Eurovision Song Contest, kompeticioni më i gjatë ndërkombëtar i muzikës, po zgjerohet për herë të parë në Azi. Dhjetë vende të rajonit, mes tyre Koreja e Jugut, Tajlanda, Filipinet dhe Vietnami, kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 14 nëntor në Bangkok.
Organizatorët e konsiderojnë këtë hap si veçanërisht domethënës, pasi viti 2026 shënon 70-vjetorin e Eurovision-it. “Është një kapitull i ri i rëndësishëm në një rajon të pasur me kulturë, kreativitet dhe talent,” u shpreh Martin Green, drejtor i konkursit pranë EBU.
Skema e garës do të ndjekë modelin e njohur: çdo vend do të zhvillojë përzgjedhjet kombëtare, ndërsa fituesit do të konkurrojnë në finalen aziatike. Rregullat e plota ende nuk janë bërë publike, por organizatorët kanë premtuar se “çdo votë do të ketë rëndësi” dhe se eventi do të jetë një “festë e muzikës origjinale pop”.
Ky nuk është përpjekja e parë për të zgjeruar Eurovision-in jashtë Evropës. Në vitin 2022 u mbajt American Song Contest, por ai nuk pati sukses. Ndryshe nga SHBA, organizatorët besojnë se Azia, me tregun e saj të gjallë muzikor, K-pop-in dhe kulturën e karaoke-s, ofron terrenin ideal për një edicion të ri.
Deri tani, 10 vendet pjesëmarrëse janë Bangladeshi, Butani, Kamboxhia, Laosi, Malajzia, Nepali, Filipinet, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Vietnami. A.K./TemA
Lini një Përgjigje