Nga Dorian Koçi
=====================
Ka momente në historinë e një kombi që tejkalojnë kufijtë e kohës dhe bëhen pjesë e ndërgjegjes së tij kolektive. Fundi tragjik i Bajram Currit në Dragobi është një nga këto çaste themelore. Në atë reliev malor, në një situatë pa rrugëdalje, Bajram Curri vulosi me jetën e vet një etikë të tërë politike dhe morale: atë të shërbimit pa kushte ndaj Atdheut
Kjo është një nga arsyet pse figura e tij u ngjit menjëherë në dimensionin e mitit. Noli e ktheu në art këtë motiv qendrese nëprmjet vargjeve të tij elegjiake , Bajram Curri nuk paraqitet vetëm si një luftëtar i rënë për liri, por si një arketip i qëndresës shqiptare—“Dif drangoj i Dragobisë, trim tribun i vegjëlisë”. Vargjet elegjiake plot aliteracion e transformojnë figurën e Bajram Currit : nga historia në kujtesë, nga individi në simbol. Është ndër rastet e pakta ku akti i rënies kthehet në një mit ringjalljeje, ku vdekja nuk është fundi, por fillimi i një jete tjetër në memorien kolektive. Ai lidhet me nevojën e shoqërisë shqiptare të fillimshekullit XX për të ndërtuar figura referuese në një kohë pasigurish të mëdha politike dhe ekzistenciale.
Ky proces i mitizimit nuk është i rastësishëm. Ai lidhet ngushtë me nevojën e shoqërisë shqiptare të fillimshekullit XX për të ndërtuar figura referuese në një kohë pasigurish të mëdha politike dhe ekzistenciale. Në këtë kuptim, Bajram Curri, ashtu si Çerçiz Topulli, Selam Musai apo Safet Butka, përfaqëson një tipologji të veçantë të elitës shqiptare: atë të luftëtarit që shndërrohet në figurë politike dhe morale.
Parimet e historiografisë moderne evropiane kërkojnë që këto figura të analizohen përtej narrativave romantike, duke i vendosur në kontekstin e proceseve historike. Në rastin e Bajram Currit, kjo nënkupton ta shohim atë si pjesë të krizës së perandorive, të rivaliteteve ballkanike dhe të përpjekjeve për ndërtimin e shtetit shqiptar. Ai nuk është vetëm produkt i traditës heroike të malësisë, por edhe aktor në një realitet të ri politik të viteve ’20, ku kërkohej organizim institucional, përfaqësim politik dhe vizion kombëtar.
Këtu shtrohet një pyetje themelore për historiografinë: si do të mbijetonte tradita heroike e malësisë në një rend të ri kushtetues?
Si do të kalonte shoqëria shqiptare nga revolta spontane drejt një kulture politike të bazuar në ligjshmëri, institucione dhe disiplinë shtetërore?
Pikërisht në këtë tranzicion vlerash qëndron edhe rëndësia e figurës së Bajram Currit. Në vitin 1920, me ndërhyrjen kundër forcave esatiste të Osman Balit në Shqipërinë e Mesme, ai kontribuoi në konsolidimin e rendit të ri shtetëror, duke orientuar zhvillimet drejt ligjshmërisë dhe stabilitetit politik.
Kjo qasje studimore kritike nuk e zbeh rolin e tij. Përkundrazi, e pasuron dhe e bën më të kuptueshëm. Bajram Curri mbetet i rëndësishëm jo vetëm për atë që bëri, por për atë që simbolizon: rezistencën ndaj nënshtrimit, refuzimin e kompromisit me padrejtësinë dhe besimin e palëkundur në një Shqipëri të lirë.
Në këtë kuadër, arti dhe letërsia kanë luajtur një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe transmetimin e kësaj figure. Piktura e Guri Madhi dhe vargjet e Nolit nuk janë vetëm akte estetike, por forma të artikulimit të kujtesës historike. Ato e kanë bërë Bajram Currin të pranishëm jo vetëm në histori, por edhe në imagjinatën kombëtare, duke e shndërruar në një figurë të gjallë të identitetit shqiptar.
Sot, kur e kujtojmë Bajram Currin, nuk kryejmë vetëm një akt përkujtimor. Ne reflektojmë mbi rolin e individit në histori dhe mbi përgjegjësinë që ka çdo brez për të ruajtur dhe rishkruar kujtesën e tij. Në këtë kuptim, “katakombi i Dragobisë” mbetet një metaforë e fuqishme: një hapësirë e shenjtë kujtese, ku historia dhe miti ndërthuren për të krijuar një nga figurat më përfaqësuese të identitetit shqiptar.
Elegji për Bajram Currin nga Fan Noli
Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur' i lirisë.
Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab' e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.
Vendi dridhej, ay mbeti
Se s'tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.
0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell' e Dragobisë,
Yll i rrall' i burrërisë.
Thon' u-shtri e thon' u-vra,
Po ti s'vdiqe, or Baba,
As te shkëmb' i Dragobisë,
As te zëmr' e Djalërisë.
As je vrar' e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.
Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn' e Shqipërisë
Katakomb' e Dragobisë.