Higjenë gjuhësore e automatizuar

5 Qershor 2025, 10:36Kulturë Ardian Vehbiu

Po të kuturisesh atje ku ligjërimi përballet me ligjin e xhunglës së rrjeteve dhe të mediave sociale, do të ndeshësh në dukuri dhe specie të reja gjuhësore.

Siç më ndodhi mua, që fillova të ndeshem në tituj si këta më poshtë:

Higjenë gjuhësore e automatizuar

E kam ditur që asteriskun, ose edhe ndonjë simbol tjetër të ngjashëm, e përdorin në tekste gjysmë publike për të maskuar ndonjë fjalë tabu – p.sh. një fjalë të konsideruar të ndyrë ose të papërshtatshme, si k*qe. Ka lexues që nuk duan t’i shohin këto fjalë të shkruara shkoqur, në tekstet me të cilat bien në kontakt.

Forma të tilla mund të quhen edhe eufemizma drejtshkrimorë, sepse mundësojnë anashkalimin sado të pjesshëm të një tabuje; edhe ai që shkruan edhe ai që lexon e njohin fjalën dhe ia dinë kuptimin dhe përdorimin, por preferojnë që ta prekin, si të thuash, me letër.

Por në raste si ky më poshtë:

Higjenë gjuhësore e automatizuar

Fëmijët u hel*uan me salmo*elë, rihapet kopshti në Gramsh, ndalohet shërbimi i drekës

Nuk është fjala për maskim tabush. Fjalë si helmuan dhe salmonelë vështirë se mund të klasifikohen si tabu në ndonjë regjistër të shqipes – i përkasin stilit neutral dhe, të paktën e dyta, regjistrit libror. As mund të përfytyroj kënd që ta gjykojë përdorimin e fjalëve të tilla si të papranueshëm dhe të lëndohet në ndjeshmëritë e veta delikate.

Po ashtu te

Higjenë gjuhësore e automatizuar

Fjala vrasjen është maskuar, edhe pse është fjalë shqipe e rëndomtë, pa ngjyrime stilistike negative.

Te titulli i mëposhtëm

Higjenë gjuhësore e automatizuar

Asterisku gjymton jo vetëm foljen vdiq, por edhe emrin tmerrin.

E kështu me radhë. Përçudnime të tilla i ndesh në tituj e nëntituj, por jo në tekstet e lajmeve, ku të njëjtat fjalë shkruhen normalisht.

Edhe analiza më elementare, nxjerr në dukje që fjalët e gjymtuara, si helmoj, vras, vdes, tmerr madje edhe salmonelë shënjojnë dukuri, sende, karakteristika dhe veprime që kanë diçka “negative” në kuptim – duke iu referuar, për shembull, vdekjes, vrasjes, helmit, frikës së madhe dhe sëmundjes ngjitëse. Këtë tipar negativ nuk e kanë fjalët, por referencat e tyre – meqë kanë të bëjnë me gjëra të papëlqyeshme për shumë prej nesh.

Në raste të tilla shënjimi i fjalës me asterisk vështirë se bëhet për të zbutur impaktin e saj, sepse ndryshe nga fjalë si k*qe dhe shk*rdhej, fjalë si helmoj dhe tmerr nuk janë tabu leksikore.

Prandaj edhe gjykoj se vendimi për t’i shkruar disa fjalë kështu ka të bëjë me jetën që do të bëjë teksti në rrjetet sociale dhe, përgjithësisht, në Internet, në marrëdhënie jo me lexuesit, por me filtrat e përmbajtjes dhe softuerët që kujdesen për të “mbrojtur” lexuesit – veçanërisht shtresat më të ekspozueshme (vulnerabël) të lexuesve – nga negativiteti i botës që na rrethon.

Me fjalë të tjera, ndërhyrja në tekst duke i gjymtuar disa fjalë me asterisk nuk është në vetvete censurim, por thjesht mbrojtje nga censura ende primitive që ushtrohet në disa mjedise virtuale, veçanërisht në mediat sociale; dhe ata që ndërhyjnë e bëjnë sepse duan të shmangin çdo lloj pengese për jo leximin e teksteve, por riprodhimin e tyre dhe bashkëndarjen, ose qarkullimin e tyre pavarësisht nga lexuesi i synuar.

Botuesit e mediave që i përdorin këto “kundërmasa”, nëse mund t’i quaj kështu, nuk duan që titujt e lajmeve të tyre të bllokohen nga botët (bots) që rrëmojnë poshtë e lart në Internet, për të shërbyer si rrjetë midis dukurive negative – helmimit, vrasjes, sëmundjes ngjitëse, drogës, duhanit, tmerrit, seksit e kushedi ç’tjetër – dhe konsumatorit final.

Fjalën vetëvrasje, për shembull, tani e sheh relativisht shpesh të shkruar, në titujt e lajmeve, si vet*vrasje; kjo nuk bëhet për të mbrojtur të miturit ose kushedi kë tjetër nga një fatkeqësi e tillë, por ngaqë fjala, në trajtën vetëvrasje, tashmë është regjistruar në listën e zezë të botëve, që censurojnë përmbajtjen online.

Higjenë gjuhësore e automatizuar

 

Higjenë gjuhësore e automatizuar

Shpresa është – besoj unë – që boti nuk do ta pikasë dot që vet*vrasje është e njëjta fjalë me vetëvrasje dhe do të lejojë qarkullimin e një teksti që, përndryshe, do të bllokohej.

Çështje më e mprehtë, në këtë mes, është se kush i përpilon dhe i sanksionon lista të tilla, sa kohë që atje kanë përfunduar edhe fjalë si salmonelë ose tmerr; a u është lënë kjo në dorë redaktorëve, apo janë përkthyer lista të ngjashme, të marra gati nga gjuhë të tjera?

Nëse mediat me përhapje të pakontrolluar e të pambikëqyrur kanë apo jo të drejtë të flasin lirisht për vrasje, vdekje dhe helmime pa u detyruar t’i gjymtojnë fjalët përkatëse, për këtë kushedi mund të diskutohet (edhe pse për mua kjo do të ishte absurde); gjithsesi, vendimin për këtë duhet ta marrin ata që mbajnë përgjegjësi për tekstet, jo t’ua lënë softuerëve anonimë, që shpesh veprojnë në mënyrën më idiote të mundshme.

Natyrisht, asteriskët nuk i vendosin softuerët, por vetë krijuesit e materialeve (content creators), të cilët me gjasë duhet të mbajnë tani parasysh edhe si do t’u lexohet teksti nga këto krijesa virtuale në thelb të pështira.

Gjithsesi, mbase ka ndonjë shpjegim tjetër për këtë, të cilin e mirëpres; sepse nuk dua që ta shoh shqipen të masakruar me gjithfarë telash e gjembash, për ta mbrojtur ligjërimin nga patrullat infernale të automatëve në tubacionet e Internetit.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Gemini. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje