Humanizmi i Munguar i ‘Luftës Civile’

18 Prill 2024, 17:06Kulturë Bjorn Runa

Humanizmi i Munguar i ‘Luftës Civile’

“Lufta Civile” e regjizorit anglez Aleks Garland (“Ex Machina”, “Men”) do të duhej të kishte çdo avantazh të mundshëm për të nxitur një provokim të thellë shoqëror e politik. Filmi, që në qendër ka punën e korrespondentëve të luftës, vjen në një moment kur bota është e përfshirë nga një sërë konfliktesh. Rëndësia e reporterëve të luftës është edhe më e ndjeshme sot, sidomos në konfliktin më të fundit, atë të Gazës, ku aksesi i gazetarëve të pavarur perëndimorë është thuajse krejtësisht i ndaluar nga autoritetet izraelite. Për më tepër, filmi vjen vjen në prag të zgjedhjeve presidenciale tejet të polarizuara në SHBA, vetëm katër vjet pas Mësymjes ndaj Kapitolit, dhe në një botë ku media dhe gazetarët gjenden në qendër të kritikave.

Në film, presidenti autoritar i luajtur nga Nik Oferman refuzon të tërhiqet pas përfundimit të mandatit të dytë. Kjo duket se është një prej arsyeve se përse i ashtuquajturi Fronti Perëndimor (një aleancë mes Teksasit dhe Kalifornisë), ka nisur një luftë separatiste për t’u shkëputur nga pjesa tjetër e SHBA-ve. Ndërkaq, një grup foto-reporterësh dhe gazetarësh (personazhet kryesorë të filmit) nisen nga Nju Jorku drejt Uashingtonit me shpresën për të intervistuar presidentin, edhe pse paralajmërohen se kjo mund t’iu rrezikojë jetën. Nuk është aq lufta që mund t’i vërë në rrezik, sesa armiqësia e Uashingtonit me median. Siç thuhet në film, Uashingtoni i sheh gazetarët si “luftëtarë armiq.”

Li Smith (Kirsten Dunst) është një foto-reportere legjendare, e cila ka fotografuar një sërë konfliktesh në SHBA dhe luftërash në vende të tjera të botës. Ajo shoqërohet nga një korrespondenti i quajtur Xhoel (Vagner Moura) dhe Semi (Stifen Mekinli Henderson), një gazetar veteran, i cili shkruan për “atë çfarë ka mbetur nga ‘New York Times.’” Grupit i bashkohet një personazh i katërt, Xhesi (Cailee Spaeny), e cila aspiron të bëhet një ditë foto-reportere.

Ndonëse ngjarjet vendosen në mes të një lufte civile në SHBA në një periudhë të papërcaktuar (por që i ngjan frikshëm së tashmes), filmi nuk synon të analizojë shkaqet e polarizimit të shoqërisë amerikane. Përkundrazi, regjizori Garland duket se është përpjekur së tepërmi t’i qëndrojë sa më larg kësaj, shpesh duke rrezikuar edhe vetë domethënien e filmit. Ai zgjedh të bëjë bashkë në një aleancë separatiste Teksasin Republikan dhe Floridan Demokrate, si për t’u distancuar nga çdo lloj anshmërie politike. Synimi i tij, siç edhe është shprehur në disa intervista, ka qenë të sjellë në vëmendje rolin dhe rëndësinë e reporterëve të luftës dhe dilemat etike të profesionit të tyre.

Por, pikërisht këtu qëndron edhe problemi kryesor me “Luftën Civile.” Foto-reporterja Li Smith, e cila mban edhe peshën kryesore të filmit, është një personazh që përballja e vazhdueshme me luftën dhe vuajtejt e të tjerëve e ka dehumanizuar. Ajo është shndërruar në një lloj roboti, që ka si shqetësim kryesor vetëm të shkrepë fotografi dhe të regjistrojë. Siç thotë edhe vetë në një moment gjatë filmit, dilemat etike nuk janë detyrë e reporterit. Reporteri ka për detyrë vetëm të regjistrojë dhe përçojë fakte nga terreni. Duket sikur regjizori Garland kërkon të na paralajmërojë në lidhje me rrezikun e dehumanizimit të gazetarëve që përballen për periudha të gjata me konflikte të dhunshme. Nëse ata të cilët do të duhej të na sillnin historitë njerëzore nga terreni kthehen në individë që funksionojnë në mënyrë automatike, ose në ndjekës të imazheve e titujve sensacionalë, a mund të pretendojmë të arrijmë në një kuptim më të thellë të konflikteve që kanë ngërthyer sot botën? Në një moment gjatë filmit, Li ankohet se gjatë gjithë karrierës ka dashur që imazhet e fotografuara prej saj të shërbenin si një lloj paralajmërimi për vendin e saj, por më kot. Amerika duket se e ka kthyer zemërimin nga vetja. Megjithatë, ashtu siç personazhet në film nuk arrijnë ta ndërgjegjësojnë shoqërinë amerikane kundër dhunës, edhe regjizori  nuk arrin të na bëjnë ta përjetojmë parlajmërimin e tij në lidhje me rrezikun e dehumanizimit të gazetarëve e, për rrjedhojë, edhe të shoqërisë.

Personazhet e tij janë vazhdimisht në ndjekje të imazheve provokuese të dhunës ose të citimit të radhës nga drejtues politikë ose ushtarakë. Historitë që ata mbulojnë e humbasin aspektin njerëzor. Në një botë të paralizuar nga tepria e fakteve, mos ndoshta kemi nevojë për diçka më tepër se sa vetëm “raportimi i paanshëm?” Këtu regjizori Garland nuk e ka një përgjigje të qartë. Dilemat etike i mundojnë edhe më pak personazhet e tij. Madje, Garland duket se i druhet edhe ngritjes seriozisht të kësaj pyetjeje. Ndonëse jo i huaj ndaj provokimeve, këtë herë ai është shndërruar në peng të vetëcensurimit dhe dëshira e tij për të mos mbajtur një qëdrim politik transmetohet edhe tek personazhet kryesorë të filmit.

Nga pikëpamja teknike e kreative, filmi është tejet i arrirë. Shikuesi është thuajse gjatë gjithë kohës në tension dhe njejtë si personazhet, nuk e di se në ç’moment apo nga ku do të vijë rreziku. Megjithatë, i gjithë tensioni dhe vuajtjet nëpër të cilat personazhet kalojnë, në fund nuk shpërblehen as për mirë e as për keq. Rrugëtimi i tyre në dukje i kotë, nuk na ofron as luksin e dëshpërimit, veç zhgënjimit që përjeton çdokush që e nis filmin me njëfarë pritshmërie.

Në këtë aspekt, “Lufta Civile” duket se bëhet pjesë e një vazhde filmash si “Poor Things,” apo “Barbie” dhe më herët vetë filmi “Men” i Aleks Garland, që tentojnë të përfshihen në polemika aktuale, duke u shndërruar ose në leksione moralizuese (“Barbie”, “Poor Things”), ose në pasqyrime të sterilizuara të vetë problemeve që trajtojnë (“Civil War,” “Men”). Për të bërë një analogji me ushqimin, janë versioni i produkteve alternative (vegjetariane) të mishit, të krijuara për ata që duan shijen e mishit (temave polarizuese), por pa ndjesinë e fajit dhe dilemat morale që i shoqërojnë këto tema.

Jetojmë në një botë që, e lodhur nga moria e fakteve, po priret gjithmonë e më tepër ndaj konspiracionit. Ajo çfarë kemi nevojë nuk është vetëm regjistrimi i realitetit dhe ndjekja e lajmit; na duhet që media të ketë mundësi të marrë kohë për të qenë më njerëzore në mënyrën se si i trajton historitë që raporton. Edhe më tepër, kemi nevojë për artistë dhe krijues që nuk druhen të mbajnë një qëndrim, qoftë edhe politik, në veprat e tyre, sa kohë që ky qëndrim është i sinqertë.

1 Komente

  1. T
    Treni

    Review kjo demek? Këto filmat modernë shumica janë kot. Demek plasi lufta por nuk po e shpjegojmë arsyen se kemi frikë se nuk shiten biletat pastaj. E çne ajo gazetarja bionde me aparat fotografik akoma? A nuk do ishte më mirë një kamera e pastaj mund të shkëpusësh imazhet që do? Apo vl thuaj. Nejse film që nuk tha asgjë e as nuk guxoi të thoshte gjë.

    Lini një Përgjigje