
Do ma lejoni, ta them përsëri, se, unë merrem me veprën dhe jo me autorin. Nëse libri më jep kënaqësi, ndodh që autori të zhgënjejë apo anasjelltas. Mos duhet ta bëjmë harram kënaqësinë e dhënë?! Ndërkohë që lexoja librin “Të poshtëruar”, emri i autores, Lea Ypi, përmendej për kryeministër dhe ajo në intervista ngjallte reagime, që i shkonin librit si një antireklamë. Librin, s`di pse e quan roman, kur në gjithçka i referohet historive familjare, që nga koha e perandorisë turke e deri në ditët e sotme. Duke e lexuar bindesh në përkufizimin e autores, se: “Historia në Shqipëri përherë troket vonë.” Dhe të vonuarit marrin poza udhërrëfuesi.
Në qendër të librit është idhulli i saj, gjyshja Leman, e përmendur dhe në librin e parë. E lindur në Leskovik, banuar dhe e shkolluar në Selanik. I thoshin: “ajo shqiptarja”. Kur erdhi të jetonte në Shqipëri, po quhej “ajo grekja”. (Në një lloj paradoks përfshihet dhe Lea Ypi, e cila vjen nga radhët e të persekutuarëve dhe e njohin si “shkrimtarja marksiste”?!) Për ta kuptuar dhe më mirë librin, sipas meje, ia vlen t`i referohesh dy personazhëve: gjyshes Leman dhe kushërirës së saj, Kokotës, të cilat lënë Selanikun dhe vijnë të jetojnë në Tiranë, duke hapur dhe një dyqan pijesh. (Halla e Lemanit, Selma ishte fejuar me një biznesmen gjerman, i cili s`e pinte duhanin, por binte era nikotinë, ngaqë merrej me tregëtinë e cigareve.) Ja dhe dallimi mes tyre: “S`ke rënë në magjinë e dashurisë, por në kthetrat e ideologjisë.”-i thotë Kokota kushërirës, ngaqë asaj i pëlqente të shoqërohej me djemë, që merreshin me politikë. Dhe para se të mbërrinte në Tiranë, me një mori valixhesh, do i shkruante: “Të lutem a mund të pyesësh nëse ka ndonjë tregtar parfumesh Chanel aty? E kam fjalën për shitës të besueshëm... Më duhet dhe rimel, të lutem pyet dhe për këtë, po rimel ama jo varak jevgjish.”
Ardhja në Tiranë përkon me dasmën e mbretit Zog. Leman u mat ta refuzonte ftesën, por, ndërron mendje dhe shkon bashkë me kushërirën, e cila me vështrim të fiksuar në vellon e nuses, mbretëreshës Geraldinë, i thotë: “Kisha dëgjuar se ua qep veshjet një rrobaqepëse shqiptare dhe i shesin pastaj sikur u vijnë nga Chanel-i. Por, jo, ato fustane janë orgjinale, të betohem, unë di se ç`flas, oh zot, sa xhelozë janë njerëzit këtu, shpikin ç`të munden, është e tmerrshme!” (Fustani i bardhë, i “trandafilit të bardhë”, sikurse po quhej mbretëresha, shpejt do kthehej në një rrobë zije. Qeraqina do të bëhej kallogre.)
“Asllan!-thirri Kokota,-Ne të dinim në Spanjë duke i dalë për zot Republikës? Ç`bën këtu në dasmën mbretërore?
-Republika ka marr fund! Do të kishte qenë lajthitje e madhe nga ana ime të lija djalin të hynte në dhé i gjallë bashkë me ata rrugeçër, apo jo?”-ishte i ati, vjehrri i Lemanit, Xhaferr bej Ypi, ish-kryeministër i Shqipërisë.
-Si u zhduke ashtu?-i thotë e dashura, Lemani.
-U largova me ngut...Nuk arrita të kapërceja malet për në Spanjë. Xhaferr beu se ç`kishte gjetur një të njohur, një diplomat. Më ndaluan në kufi me Francën. Kur u ktheva në Tiranë kisha turp nga vetja, më vinte zor të dilja nga shtëpia. U ngujova brenda. Jam marr me shkrime, me përkthime.
Në hapjen e dyqanit të pijeve në qendër Tiranës, vjehërri fajson nusen, ndaj së cilës nuk e kursen pakënaqësinë, duke na kujtuar asketët e diktaturës. “Xhaferr beu nuk e kishte fshehur kurrë antipatinë ndaj nuses: veshjet mashkullore te Lemanit, prerja e flokëve, mënyra e shkujdesur e të folurit, cigaret e njëpasnjëshme që tymoste, i ishin dukur gjithmonë të tepruara, “të ekzagjeruara edhe për Selanikun e jo më për Tiranën”.”-shkruan autorja për të poshtëruarën e të gjitha regjimeve. Edhe pse luftë, biznesmeni gjerman, Gustav, ndjehej i kënaqur: “Tregtia po ecën për mrekulli. Njerëzit do të vazhdojnë të tymosin duhan...Nuk ka moral në këtë botë, ka vetëm mllef, hakmarrje të më të dobtëve, rikthim të më të shtypurve...
Ndërsa anglezi Robinson, që preferonte dyqanin e tyre, do i thoshte të birit të "kolaboracionistit”: “Asllan, ti je i vetmi njeri në këtë dyqan që i qan hallin demokracisë në mes të luftës.”, i cili bashkë me Lemanin e kishin shtyrë dasmën për më tepër se tre vjet, duke shpresuar më kot në mbarimin e saj. “Më mirë të bësh durim sa të mbarojë lufta e të kthehen njëherë ata ushtarë që kanë mbijetuar, se sa të përfundosh vejushë.”-i thotë Kokota. “Rezorti luksoz, ku çifti i ri kishte zgjedhur të kalonte muajin e mjaltit dukej sikur e mbante pezull dimensionin kohor, ku afërsia me qiellin i bënin ngjarjet në tokë të humbnin bashkë me forcën tërheqëse edhe formën kërcënuese. Atmosferës përrallore i shtohej dhe mungesa e gazetave apo dëgjimi i radios. Edhe makthet e Asllanit u zhdukën për pak javë.”-shkruan mbesa e tyre. Ndërsa mua m`u kujtua filmi italian “Nuk ka paqe nën ulli”. S`ka paqe, veçse për ata: që heqin të zitë e ullirit apo e hanë atë kokërr ulliri?!
P.S: Në foto shihni reagimet ndaj autores së librit para se ajo ta shkruante dhe tani, që libri është botuar. Dhe ti shton me vete: poshtërimi vazhdoka akoma?! Dhe ajo për të bindur rendit pseudonimet e përndjekësve të gjyshes së saj, që gjen në dosje, si: Tribuni, Pelivani, Kufka e Kuqe, Këneta e Shengjinit, Naganti, Granazhi maqinës, Rrufeja, etj. Ajo pyet veten, pse po e shkruan këtë libër dhe po vetë përgjigjet: për t`i dalë gjyshes zot nga persekutorët e internetit. Për të kuptuar pse po buzëqesh në atë fotografi shkrepur në barutin e acarit të viti 1941, për të marr vesh në e ka megjithë mend atë buzëqeshje. Për t`i kërkuar hesap atyre që e spiunuan...
S’ Kuptova gje une , ku e ka rendesine ky LIBER ? Ne Shqiperi per kohen qe shkruan zonja e librit ka histori shume me rrenqethese me nje kontribut te jashtezakonshem per ate periudhe , te cilat mund te quhen histori familjare qe ngelen ne kujtesen e kujdo pasardhesi qe i ka mbijetuar asaj periudhe , sejcili nga ne ka ca tregon aq periudhe e ngarkuar ka qene , me te miren e me te keqen ? Cudi qe e paskeni ngritur ne qiell kete mender FILLOZOFE ?