Çelet në Vlorë "Ekspozita e Pranverës", spikat Arben Meksi

24 Maj 2026, 11:26Kulturë TEMA
Çelet në Vlorë "Ekspozita e Pranverës", spikat

Është çelur në sallën e Galerisë së Arteve në Vlorë “Ekspozita e Pranverës”, një nga aktivitetet artistike që sjell së bashku emrat më të njohur të pikturës vlonjate dhe krijimtarinë e tyre më të fundit.

Në një atmosferë plot ngjyra, ndjesi dhe interpretime artistike, ekspozita ka tërhequr vëmendjen e dhjetëra artdashësve, artistëve dhe vizitorëve të qytetit bregdetar.

Sipas kuratores së Galerisë së Arteve, Ermelinda Xhebro, ekspozita prezanton shumë punime të teknikave dhe gjinive të ndryshme, ku ndërthuren peizazhi, portreti, natyra e qetë, kompozimi modern dhe abstrakti.

Mes emrave pjesëmarrës spikat edhe Arben Meksi, artisti i njohur për kontributin e tij në fushën e karikaturës, i vlerësuar me çmime edhe në arenën ndërkombëtare. Punimet e tij sjellin një kombinim të mprehtësisë artistike me ironinë dhe mesazhin social, duke dëshmuar se karikatura mbetet një formë arti që komunikon drejtpërdrejt me publikun. Përmes figurës dhe simbolikës, ajo arrin të trajtojë realitetin me humor, reflektim dhe ndjeshmëri artistike.

“Ekspozita e Pranverës” do të qëndrojë e hapur për 10 ditë, duke ftuar artdashësit vlonjatë dhe vizitorët e qytetit të njihen nga afër me krijimtarinë dhe frymën artistike që vazhdon të mbetet gjallë në Vlorë.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje