TIRANË-Veprat e Kadaresë u rikthyen aty ku u ngjizën dhe morën jetë, në shtëpinë e tij, tashmë në një formë tjetër, të ripërfytyruara përmes gjuhës vizuale të piktorëve që u frymëzuan nga romanet e tij.
Projekti “Kadare në Artet Figurative”, i implementuar nga Akademia e Studimeve Shqiptare, UET Press dhe i mbështetur nga Bashkia Tiranë, hapi një dritare të re për të parë Ismail Kadarenë: Jo më si shkrimtar, por si imazh, si simbol dhe si arkitekturë shpirtërore.
Salla e ekspozitës nuk ngjante me një galeri të thjeshtë, por me një labirint kadarean.
100 vepra arti, të frymëzuara nga penat e tij, rrethonin vizitorët sikur të ishin faqe të shkëputura nga "Pallati i Ëndrrave" apo "Kronikë në Gur". Ishte një përpjekje titanike për të kthyer në formë dhe dritë atë që Kadareja e ndërtoi me fjalë për dekada të tëra.
Biseda e udhëhequr nga kuratori Abaz Hado dhe Ermir Nika, anëtar i bordit të ''Fondacionit UET Press'', shërbeu si një "hartë" për të orientuar publikun.
Gjatë këtij diskutimi, Hado shpjegoi teknikisht procesin e përzgjedhjes së veprave dhe vështirësinë e artistëve për të gjetur një ekuilibër mes tekstit letrar dhe origjinalitetit në pikturë. Ai u ndal te fakti se si elementet specifike të librave të Kadaresë, si mjegulla, muret apo personazhet gjysmë-mitikë, kërkojnë një trajtim të veçantë kromatik për të mos humbur thellësinë e tyre.
Nga ana tjetër, studiuesi Ermir Nika u fokusua te vlera dokumentare e këtij koleksioni, duke argumentuar se dokumentimi i figurës së Kadaresë përmes artit pamor shërben si një arkiv që do të jetë në dispozicion të studiuesve dhe institucioneve kulturore në të ardhmen. Për studiueset Viola Isufaj dhe Irena Myzeqari, ky nuk ishte thjesht një aktivitet radhe. Isufaj analizoi strukturën e romaneve të Kadaresë, duke nxjerrë në pah se ato janë të ndërtuara me skena që kanë një densitet të lartë vizual, gjë që e bën kalimin nga faqja e librit në telajo shumë natyral për artistët.
Ndërsa Myzeqari u përqendrua te ndikimi që ky projekt ka te publiku i ri, duke shpjeguar se vizualizimi i veprës ndihmon në kuptimin më të shpejtë të ideve komplekse të autorit dhe e afron atë me brezat që janë më shumë të prirur drejt imazhit sesa tekstit të gjatë.
100 veprat e kësaj ekspozite ishin një dëshmi se Kadareja nuk është vetëm pronë e letërsisë, por është një univers që mund të preket, të shihet dhe të ndjehet përmes dritëhijeve të një pikture.
Kur dritat e galerisë do të fikën, ato vepra do të mbeten aty, si një provë se gjeniu nuk vdes kurrë ai thjesht ndryshon formë, duke kaluar nga boja e zezë e shkrimit, te ngjyrat e ndezura të artit. /Shkruar nga Mapo.al
***EKSPOZITA “Kadare në Artet Figurative” me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Fondacionit Credins
Lini një Përgjigje