
Në këtë esse, Zhak Atali (Jacques Attali) analizon konceptin e dorëzimit si në nivel individual, ashtu edhe në nivel shoqëror. Edhe pse pranon se në rrethana të caktuara të hequrit dorë është diçka e pashmangshme, autori argumenton se, në shumë raste dorëzimi është një zgjedhje e ndikuar nga frika, trysnitë shoqërore, apo besimi se forcat shtypëse janë të pamposhtshme. Atali (Attali) paralajmëron për rrezikun e dorëzimit kolektiv përballë regjimeve autoritare, degradimit të mjedisit dhe padrejtësive shoqërore, si edhe inkurajon individin t’i rezistojë frikës dhe të përqafojë rezistencën për një botë më të mirë.
“Dorëzimi i Madh,” nga Zhak Atali (Jacques Attali)*
Në mesin e kërcënimeve të pafundme që na kanosen në horizont, ekziston një, në pamje të parë ende i largët, ndonëse i dukshëm për këdo: dorëzimi i madh.
Të gjithë ne përballemi individualisht me rrethana ku të hequrit dorë është i nevojshëm. Dikur na duhet të heqim dorë nga fëmijëria, më pas nga adoleshenca, e më tej nga të qenët i ri. Gjithashtu, shpeshherë na duhet të lemë pas një person të dashur që ka ndërruar jetë, apo të heqim dorë nga një dashuri, miqësi, karrierë, pozitë, realizimi i një performance artistike ose sportive të paarritshme; të heqim dorë nga një ambicie e parealizueshme, siç na duhet të heqim dorë edhe nga vetë jeta kur na afrohet vdekja.
E, megjithatë, ky dorëzim, nuk është gjithmonë i pashmangshëm. Mund të rrekemi të mbetemi të rinj për një kohë të gjatë dhe të gjejmë mënyra për ta arritur këtë qëllim; një person i dashur mbetet pranë nesh sa herë mendojmë për të; jo domosdoshmërisht duhet të heqim dorë nga një dashuri kur ajo nuk na kthehet mbrapsht; miqësia mund të rifitohet nëse është humbur për shkak të një keqkuptimi, ose nëse vendosim t’ia nisim nga e para; asgjë nuk na detyron të heqim dorë nga të qenit vetvetja dhe të arrijmë pozitën që mendojmë se meritojmë dhe, edhe kur jemi fillestarë në diçka, përmes punës, vullnetit, përulësisë dhe standardeve të larta mund të arrijmë shumë më larg nga sa mendojmë, duke kërcyer, ecur, ngritur pesha, pikturuar, kënduar, luajtur muzikë, ose duke dirigjuar orkestra.
E njëjta vlen edhe për shoqëritë tona. E shkuara njeh pafundësisht histori shoqërish, kulturash, qytetesh, kompanish dhe kombesh që dikur u dorëzuan dhe u zhdukën, pa e kuptuar as vetë që ishin dorëzuar.
Kjo është pikërisht ajo çfarë na kërcënon sot. Shohim miliona, e ndoshta miliarda njerëz, që heqin dorë nga ambicie apo projekte që lidhen me ta ose fëmijët e tyre. I shohim teksa i jepen drogës, alkoolit, dhe gjithë llojeve të varësisë, që s’janë tjetër veçse forma të dorëzimit. Të tjerë mjaftohen me atë që kanë ose fajësojnë të tjerët për zhgënjimet e tyre. Në shumë vende të shtypura nga diktatura politike ose të parasë, apo e thënë në në mënyrë edhe më prozaike nga diktatura të brendshme, shohim se si shumë vetë heqin dorë nga lufta për t’u çliruar ose për ta ruajtur lirinë e tyre, apo edhe për të marrë pjesën e merituar të pasurisë së prodhuar. Më hollësisht, kemi parë se si shumë njerëz, në vende të pushtuara ose të kërcënuara nga pushtimi, zgjedhin të bashkëpunojnë me armikun ndërsa, në jetën e përditshme, shohim se si shumë vetë dorëzohen dhe nuk zgjedhin të ardhmen e tyre.
Është diçka e kuptueshme. Përgjatë historisë, forcat politike dhe ekonomike shpesh kanë qenë tepër të pushtetshme dhe thuajse të pamposhtshme.
Sot më shumë se kurrë, kërcënimet mbeten të mëdha dhe shumë vetë mendojnë ose do të mendojnë se nuk ka kuptim që të luftosh kundër forcave të parasë, apo ato të armëve. Shumë mund të arrijnë në përfundimin se është më mirë të vetizolohesh në lumturinë tënde personale, edhe nëse ajo përbëhet nga produkte të dëmshme, apo thjesht nga një kopsht i vogël i fshehtë vetjak.
Shuma e gjithë këtyre dorëheqjeve të vogla do të çonte pashmangshmërisht tek një më e madhe. Nuk është ende këtu, por e ndjej se po afrohet. Mënyra se si shumë vetë janë gati të tërhiqen e t’iu dorëzohen regjimeve autoritare në vendet fqinje, por edhe tek ne, braktisja e pikësynimeve serioze në lidhje me klimën, heqja dorë nga mundësimi i ushqimit të shëndetshëm për këdo dhe edukimit cilësor për të gjithë.
Nëse të gjithë ne heqim dorë, do t’i vinte fundi gjithçkaje për të cilën njerëzimit i është dashur një kohë e gjatë për ta ndërtuar; sepse asgjë e rëndësishme nuk është arritur pa rezistencë dhe në një mënyrë a një tjetër, pa dorëzime; pa u revoltuar kundër fatkeqësive të caktuara; pa ngritur krye për të marrë një të drejtë fillimisht në dukje të paarritshme. Dhe një botë e errët nesër është e pasigurtë.
Sot, ka mijëra shembuj që refuzojnë të dorëzohen. Do të citoj këtu vetëm një prej tyre, që më vjen ndërmend: gratë iraniane, të cilat pavarësisht kërcënimeve, vuajtjeve, përdhunimeve dhe dhunës, nuk po dorëzohen pa bërë edhe përpjekjen e fundit, në mënyrë që vendi i tyre, ai qytetërim i mrekullueshëm mijëravjeçar, të dalë nga makthi në të cilin është zhytur prej kohësh.
Megjithatë, për të mos u dorëzuar, na duhet që, individualisht dhe të gjithë bashkë, të mposhtim frikën si armikun tonë më të keq. Vetëm ata që e duan me të vërtetë jetën, janë të gatshëm të rrezikojnë për ta bërë atë më të bukur. (Përgatiti për TemA, Bjorn Runa)
*Zhak Atali (Jacques Attali) është autor francez dhe intelektual publik i njohur, futurolog, këshilltar i posaçëm i ish-presidentit francez Fransua Miterrand (François Mitterrand) dhe ka shërbyer edhe si drejtori i parë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mes viteve 1991-1993.
Lini një Përgjigje