Franca promovon ligj për kthimin e sendeve historike në vendet e origjinës

30 Korrik 2025, 20:54Kulturë TEMA
Franca promovon ligj për kthimin e sendeve historike në vendet e

Qeveria franceze paraqiti në kabinetin ministror një projektligj me qëllim lehtësimin e kthimit të sendeve kulturore të plaçkitura gjatë periudhës së kolonializmit në vendet e origjinës së tyre.

Ky propozim do të zbatohet kryesisht për vendet afrikane, por sipas Ministrisë së Kulturës do të ketë një ‘gjeografi globale’, duke përshpejtuar kthimin e këtyre sendeve që aktualisht ruhen në koleksionet kombëtare franceze.

Objektet që do të rikthehen duhet të jenë marrë në mënyrë të paligjshme gjatë periudhës nga viti 1815, kur u përfunduan Luftërat Napoleonike në Evropë, deri në vitin 1972, kur u miratua konventa ndërkombëtare e UNESCO-s për mbrojtjen e sendeve kulturore nga trafiku i paligjshëm.

Projektligji kufizon parimin e ‘paprekshmërisë’ së koleksioneve kombëtare franceze për këto vepra.

Sipas Ministrisë së Kulturës, sendet që do të kthehen duhet të jenë fituar “përmes vjedhjes, plaçkitjes, dhënies me presion ose dhuratë të marrë me forcë, apo nga persona që nuk kishin të drejtë ligjore për t’i zotëruar”.

Vendimi për heqjen e këtyre sendeve nga koleksionet kombëtare dhe kthimin e tyre në vendet e origjinës nuk do të kalojë për çdo rast nëpër procedura ligjore, por do të merret nga qeveria ose nga një komision shkencor dypalësh.

Në këtë komision do të përfshihen historianë dhe ekspertë francezë dhe homologë nga vendet që kërkojnë kthimin e sendeve, të cilët do të verifikojnë dhe dokumentojnë nëse objektet janë marrë në mënyrë të paligjshme, transmeton ora.

1 Komente

  1. b
    ben

    Me ne fund nje lajm i mire, por qe duhet ndjekur sidomos nga Britania qe nuk ka lene gje pa i vjedhur tere vendeve ku kane qene.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje