Eseistika  e Moikom Zeqos

16 Qershor 2022, 14:12Kulturë Aleksandër Çipa

Eseistika  e Moikom Zeqos

Në historinë e publicistikës në shqip, të publikuar përgjatë gati 100 viteve të fundit në shtypin e shkruar shqiptar, spikasin atipikisht disa autorë, disa protagonist, që kanë pasur rolin dhe kontributin si gjeratorë sfidantë dhe tejet prurës në mendimin, analizën, shqyrtymin dhe ndriçimin dijesues të publikut dhe kategorive apo shtresës intelektuale të shoqërisë shqiptare.

 Dua të mbetem tek stilema e fundit: ndriçimi dijesues.

Me kurreshtje e kam ndjekur dhe e mbaj në fuqi, (si një gazetar me përvojë 30 vjeçare), konkluzionin se mes Branko Merxhanit dhe Moikom Zeqos lehtësisht mund të mbetesh në një përqasje jo krahasuese, por kontribuimi; të njëjtshëm dhe po aq dallues.

E kam fjalën për një përqasje që lidhet me ndikimin e  fuqishëm shoqëror, sidomos përmes zhanrit të eseistikës, prej tyre.

 Nga pikëpamja sasiore janë të pakrahasueshëm, nga aspekti substancial janë të lartësishëm sipas profilit dhe kontributit vetiak seicili dhe natyrshëm, që janë të përafrueshëm për nga tematikat. Edhe Merxhani, edhe Moikomi u morën gjatë dhe e analizuan thellë peripetien tonë kombëtare, ose po ta themi hapur, sorollatjen tonë kombëtare. Eshtë një cikël i plotë shkrimesh tek Merxhani që nuk flasin thjesht për neoshqiptarizmën, por krijojnë konceptin e gjerë për shoqërinë e atëhershme se, si dhe duhet, të strukturohet ajo.

Në më shumë se gjysëm shekulli më vonë edhe Moikom Zeqo në një cikël të volumtë esesh i drejtohej shoqërisë shqiptare të shekullit XXI për një tjetër orientim  dhe strukturim konceptual të saj.

Nuk ka tashmë diskutim, rreth faktit që  Branko Merxhani, kryesisht përmes revistës së njohur “Përpjekja” përmendet si ndër publicistët që mishëroi dhe solli mendimin filozofik dhe sociologjik në publicistikën shqiptare. Merxhani serviri si rrallëkush, idetë dhe pikëpamjet e para  filozofike e sociologjike për shoqërinë shqiptare.

Në një përmasë të tillë dhe më të gjerë kontribuese, vjen qysh prej viteve ’75 deri në ditën e ngjitjes në amëshim, Moikom Zeqo.

 Janë dy personalitete të fjalës dhe mendimit publik që jetuan kohë të ndryshme, të pakrahasueshme dhe me rrethana të pacikshme me njera-tjetrën. E vetmja pikë përkuese është kombësia, për të cilën të dy këta zotërinj të penës dhe mendimit, siç mund ta themi me fjalën e Milan Kunderës, “Ishin identik me vetveten”. Sepse edhe Branko edhe Moikomi mishëruan autorialisht përgjigjen e pyetjes thelbësore që shtron Harold Bloomi: ”Informacioni mund të gjendet pafundësisht gjithkund; po ku mund ta gjejmë diturinë?”

Të dy publicistët e shquar mbartnin atipikisht diturinë dhe njohjen në disa lëmi. Për Merxhanin është krijuar tashmë një bibliografi e plotë specifikimesh dhe vlerësimesh ku spikasin emra të nderuar studiuesish si Aurel Plasari,  Ndriçim Kulla, Fatos Lubonja etj., etj., si në fushën filologjike edhe në atë mediologjike e historike.

Por unë dua të sjell në vëmendje të lexuesit, një fashë drite të specifikuar për atë meritë dhe kontribut  të ndriçimit dijesues që realizoi poliedriku dhe eruditi i pazakontë Moikom Zeqo përmes publicistikës dhe asaj që ndryshe mund ta cilësojmë edhe si paraletërsi, pra eseistikës.

Kolana ala Ricos-iane e librave që la në bibliotekat tona dhe në dhomën individuale të autorit,( në formën e të pabotuarave), janë materia më unike që e detyron shoqërinë apo entitetin tonë sot dhe atë që do të vijë  në të ardhmen, të jenë jo shterues në vlerësimin e tyre për veprën e Moikom Zeqos.

Si bashkëkohës të tij, kemi avantazhin të shtojmë në këtë akt kolektiv përkujtimi diçka ekstra-veprës, domethënë diçka për njerinë-Moikom.

 U desh ikja e tij  që ta shpallnim e vijojmë, plotësimin tonë vlerësues për Moikomin.(!)

Megjithatë, për arsye konkretësie më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj njerën prej eseve më të bujshme, më të shumëqarkulluara, të përkthyer dhe të polemizuar , të shkruar dhe të publikuar prej Moikomit në gazetën “Koha jonë” dhe më pas edhe si një botim më vete. E kam fjalën për esenë “ Të vërteta të panjohura e të pathëna për Himarën”.

Eshtë një ndër  esetë më të lexuara në krejt hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Ka njohur më shumë se 500 publikime në shtypin dhe mediat online shqip, anglisht, greqisht. Janë mbi 1000 polemika dhe një zinxhir i paadministrueshëm reagimesh dhe debatimesh publike që vijojnë në kohë me ngasje prej leximit apo kontaktit me tesktin e saj.

Me stilin e vet të ngjeshur në këtë ese, Moikomi solli një analizë të mbushur faktologjike.

 I ngarkuar me njohje dhe i mbarsur me kurajo dhe besim dijeje, solli një disbalancë vërtetësie në raportet debatuese mes grekësisë dhe shqiptarësisë për kazusin e Himarës të cilin e ka keqpërdorur dhe përdhosur politika dhe qasjet nacionaliste të tranzicionit.

Në këtë ese, Moikom Zeqo imponoi reagime të fuqishme të inteligjencies në të dy shoqëritë dhe sfidoi si një i ditur që thjesht dituronte. Moikomi sfidonte dhe mbetet i tillë në zhanrin e esesë, pasi siç e thotë me të drejtë shkrimtari dhe përkthyesi Leka Ndoja “ishte përdoruesi i teknikave më të ndërlikuara në letrat shqipe”. Në esenë për Himarën nuk është vetëm autori polemizues, por është historiani i fakteve kokëforta, është eruditi i letërsisë dhe artefakteve zanafillore të këtij entiteti që quhet himarë dhe himariotë, është njohësi i imtësishëm i njerëzve dhe së shkuarës  historike të mbuluar dhe të përvetësuar, është reporter dhe reportazhist i thellë që tejkalon mundësitë e zhanrit, duke krijuar dhe lënë një ekstrazhanër, ose siç e përcakton me të drejtë miku i tij, studiuesi Minguli, transletërsi.

Në kolanën e eseve të Moikom Zeqos( është ndër të paktët autorë shqiptarë që mund të ketë kolanë esesh), përfshihet edhe një pjesë e kolanës së botimeve ex-editions të “Arnisa Edition”, të cilën fatkeqësisht pak njerëz kanë dijeni, përjashto miqtë e Moikomit.

 Janë disa ese me specifika diturie në fusha dhe lëmi shumë pak të njohura, për publikun dhe pse jo edhe për kategori të ekspertizës aktuale shqiptare. Në këtë kolanë kam parasysh “Ikonografia, alkimia dhe Gjon Buzuku, “Hyjnesha Dardania dhe hyjni të tjera ilire në Dardani”, Arkeologjia dhe hyjnitë ilire”, “Arkeologjia si egjyptologji” etj., etj, botime që meritojnë të publikohen  në formatin formal nga institucionet tona të memorialistikës dhe të shkencës së arkeologjisë historike apo historisë.

Moikomi shkroi dhe foli volumnisht si askush. Ndërsa e përdori pak dhe rrallë heshtjen, por në funksion të asaj që përcakton aq bukur Harold Bloomi tek “Thëniet e etërve”: “Bota gjykohet nga mirësia dhe gjithçka varet nga sasia e punës”.  Për Moikomin “heshtja’-ishte gardhi elegant i mençurisë”.

Esetë e tij janë një shtesë në shkollën shkrimore të publicistikës dhe refleksionit tonë, në këtë kohë dhe më tej.

1 Komente

  1. g
    greqiret e 300 sufllaqive , Falimenton gaz.Dita

    hahahahah . Cdo Moikomi i Madhe ne kte hale ? Kerkoni me e bo pis o funderina .

    Lini një Përgjigje