
Në Vranisht, mbi shtëpitë e Skëndomemue e të Dukajve ndodhet një masiv shkëmbor, që përbën kreun e kodrës, nga ku mund të kundrosh të katër anët e horizontit. Po të ngjitesh këtu, kushdo do të ndjejë kënaqësi, pasi soditja do të penetrojë në tërë bukuritë e fshatit, si shpatin e maleve të Çikës e Bogonicës, shtëpitë karakteristike me çati të stolisuara, rrugicat me kalldrëm, shtratin e përroit të sertë të Shtokthit, vende të thepisura dhe lëndina të gjelbëruara, deri pothuajse gjithë terrenin e pjesës së sipërme të luginës së Shushicës.
Masivi shkëmbor quhet “Harca e Beqire”. Ky toponim nuk është i paspjegueshëm. Ashtu si për çdo burim e krua, mal e kodër, arë e fushë, urë e mulli, spjegimi për emërtimet e tyre është përcjellë nga njëri brez te tjetri. Çdo emërtim ka brenda një copëz historie. Toponimet janë aq të shumta, sa duke i radhitur e analizuar veç e veç, ato përbëjnë mozaikun e historisë së fshatit.
Në këtë këndvështrim, “Harca e Beqire” ka “tapinë” e saj. Ajo çertifikon një histori sa tragjike, aq edhe atdhetarie. Të gjithë burrat e një familjeje të thjeshtë guxuan për t’u vetëflijuar duke lënë prapa si legjendë një akt të lartë qëndrese dhe mosnënshtrimi.
Nga pesëdhjetëvjeçari i parë i shekullit të XIX, në mesin e mëhallës vranishtjote, jetonte plaku Beqir Memo me të tre djemtë e tij, Azisin, Jazon dhe Qazimin. Jeta e tyre rridhte plotë vështirësi e sakrifica, pasi sundimi i perandorisë osmane sillte peripeci e fatalitete. Edhe pse mund të bëje përpjekje për një jetë ekonomike normale, okupatorët nuk të linin të të qeshte buza. Kështu ndodhi edhe me Beqirin dhe djemtë e tij. Me mundime e sakrifica , ata kishin në pronësi një numër të madh bagëtish dhe siguronin prodhime të kënaqshme në arat e tyre anëve të lumit Shushicë.
Kryerja e shërbimit ushtarak me vite të tëra për hesap të perandorisë, u kishte copëtuar shpirtin bijve të Shqipërisë. Këtë plagë të rëndë të kohës, vranishtjotët e kishin materializuar në këngë:
Medet o shokë medet/Ky dovleti qoftë lanet/ Më mori vjeç njëzetë/ Më lëshoi në të dyzetë.
Peshën e shtypjes politike, ekonomike e sociale të okupacionit, djemtë e Beqir Memos, ashtu si mbarë bashkëfshatarët e tjerë, e kishin ndier edhe ata.
Por ata nuk ishin nënshtruar. Azizi, Jazua dhe Qazimi disa herë nuk iu ishin bindur autoriteteve sunduese në Vlorë për rekrutimin e tyre në radhët e ushtrisë turke. Pikërisht për këtë fakt, një ditë zbarkojnë në Vranisht koshallet turke për marrjen e tyre forcërisht. Por Azizi, Jazua dhe Qazimi, jo vetëm që nuk u dorëzuan, por së bashku me babain e tyre, rrëmbyen armët dhe u pozicionuan në masivin shkëmbor, që sot mban emrin e tyre. Koshallet turke bënë rrethimin e kodrës dhe midis palëve filloi përplasja me armë, e cila zgjati disa orë. Në pamundësi për të çarë rrethimin, plaku Beqir Memo dhe të tre djemtë e tij dhanë jetën në krah të njëri-tjetrit. Ky akt i veçantë trimërie bëri, që bashkëfshatarët e tyre t’i përjetësonin duke i dhënë vendit ku ata flijuan jetën e tyre në luftë me okupatorët emrin “Harca e Beqire”. Kjo përligjte thënien: ”bëmë baba të të ngjaj”. Por plakut Beqir nuk i ngjau vetëm njëri nga djemtë, por të tre.
Tradita vranishtjote, për ta bërë edhe këtë akt trimërie pjesë të trashgimnisë folklorike, nuk mungoi:
Në Vranisht, një shpat shkëmbor/Harc’ e Beqire i thonë/Atje ranë me pushkë në dorë/Babai me djemtë fajkojë./Jazua, Azizi, Qazimi/Djemtë e Beqir Memo trimit/ Nga armiqtë s’u trembej syri/Nga armët iu dilte tymi./Këta trima luftëtarë/Mbi harcë e dhanë xhanë/Për t’i thënë fshatit mbarë:/Për pushtues s’vemi ushtarë./Beqir Memua me djemtë/Do të nderohen përjetë/Se qenë heronj të vërtetë/Historia për ta flet(ë).
Nga trungu i kësaj dere banojnë aktualisht në Vranisht, Vlorë, Tiranë e gjetkë disa familje të fisit Veizaj, të cilat me të drejtë mund të krenohen që në historinë e hershme të brezave të origjinës së tyre ka pasur nga ata që i bënë ballë dovletit me gjoks e pushkë, duke pasuruar historinë jo vetëm të Vranishtit, por të mbarë Lumit të Vlorës.
Brezi i ri vranishtjot duhet të njihet me ngjarje të tilla, pasi ato kanë përcjellë mesazhe të qarta për të ngjizur shpirtin e mosnënshtrimit ndaj okuptatorëve dhe vështirësive të kohës.
Harca e Beqire nga largësia e shekujve i bën apel popullit të Vranishtit: përgjakuni, për të mos u përgjunjur para okupatorëve; mos e shisni shpirtin te ata që i mbjanë kthetrat ngrehur ndaj Shqipërisë; mos e përkulni kurrizin për të kalëruar mbi shpinën tuaj zengjinët e pangopur dhe mos e ciflosni lavdinë e fshatit e të Shqipërisë. Për ndryshe, historia do t’iu fshikullojë.
Atje lartë te Harca e Beqire, do ishte shumë domethënëse që të mbilleshin katër qeparizë në nderim të Beqir Memos dhe tre djemve të tij, që nuk kanë varr, por lanë pas një kujtim të ndritur për Vranishtin.
Vranishti ka nxjerrë burra të besës dhe trima patriotë. Mjerëz me peshë që kanë kontribuar për kulturën, historinë dhe patriotizmin duke qënë të spikatur mbi të gjithë trevën e Lumit të Vlorës. Fiset me emër të fshatit si Shakohoxhët, Çinot, Saliajt, Veizajt, Ribajt, Shkurtajt, kanë lënë gjurmët e tyre që në kohë të hershme ashtu edhe sot ku pasardhësit e tyre janë shtrirë në gjithë Shqipërinë dhe nëpër Botë. Një falënderim për autorin e këtij shkrimi si një pinjoll dhe pasardhës i denjë i derës së njërës prej fiseve dhe familjeve më të dëgjuara të zonës. Nga një pasardhëse e heronjve të Harca fhe Beqire
Njerzit Atdhetar, sado shekujt te kalojne nuk harrohen, ndaj ata ngelen shembuull frymezimi per Vranishtin tone, por dhe me gjere, ne duhet ti kemi per model ne qendrimet tona aktuale. Shkrim mbreslenes...
Keshtu eshte ,,,,u perplasen ,Beqiri me Beqirin,,,, Beqiri nga turqia dhe Beqiri nga turqia ballkanike,,,