FOTOT: Opera "IL TROVATORE" në TKOB, përjetimi i një shfaqjeje të kalibrit botëror në Tiranë

14 Dhjetor 2025, 15:17Kulturë TEMA
FOTOT: Opera "IL TROVATORE" në TKOB, përjetimi i një

Ka gjithmonë një seri kryeveprash që mbarojnë teksa mbyllet sipari i tyre. Dhe ka edhe të tjera që vazhdojnë të jetojnë brenda nesh edhe pasi largohemi nga salla.

Më 11, 12 dhe 13 dhjetor, skena e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor u shndërrua në një hapësirë ku koha ndaloi befas, për të na transportuar në shekullin XV, aty ku marrin jetë ngjarjet e një historie aspak të zakonshme.

Il Trovatore i Giuseppe Verdit nuk erdhi thjesht si një tjetër titull madhor i repertorit operistik botëror, por si një përjetim i fuqishëm njerëzor, i errët, i dhimbshëm dhe tmerrësisht tronditës.

Që në hyrje në sallë, publiku u përball me një sipar të hapur, si për të thënë se tashmë nuk ndodhemi më në Tiranë, por në një kohë dhe hapësirë tjetër. Ata që kishin lexuar sinopsin tashmë ndodheshin në Spanjën e para gjashtë shekujve: një vend i shkatërruar nga flaka, që nuk kishte lënë pas asgjë përveç skeletit të një bote të humbur. Një perspektivë që flet për atë çfarë memoria zgjedh të mbajë mend mes kaosit dhe traumës.

Manrico, Il Trovatore, i interpretuar nga Josif Gjipali dhe më pas nga Amadi Lagha, shënoi rikthimin e tenorit Gjipali pas dy dekadash në skenën shqiptare. Ai përcolli figurën e njeriut që qëndron si fijë lidhëse mes dy botëve: dashurisë me Leonorën dhe luftës me të panjohurën, me fatin dhe me të vërtetën e tij të errët.

Azucena, e sjellë për herë të parë në skenën e TKOBAP-së nga Enkeleida Shkoza dhe më pas nga Ivana Hoxha, ecën, ashtu si të gjithë personazhet e kësaj historie, mbi mbetjet që zjarri ka lënë pas. Një det i zi kujtimesh, një e shkuar që nuk pushon së djeguri, duke rikthyer çdo humbje dhe çdo plagë, një jetë e jetuar për t’u hakmarrë.

Leonora, e sjellë në skenë nga Eva Golemi dhe Ramona Tullumani, është e vetmja figurë që sjell dritë në këtë univers të errët. Në konceptin regjisorial, ajo përfaqëson rezistencën shpirtërore, besimin se dashuria mund të mbijetojë edhe në një botë të shkatërruar. Por kjo dritë nuk është naive; është e vetëdijshme për errësirën që e rrethon. Sakrifica e Leonorës nuk është arratisje; është një akt i vetëdijshëm lirie në një botë pa dalje.

Conte di Luna, i interpretuar nga Ankhbayar Enkhbold dhe më pas nga Armando Likaj, mishëroi pushtetin që sundon mbi rrënoja. Një figurë e dhunës së trashëguar, e xhelozisë dhe e obsesionit, por njëkohësisht e një autoriteti të brishtë. Regjia e zhvesh nga çdo madhështi heroike, duke e paraqitur si një njeri të burgosur nga dëshira për zotërim: ai kërkon dashuri, por di vetëm të sundojë.

Shfaqja filloi.
Nata e tretë e Il Trovatore, me sallën e TKOBAP-së të mbushur plot, nuk kishte si të ishte ndryshe veçse një mbrëmje drithëruese.

Ferrando, një nga njerëzit më të afërt të Contit di Luna, i interpretuar nga bassi Bledar Domi, i rrethuar nga kori i burrave të TKOBAP-së, nisi të rrëfente përmes muzikës makabritetin e një krimi të ndodhur shumë vite më parë: një cigane e djegur në turrën e druve, para syve të së bijës, nën akuzën se kishte magjepsur djalin e mbretit. Vajza u betua për hakmarrje, rrëmbeu fëmijën e mbretit, por një gabim fatal e mbuloi gjithçka me mjegull; askush nuk di me siguri nëse ajo dogji djalin e vet apo atë të mbretit.

Ky mister shoqëron gjithë veprën nga fillimi në fund.

Produksioni nga Fondazione Teatro Amilcare Ponchielli dhe teatro prestigjioze italiane solli në skenën e TKOBAP-së një vizion të fortë skenik, ku klasikja dhe bashkëkohorja bashkëjetojnë pa konflikt.

Skenografia, e ndërtuar mbi konceptin e veprës, drita që rrëfen terrin dhe muzika që ngrihet si një ulërimë e brendshme kundrejt vetvetes, e kthejnë këtë produksion në një përvojë që të kaplon sapo futesh në sallë.

Një botë e ashpër, e përflakur, e ndërtuar në skajet e një fijeje të hollë që ndan kufijtë mes hakmarrjes dhe dashurisë, pikërisht aty ku historia e Il Trovatore nis dhe merr frymë.

Nën drejtimin e fuqishëm muzikor të Andrea Solinas, Orkestra dhe Kori i TKOBAP-së plotësuan mozaikun e tre mbrëmjeve që do të na shoqërojnë gjatë, si një britmë që premton të na kujtojë se tragjeditë më të mëdha nuk ndodhin vetëm në histori, por brenda nesh. A.K./TemA

Lini një Përgjigje