kjo u bash këtë pranverë.

të numëroj me gishtat e dorës

ditët e saj të fundit: Pesë, katër...

Ka qenë në mëdyshje gjatë

të rrinte me ne a të shkonte pas  burrit.

Derisa ndaloi me marrë ushqim dhe ujë

Vetëm ajrit nuk ka çfarë t’i bëjë.

Hyjnori e gjen vetë rrugën 

Ta mbushë ngadalë me frymë...

Tre... Dy...

Sa do të trishtohet babai

kur ta shohë  të vogël,  të vogël-

 qese me eshtra  fildishi.

Sikur e dëgjoj të na thotë

Çfarë i bëtë kështu gruas sime?

Erdhi koha të mbaj 

ashtu siç e la të thënë

shkrehje e saj prej mjellme.

Të shoh hirin e engjëllit

 Duke iu hapur në fytyrë ..

Gishtat e mi u zhdukën,

pasi mbaruan së numëruari

ditët e saj të fundit.

Lini një Përgjigje