Parku Kombëtar i Butrintit për vitin 2025 regjistroi 47% më shumë vizitorë se një vit më parë.
Ky shtim i ndjeshëm i vizitorëve vendas dhe të huaj, u reflektua edhe në rritjen e të ardhurave, të cilat arritën në 84% më shumë të ardhura se në 2024-ën. Gjatë vitit 2025, parku u vizitua prej 295.152 personash.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit tha se, numri i vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit ka ardhur gjithnjë në rritje. “Kjo dëshmon edhe një herë vlerat e rralla kulturore dhe natyrore që ky vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s mbart”, shkruan MTKS.
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Ai ka një sipërfaqe prej 8 622,2 hektarësh dhe ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës.
Larmia e jashtëzakonshme e habitateve natyrore dhe ndërthurja e tyre me site arkeologjike, historike e kulturore të rralla, krijon një peizazh magjik të veçantë në Mesdhe. Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore Arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike. A.K./TemA
Lini një Përgjigje