
Do dashur ta kisha takuar dhe një herë. Do kisha dashur ta dëgjoja të më fliste. Do kisha dashur të mësoja më shumë nga ai. Këto gjëra më shkonin ndërmend kur mora lajmin e parë për ndarjen nga jeta të Ismail Kadare. Më shkuan lotët çurg.
Si mund të ndodhë kjo për një njeri të panjohur? Megjithatë, shkrimtarin kisha përshtypjen se e kisha njohur. Shkrimtarin. Shkrimtarin që bën dallimin? Jo! Shkrimtarin mes shkrimtarëve. Ka të tjerë shkrimtarë të mëdhenj Shqipëria. Gjuha shqipe ka pasur gjithmonë. Ka pasur dhe poetë. Ka pasur dhe rapsodë. Ka pasur dhe publicistë. Ka pasur dhe satiristë. Në fund të fundit letërsia është ajo pjesë e imagjinatës e cila nuk vihet dot në punë pa “tjetrin”.
Pa atë që na “nxit”. Heidegger, te «Qenia dhe koha » shkruan se « tjetri » nuk është një i vetëm, por janë « ata », në shumës. Kjo është shumë më e rëndë sesa të mendosh se vëmendja e njeriut, si qenie-në-botë, si Dasein, duhet të përqendrohet në më shumë se dikush. Bota e hapur është një tmerr. Umberto Eco, te hyrja e librit të tij “Në kërkim të një gjuhe të përkryer” flet për një prift që provonte të rriste fëmijë pa i folur askush që të mësonte se çfarë gjuhe flisnin ata. Të gjithë fëmijët vdisnin.
Këtë rol luajti dhe Ismail Kadare për epokën që ai ndërtoi. Për Shqipërinë që ai e mori me vete dhe dorëpërdore në histori. Për Shqipërinë dhe mitet e të cilës ai i plotësonte dhe i jepte kuptim të ri. Kadare fabrikonte personazhe dhe koncepte.
Por Kadare kishte më shumë aftësi se kaq. Ai donte gjithmonë të bënte diçka të re. Vepra e tij, shumëvolumëshe në dukje nuk është asnjëherë e mërzitshme dhe nuk është asnjëherë dull, në kuptim që është e cekët dhe që të bën të ndërrosh kanal si me televizionin.
Kadare gjente gjithmonë diçka të re. Kadare gjente gjithmonë një kapje, një gjetje, një mendim të ri. Kujtojmë përshembull “Pesha e kryqit”, një vepër e tij që nuk ka dalë akoma si vepër më vete, përveçse te kolana e plotë. Kadare flet për një dëshirë perverse për kërkimin e origjinave mistike dhe sipas tij kjo nuk është shumë e shëndetshme.
Dhe diçka tjetër. Kadare nuk është asnjëherë ekstremist. Kadare nuk merr role. Ai bën kronikën e një afekti. Si te “Kronikë në gur” kur përdor rëndësinë që mbart kujtesa për një vepër letrare dhe një jetë njerëzore. Unë, nuk e di për ju, akoma e përfyroj verandën e babagjyshit.
Apo “Nata me hënë” kur lihet si një dosje e hapur historia e një vajze të përgojuar padrejtësisht.
“Krushqit janë të ngrirë” ka një histori të ngjashme. Me një doktoreshë. E cila duhet të punojë gjatë Luftës së Kosovës dhe marrëdhënia e saj me të shoqin kriset pikërisht nga kjo ngjarje, e madhe apo e vogël, qoftë.
Në fakt, si nëpër historinë e madhe të pikturës, te vepra e Ismail Kadaresë ngjarjet zhvillohen në një sfond më të madh. Besnik Struga te “Dimri i vetmisë së madhe”. Kjo vepër, më voluminozja e Kadaresë, por më e madhja e tij, është ndoshta dhe arsyeja se pse shumë kritizierë të tij e quajnë njëfarë përkëdhelje ndaj diktatorit Hoxha. Aty ai nuk portretizohet më si një vrasës mizor por si një udhëheqës që lufton për më të mirën e popullit të vet. Një strategjist i pashoq kur vjen puna për bazën e Pashalimanit.
Kadareja aty në fakt nuk ka dashur të ndriçojë diktatorin dhe të lajë mëkatet e tij sesa të shpërfaqë sesi politika dërrmon jetët e njerëzve të thjeshtë dhe sesi kjo politikë mundet shumë mirë dhe të mbahet e fshehtë për ato që nuk e kanë durimin dhe ato që nuk e kanë vullnetin ta përballojnë.
Diçka kjo shumë fisnike nga ana e Kadaresë, diçka e cila nuk gjendet te shumë shkrimtarë të tjerë.
E dimë që shumë shpesh na pëlqen të krahasojmë shkrimtarë të lindjes, të lindjes sovjetike, madje dhe për kampionatin europian na bëhet qejfi kur bën gol Sllovakia. Kadarenë e kanë krahasuar gjithë jetën me Milan Kunderën duke qenë të dy të pashoq. Në fakt dhe Kundera e bën diçka të ngjashme. Te “Libri i të qeshurës dhe harresës” ai flet për një bisedë darke të Stalinit ku ai fillon dhe flet për Kantin. Por nuk është e njëjta gjë. Kadare vë në dukje krahasimin në lëmitë e litotës. Ai është një mjeshtër i horrorit. “Mëngjese në Kafe Rostand” është një rast tipik. Kadare duket shpeshherë si një baron i kohërave të lashta, një fisnik i lindur.
Kundera është më shakator. Është më i gëlltitshëm. Kadare ka një bazament moral dhe tradicional. Por kjo nuk e pengon aspak që të jetë modern, i këndshëm, i lexueshëm. Jo siç do thoshte ndonjë vëlla mysliman, i këndueshëm. Në fakt këtë fjalë për njerëzit e kulturës e gjejmë dhe tek Kuteli por, në hatër të Kadaresë që tha në një intervistë dikur (le të shpikim një fjalë të bukur në shqip) se gjuha shqipe nuk është gjuhë e varfër. Po Umberto Eco, një autor i cili i kushtonte vëmendje të madhe çikërrimave, tha menjëherë se ka ca gjuhë, që i studiojnë jezuitët, që janë të përshtatshme për ta bartur më mirë mendimin, për ta mbajtur rëndësinë e tij dhe peshën e tij të zgjerueshme, të hapura.
Shpesh mendimi mund të jetë aq i rëndë sa të mos dish çfarë shkruan. Sidomos për vdekjen. Të të shkojnë lotët çurg nuk është mjaftueshëm. Të mos kesh fjalë është me e dhimbshme. E dimë të gjithë që trishtohesh për dikë që nuk e ke njohur personalisht por vetëm nga larg është e panatyrshme. Në rastin tim i kam marrë veç një autograf në 2019 që vetëm sa ma shtoi adhurimin. Është gjynah të vdesin kësisoj njerëzish. Nuk mund të thuash shumë po mund të pyesësh, mund të tregosh se je aty. Mund të bëhesh kurioz për të shkuarën e tyre. Për sekretet e tyre. Për dashuritë e tyre. Dikush thotë që Kadare ka dashuruar shumë. Kjo mund të jetë e drejtë, por edhe ka shkruar shumë, por dhe ka menduar shumë, dhe kjo nuk është e lehtë, nuk është lehtësia. Është vuajtje për disa, gazmend për disa të tjerë.
Asnjë vuajtje nuk më argëton. Të paktën Kadare jetoi i lumtur. Këtë mund të themi. Jetoi i lumtur duke bërë atë që donte. Legjenda e tij ka pak rëndësi. Reputacioni i tij ka më pak rëndësi. Nuk mund të themi se madhështia e artit mund të kuptohet, mundet vetëm të sprovohet. Mundet vetëm të testohet. Lewis Carroll bëri një letërsi të tërë të non-sense, duke thënë shumë të vërteta të terrenit të jo-logjikës. Duke thënë të vërteta dionisiake, do thoshte Niçe, të vërteta që Kadare nuk i donte. I kuptonte, por nuk i donte. Preferonte anën e dritës (si do thoshte për Parisin, qyteti i dritës te “Arti si mëkat”).
Kjo nuk do të thotë asgjë. Ai ka një parathënie shumë të bukur për librin e Baudelaire (Brenga e Parisit; përkthyer nga Besiana Kadare) ku tregon dhe rrëfen pikërisht marrëdhënien e tij me këtë letërsi e quajtur lehtë “dekadente” apo “e mallkuar”. Në fakt për këtë letërsi Kadare thotë që ajo është një letërsi më shumë përtace, një letërsi që nuk është e dorës së dytë, por është e pakryer, e paplotësuar, e papërfunduar si “Sagrada Familia” në Barcelonë që është e dekoruar dhe e hijeshuar anash nga gjarpërinjtë.
E pakryera nuk ekziston në frëngjisht. Mendoj se është e rëndësishme për tu theksuar që këtu Kadare mendon ose në shqip apo në rusisht. Mendoj që dhe letërsia ruse është një letërsi e detajit. Prandaj Kadare, si shpeshherë me universalizmin e tij, që si çdo partizan i internacionalizmit dhe i një qeverie ndërkombëtare nuk po mendon këtë herë për Rusinë.
Në fakt, kam përshtypjen se Ismail Kadare ka një lloj resentimenti (mërie) ndaj Shqipërisë për të gjithë punën që duhet ta bënte ai. “Breznitë e hankonatëve” është madje një interpretim ironik i Marksizmit.
Si çdo intelektual perëndimor, Kadare nuk ishte pedant dhe kokëfortë, ai dinte ta inkurajonte të renë, ti inkurajonte të rinjtë, të tallte të vjetrën, pleqërinë, të kalburën, por jo duke shkelur shumë thellë në plagën e traditës. Në fakt, në Shqipëri, tradita e vetme është mungesa e traditës.
Mund të ngushëllohemi sadopak me hijen italiane që i la Tiranës fashizmi, mund të ngushëllohemi me teknologjinë dhe kinemanë, po nuk mund të ngushëllohemi me fashizmin, as me fashizmin islam që ai e përtallte keqas (kush ishte zëvendësi i Allahut; Nga një dhjetor në tjetrin).
Kadare denonconte çdo formë autoriteti. Partizan i psikanalizës kur psikanaliza nuk ishte cool ai shpeshherë e përdorte si armë. Mund dhe të thuash se tregohej pak i padrejtë me disa klasa shoqërore, gratë, romët, mund të thuash dhe të kundërtën, se privilegjonte kosovarët. Në fakt nuk kishte asnjëherë diçka për të cilën mund të mos bije dakord.
Dhe kundërshtarët e tij, duhet të mundoheshin shumë për të gjetur diçka për tu kapur. Rexhep Qose madje shpeshherë tenton të gjuajë me shigjetë të helmatisur por nuk ja qëllon dot në shenjë kurrë.
Për Kadarenë nuk është halli tek e shkuara, otomane apo kristiane qoftë, por është halli se çfarë po na pengon ne të dalim nga e shkuara, të dalim nga barku i nënës, si thotë Beckett, pse jemi gjithmonë e shkuar.
Historia e poezisë shqiptare është një histori me një kohë vonesë. Ato që e kanë njohur më mirë si njeri mund të thonë nëse Kadare njeri ishte kaq idealist sa Kadare shkrimtar. Profili i tij përmbush të gjithë pritshmëritë e një intelektuali europian, një njeriu të së shkuarës, një njeriu që i përkiste botës së djeshme, për ta thënë me një titull tjetër libri, të Zweig.
A kemi mundësi tja kursejmë Kadaresë krahasimet me shkrimtarët e tjerë ? Në fund të fundit ai ka shkruar aq shumë, dhe aq mirë, gjithmonë aq mirë sa nuk merret vesh frymëzimi. Kadare dhe një letërsi eksperimentale e bënte mirë (Kur sunduesit grinden) apo dhe një poezi (Kristal).
Ne jemi shumë lexues, ne jemi Ata, me Heideggerin, thonë shumë studiues e kritikë. Ne jemi ata, thonë ca wokistë, ne jemi ata, thonë ca pseudointelektualë, ne jemi ata, thonë ca nxënës të tij që i ka braktisur, gjysëm poetë, gjysëm publicistë, gjysëm politikanë halesh.
Ne jemi ata që kemi diçka për të thënë për gjithçka, ne jemi ata që mund të flasim dhe për gjeniun.
Ndoshta ne jemi ata të tjerët, Meraklitë e gardalinave. Meraklitë e maceve. Meraklitë e asaj mistikes te arti. Jemi ata që urrejmë spiunët. Jemi ato.
Jemi ato që nuk ju pëlqen djathi. Jemi si mafia ne lexuesit e mirë të tij. Nuk e duam për sharmin por për mendimin e tij. E deshëm. Akoma e duam. Kadare jetoi si ateist, shkroi si aristokrat, por sikurse Konica nuk ju largua ai « thumb i ngulun në tru të njerzisë ». Nuk pranonte të shihte nga ana tjetër. Nuk e humbi asnjëherë mahnitjen me llumin që prodhon vazhdimisht Shqipëria. Por as nuk ishte racist ndaj shqiptarëve. I mbrojti ato me sa mundi, me sa kishte, dhe, ato, në shkëmbim, e deshën, e adhuruan.
Por jo si Enver Hoxhën. Kurrë nuk e ka dashur njeri Enver Hoxhën. Jo sepse nuk ja lexon më njeri librat. Librat nuk ja lexojnë as Virion Graçit. Por sepse impononte frikë, nxiste urrejtje, ose ishte patetik në përdorimin e termit « gjuhë urrejtjeje » si sot.
Edhe atëherë kishte korrektesë politike por nuk e vuanim atëherë sa sot. Kemi rast tani. Vdiq një njeri. Nuk vdiq një letërsi.
Letërsia nuk bëhet me blloqe të gatshme graniti, me fraza të ngjitura me pështymë si thotë Ardian Vehbiu shpesh. Letërsia nuk bëhet as duke marrë diçka dhe duke kthyer në informacion. Nuk mund të themi se jetojmë për letërsinë po nuk ka arsye më të mirë pse mund të jetojmë.
Kemi rast tani të kënaqemi pak, me titujt e shkrimeve, me sentimentet që kanë shprehur zinë e thellë. Kemi rast të shijojmë dhe heshtjen e disave. Edhe komentet e budallenjve. Na iku një referencë. Si akronimi i emrit të tij. IK.
Pikërisht këtu është çështja. Ai shkroi gjithmonë me emrin e vet. Asnjëherë në facebook dhe asnjëherë duke pasur synimin për të bërë bujë. Ismaili bënte detyrën, buja vinte vetë. Ne shpeshherë kemi ëndrra. Ai nuk kishte. Ai kishte kujtime. Ëndrrat i realizonte.
Ka një tregim të tij, “Koha e parasë” që është botuar dy herë, një herë te përmbledhja me tregime “Vjedhja e gjumit mbretëror” dhe njëherë tjetër te “Koha e dashurisë”. Mendoj që kjo është një nxitje për ta lexuar më shpesh tregimin. Ai aty flet sesi, kur ishin fëmijë, me një shokun e vet, përpiqej të fabrikonte para dhe si nga kjo u dënuan por i shpëtuan dënimit si nën moshë. Në fakt, një interpretim që mund të bëhet është se kapitalistët e shumtë të sotshëm janë thjesht fëmijë, dhe e gjithë nxitja e brendshme e njerëzimit është paraja dhe materialja. Dhe, për më tepër, është fëminore, dhe groteske. Kadare e përtall këtë infantilizim.
Te “Qorrfermani” ai tall fenomenin grotesk të syrit të keq. Te “Kamarja e turpit” ai ironizon me terma si « pashai i Serbisë ». Ai, disa herë tregohet dhe cinik, por kurrë nuk është vrastar. Nuk është kurrë tendencioz. Nuk është kurrë aq banal sa të thotë një fjalë për një tjetër. Nuk di të jetë mizor. Ka shkrimtarë mizorë, si Dostojevski, ka shkrimtarë satiristë si Niçe që e zbret njeriun nga parajsa për ta bërë njeri por për hatër të argëtimit, sepse është e vërtetë, ka shkrimtarë që e zbresin njeriun nga parajsa për hatër të dashurisë si Kierkegaardi. Ka shkrimtarë si Kadare, njëlloj si Balzaku që nuk ju plas fort për njeriun hyjnor, as për metafizikën. Këtu, me thënë të drejtën duhet të jemi pak të kujdesshëm, ai nuk është realist si Zolai, që përshkruan detajet, deri dhe numrin e derës së shtëpisë. Jo Konan-Dojli, mos u ngatërroni. Bejkër Striti është emblemë.
Në fakt, prej shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj ai mund të thuhet se i ngjan më shumë Viktor Hygoit. Hygoi e niste një roman me një ide, bënte një skelet dhe më pas e plotësonte, i jepte mish dhe gjak. Secili prej romaneve të Ismailit ka një ide ku mbështetet. Doruntina ka rikthimin, Kështjella ka humbjen, E penguara ka nostalgjinë.
Por Kadare ka një veçanti, nuk ndërton dot një personazh. Të mos keqkuptohemi, ka personazhe, ka dhe dialogë, po jo diçka që të mbetet në mendje në mënyrë të pashlyeshme. Kam përshtypjen se ai ka dashur vetë ashtu. Besoj se ka shpresuar se dikush nga jashtë Shqipërie do e dëgjonte. Kjo është një vetmi e madhe. « Tiranë, 1978. » Më dëgjoni dhe mua. Ju flas nga ferri i hekurit dhe i betonit.
Sa shaka ka bërë komunizmi ynë me letërsinë, sa shaka ka bërë komunizmi ynë me politikën. Këtë e vuajmë. Këtë gjeniu e kishte plagë të pashlyer në trup. Ai gjymtohej nga ajo që shihte se në çfarë po kthehej politika, në çfarë po kthehej Shqipëria.
Ai mendon se përherë, nëse bënte letërsi të mirë, mund të shpëtonte Shqipërinë, mund ti jepte ngjyra pak makinerisë gri vrastare të totalitarizmit. Nuk ja doli. Dhe këtë e pati peng gjithë jetën. “Tri këngë zie” na thotë pikërisht këtë, bashkë me “Lulet e ftohta të Marsit” na japin këtë kumt. Te Kosova Kadare pa një mundësi të re. Ai më në fund nuk kishte kufinj. Nuk e kufizonte asgjë madhështinë e tij.
“Vajza e Agamemnonit” dhe “Pasardhësi” vërtet formojnë një diptik, por “Kukulla” është ajo vepër ku ai thotë më shumë me shumë pak, si Hemingway.
“Gjenerali” është vërtet vepra që e bëri të famshëm po nuk është vepra që ai do donte ti mbahej mend. Këtë vend të privilegjuar e kanë “Dimri” dhe “Koncerti”. Janë këto vepra që buçasin thirrjen e tij ndaj perëndimit për të mos ta lënë Shqipërinë jetime. Shqipëria që ai do donte është ai. Shqipëria e vërtetë është Shqipëria. Ai mbeti rus dhe student i Rusisë deri në fund. Por jo i Rusisë staliniane, i Rusisë së Tolstoit dhe personazhit aq romantik dhe melankolik të Princ Andreas. Nuk mund të jesh aq aristokrat dhe të bësh letërsi pa ditur frëngjisht. Ky ishte një mendim dhe një tezë që Kadare e kuptoi mirë dhe e mbajti vëth në vesh deri në fund të jetë.
Shakator deri në fund por jo i lig dhe te biseda me Alda Bardhylin ai e ruan akoma atë ndjenjë humori. Ai është rritur ndërkohë, e di që nuk shkruan më për vete. E di që e adhurojnë por ai akoma mund të lozë me letërsinë, të argëtohet si fëmijë i vogël, dhe është pikërisht kjo që e bën të veçantë.
Kjo e bën atë bir të denjë të Mitrush Kutelit, ndoshta dhe më lart sesa ai. “E madhe është gjëma e mëkatit” është sigurisht një ushtrim stili për gjuhën shqipe (në traditën e Queneau) por nuk mbetet më pas “Argjiroja” e Kadaresë, vepër që ja dedikon së bijës Gresës. Kur të gjithë mendojnë ndrysh Kadare është gjithmonë një hap përpara.
Kadare ka vendin e vet në panteon, dhe shumë lart madje, por ne e krahasojmë për ti bërë nder, jo për ti hedhur baltë.
Disa vite ka njerëz që hedhin baltë. Mjerimi i tyre mendor është i pajustifikueshëm. Nuk kanë asgjë të re për të dhënë dhe ruajnë momentin ku mund të sulmohet plaku.
At Zef Pllumi tha njëherë se ishte në të njëjtën llogore me të. Kjo nuk bënte pjesë te aleancat për fenë por për kulturën. Këto nuk janë e njëjta gjë. Feja dhe kultura diferencojnë. Kultura është përpjekja më e madhe kundër fesë, dhe kjo është e dukshme në të gjithë veprat e Kadaresë. Instikti i turmës i bën njerëzit ti blejnë librat por të mos i lexojnë.
Duhet ca edukim më shumë. Nuk është çështja këtu. Duhet ca dashuri më shumë. Duhen ca shikime nga përtej xhamit të dritares së katit të parë, duke lëvizur perden vetëm pak, duhen ca shikime të tilla për të pritur njeriun e zemrës, Penelopa Odiseun dhe tjetër, Moli Blumin! Moli, Blumin!
Kadare merr material nga vargjet, Kadare ushqehet nga mitologjia. Kujtojmë këtu “Stinë e mërzitshme në Olymp” dhe “Autobiografia e popullit në vargje”. Por dhe te “Muzgu i perëndive të stepës” ku është më në plan të parë politika e letërsisë.
Është përtallës dhe i hyjnive. Është shakator me hyjnitë. I lejohet. Është ai vetë Kadare. Është ai, vetë, Kadare.
Tiranë, 2024
Lini një Përgjigje