Iso e Femijërise, misioni i jetës së Viktor Aliut

12 Shkurt 2026, 12:14Kulturë Nga Feti ZENELI

 
 Iso e Femijërise, misioni i jetës së Viktor Aliut
Ka njerëz që ecin në shumë udhë, por mbajnë në zemër vetëm një dritë. Jeta e Viktor Aliut, e lindur mes gurëve e erërave të Kalivaçit më 1 janar 1962, është dëshmi se njeriu mund të ndryshojë profesione, qytete, përgjegjësi, por nuk ndryshon kurrë thirrjen e shpirtit. Ai ka qenë mësues i historisë dhe gjeografisë, jurist i së drejtës civile, drejtues në administratë e në sektorë të ndryshëm shtetërorë e privatë; megjithatë, mbi të gjitha këto tituj, si një refren që nuk shuhet, qëndron kënga - kënga polifonike labe, që për të nuk është thjesht art, por frymëmarrje.
 
Një jetë me shumë role dhe “Thesaret Labe”
 
“Ku këndohet, aty është jeta”, thotë një fjalë e urtë popullore; dhe në jetën e Viktorit, kënga ka qenë gjithmonë shenja më e gjallë e ekzistencës së tij krijuese. Në Shtëpitë e Kulturës të Selckës e të Kalivaçit, ai nuk ushtroi thjesht një detyrë administrative, por ringjalli një trashëgimi. Me përkushtim e vizion, ngriti dhe bëri konkurrente grupet polifonike të Komarit e Kalivaçit, duke i çuar deri në skenat e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, atje ku zëri i Labërisë bëhet jehonë kombëtare. Në çdo funksion tjetër që mbajti më pas - në arsim, në dogana, si administrator biznesi apo në sektorët juridik - ai mbeti njeriu që e mat kohën me ritmin e iso-s dhe e ndien historinë si varg kënge.
Sepse për Viktorin, kultura nuk është sektor pune, por amanet; kënga nuk është hobi, por identitet. Si solist i vlerësuar me çmime, si krijues i mbi 200 teksteve e poezive, si drejtues artistik i suksesshëm në festivale brenda e jashtë vendit, ai ka dëshmuar se pasioni i vërtetë nuk njeh pushim. Kulmi i kësaj rruge është themelimi i grupit “Thesaret Labe” në vitin 2018 - një emër që tingëllon si program jete - me të cilin ka çuar zërin e Toskërisë deri në diasporën shqiptare në Amerikë, duke dëshmuar se kënga labe nuk është thjesht kujtim i së shkuarës, por frymë që udhëton dhe bashkon. Kështu, nëse do të përkufizohej me një fjali, jeta e Viktor Aliut do të ishte ajo që Niçe e shpreh me fjalët: “Pa muzikë, jeta do të ishte një gabim.” Për të, muzika nuk është stoli e jetës, por është vetë kuptimi i saj. Dhe pikërisht aty, në këtë besnikëri ndaj këngës, qëndron madhështia e tij e heshtur.
Gjatë viteve të shërbimit ushtarak në Sarandë (1982-1983), talenti i tij mori përmasa të reja. Në repartet e Delvinës e Konispolit, ai nuk ishte thjesht ushtar; ishte drejtues artistik, organizator, interpretues i këngës dhe valles labe, duke e kthyer disiplinën e kazermës në hapësirë krijimi. Atje u provua se kënga për të nuk ishte thjesht kujtim fëmijërie, por eksperiencë që e bënte të dallohej, të bashkonte njerëz, të ngrinte moral.
Pas ushtrisë, specializimi në degën e regjizurës ishte një hap i natyrshëm - si të ndiqte një shteg që tashmë ishte hapur brenda shpirtit të tij. Emërimi si përgjegjës në Shtëpinë e Kulturës në Selckë të Madhe nuk ishte thjesht fillim pune, por fillim misioni. Edhe pse kushtet nuk ishin të favorshme, ai e gjallëroi jetën kulturore me energji të pashtershme, ringriti grupin polifonik të Komarit, e pasuroi me elementë të rinj, me repertor të admirueshëm, duke e radhitur ndër më të mirët në rreth e më gjerë. E njëjta frymë e ndoqi edhe në Kalivaç, ku polifonia u bë sërish shtyllë identiteti.
Sepse, në thelb, pasioni i Viktorit nuk lindi nga ambicia për skenë, por nga dashuria për rrënjën; ashtu siç thotë një fjalë e urtë: “Zëri është pasqyra e shpirtit.” Dhe zëri i tij, i formuar mes familjes, shkollës, ushtrisë e skenës, është pasqyrë e një shpirti që e gjeti herët thirrjen e vet - dhe nuk e tradhtoi kurrë.
 
Fëmijëri e ndërtuar mbi iso
 
Po si lindi ky pasion që do ta shoqëronte si një hije drite gjithë jetën? Si u ndez kjo flakë që nuk u shua as në bankat e universitetit, as në zyrat e administratës, as në uniformën e shërbimit ushtarak?
Ai lindi herët - shumë herët - në atë moshë kur fëmija ende nuk di të shpjegojë botën, por di ta ndiejë. Pesë a gjashtë vjeç, një djalë i vogël në Kalivaç, i rrethuar nga tetë vëllezër e motra, mes zërave që mbushnin shtëpinë si dallgë të ngrohta dimri. Ishte më i vogli, dhe ndoshta pikërisht kjo e bëri më të lirë të dëgjonte, të përthithte, të ëndërronte. Në atë shtëpi, kënga nuk ishte zbukurim; ishte mënyrë jetese. Nëna, me zërin e saj që dukej sikur vinte nga thellësia e shekujve, vëllezërit e motrat që e thurnin iso-n me natyrshmëri, dasmat e sebepet familjare ku kënga labe ngrihej si kurorë mbi gëzimin - të gjitha këto u bënë shkolla e parë e shpirtit të tij.
Netët e gjata të dimrit, kur era përplasej në dritare e oxhaku ndizte fytyrat, shndërroheshin në akademi të vogla polifonie. Aty, mes zërave që ndërthureshin si fijet e një qilimi të vjetër, ai mësoi jo vetëm melodinë, por frymën e saj. “Fëmijëria është atdheu i zemrës”, ka thënë Rilke; dhe atdheu i zemrës së Viktorit u ndërtua mbi iso. Kënga ishte trashëgimi gjaku, por edhe zgjedhje shpirti. Ajo i vinte nga të parët, por në të njëjtën kohë e thërriste përpara.
Që në klasën e parë e deri në përfundim të tetëvjeçares, ai ishte pjesë e pandarë e grupeve artistike të shkollës. Zëri i tij karakteristik spikati herët: fillimisht si kthyes, pastaj si marrës - dy role që kërkojnë jo vetëm talent, por ndjeshmëri e përgjegjësi. Nën kujdesin e mësuesve të përkushtuar, si Dëro Dëraj, Mënyr Lamkaj, Skënder Xhaferi, Petrit Zeneli e të tjerë, ai nuk mësoi vetëm të këndonte drejt; mësoi të qëndronte drejt. Sepse arti i vërtetë formon karakterin po aq sa zërin. Ai u është mirënjohës atyre jo vetëm për notat, por për besimin që i dhanë.
 
“Jehona e Vjosës” – një ëndërr që u bë Festival
 
Si lindi, pra, ideja për Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”? A ishte një frymëzim i çastit, apo një farë e mbjellë prej kohësh në tokën e kujtesës?
“Për të qenë i sinqertë, -rrëfen Viktori, -unë them se kisha kohë që e mendoja me veten time për të bërë diçka për zonën, mbasi jam lindur dhe rritur aty; kemi shumë mbresa e kujtime të paharrueshme, por njëkohësisht edhe detyrime ndaj saj.” Në këto fjalë spikat më shumë se një dëshirë artisti; dakllohet zëri i një biri që ndien borxhin ndaj vendlindjes. Sepse vendlindja nuk është vetëm hapësirë gjeografike - është truall kujtimesh, është burim zërash që të thërrasin edhe kur je larg. Siç thotë një fjalë e vjetër urtësie: “Njeriu nuk e zgjedh vendin ku lind, por zgjedh çfarë i kthen atij vendi.”
Ideja e festivalit nuk lindi në një tryezë zyrtare, por në heshtjen e mendimit që bluan shpirtin. Ishte një ëndërr që trokiste prej vitesh, por që mbetej pezull për mungesë vullneti institucional. Kishte tentuar disa herë; kishte paraqitur mendime, sugjerime dhe projekte. Por dyert e mbyllura nuk hapen me këngë, nëse mungon dëshira për ta dëgjuar atë. Ata që drejtonin më parë Bashkinë e Memaliajt nuk e shihnin si prioritet, madje nuk e merrnin me seriozitet, një nismë të tillë. Dhe kështu, ideja mbeti si një melodi e painstrumentalizuar, që priste kohën e vet.
Koha erdhi me ndryshimin e drejtimit. Në krye të Bashkisë u zgjodh një njeri i punës, energjik, vizionar dhe bashkëpunues - Albert Malaj - dhe ai që kishte qenë një vullnet i brendshëm, mori formë konkrete. Sepse vizioni ka nevojë për mbështetje, ashtu si kënga labe ka nevojë për iso. Dhe kur këto dy elemente bashkohen, lind harmonia. “Asgjë e madhe nuk arrihet vetëm”, thotë një shprehje e njohur; “Jehona e Vjosës” është pikërisht fryt i këtij bashkimi vullnetesh.
Por motivi i Viktorit nuk ishte garë, as dëshirë për t’u rreshtuar mes shumë festivalesh të tjera. “Motivi nuk ka qenë thjesht: hajde të bëj një festival edhe unë siç bëjnë të tjerët. Jo, asnjëherë jo, -thekson ai. -Ideja ka qenë e mirëmenduar, e studiuar, e detajuar.” Projekti u hartua me kujdes, me vizion afatgjatë, me synim të qartë estetik dhe kulturor. Dhe puna e bërë me seriozitet u kurorëzua me shpalljen fitues nga Ministria e Kulturës për dy vite radhazi, 2024 dhe 2025 - një dëshmi se kur pasioni bashkohet me profesionalizmin, rezultati nuk vonon.
Emri “Jehona e Vjosës” nuk është zgjedhur rastësisht. Vjosa, lumi i fundit i egër i Evropës, është simbol i qëndrueshmërisë, i rrjedhës së pandalshme, i identitetit që nuk përkulet. Ashtu si lumi që çan shkëmbin me durim, edhe folklori burimor ka mbijetuar shekujsh mes sfidash. Festivali synon të jetë pikërisht kjo jehonë - një thirrje që përhapet nga brigjet e Vjosës në mbarëhapësirën shqiptare, duke rikujtuar se tradita nuk është e shkuara e ngrirë, por rrjedhë e gjallë.
Qëllimi i tij është i qartë dhe fisnik: promovimi, motivimi dhe ruajtja e trashëgimisë shpirtërore të folklorit burimor. Por mbi të gjitha, transmetimi i dashurisë për këngën e traditat te brezi i ri. Sepse, siç ka thënë Mahatma Gandhi, “Një kulturë jeton për aq kohë sa jeton në zemrat e njerëzve.” Nëse ajo nuk mbillet e kultivohet te të rinjtë, ajo zbehet e nuk lulëzon. Fusha e saj është skena dhe spektatorët.
Kësisoj, “Jehona e Vjosës” nuk është vetëm festival; është urë mes brezash. Është hapësirë ku grupet e reja ngjiten në skenë, ku zërat e rinj provojnë performancën e tyre përballë publikut, ku trashëgimia nuk ruhet në arkiv, por këndohet, përjetohet, duartrokitet. Dhe në këtë nismë, shfaqet edhe një herë thelbi i misionit të Viktor Aliut: jo të mbajë këngën për vete, por ta shpërndajë si dritë. Sepse në fund, siç thotë një fjalë e urtë shqiptare, “Ajo që lë pas është ajo që ke dhënë.” Dhe me “Jehonën e Vjosës”, ai ka zgjedhur të japë zë, hapësirë dhe të ardhme trashëgimisë që e rriti.
 
Tradita si investim për të ardhmen
 
Dhe kur pyetja shtrohet natyrshëm -cilat janë projektet për këtë vit? -përgjigjja nuk është thjesht një listë aktivitetesh, por një vazhdimësi e misioni që buron nga lidhja shpirtërore me traditën dhe me vendlindjen.
“Duke pasur parasysh lidhjen shpirtërore që kam me zonën time, veçanërisht në aspektin kulturoro-artistik…” -shprehet Viktori -dhe në këto fjalë ndihet qartë se çdo nismë e tij nuk lind nga rastësia, por nga vazhdimësia. Sepse, siç thotë një fjalë e mençur, “Kush e di nga vjen, di edhe ku shkon.” Këtë vit, një nga projektet më domethënëse me të cilat po merret seriozisht Viktori është përgatitja për emisionin “Gurra Popullore” në Top Channel, ku do të prezantohet treva e Bashkisë Memaliaj me thesarin e saj më të çmuar: folklorin burimor, këngën polifonike, veshjet tradicionale dhe traditat kulinare.
Ky prezantim nuk është thjesht një dalje televizive; është një dritare e hapur ku një trevë e tërë flet me gjuhën e vet autentike. Është një gur që hidhet në ujë, për të krijuar valë kujtese e krenarie. “Kultura është fytyra e një kombi,” thoshte Faik Konica, dhe në këtë pasqyrë që do të shpaloset, Memaliaj do të shfaqet jo vetëm si hapësirë gjeografike, por si identitet shpirtëror.
Paralelisht, në bashkëpunim me Bashkinë Memaliaj dhe me grupin “Thesaret Labe” në Tiranë, po hartohet një plan i strukturuar për nxitjen e brezit të ri - nxënësve të arsimit nëntëvjeçar dhe të mesëm - drejt njohjes, dashurisë dhe ruajtjes së traditave folklorike. Sepse, siç ka thënë Nelson Mandela, “Arsimi është arma më e fuqishme për të ndryshuar botën.” Në këtë rast, arsimi kulturor është ura që lidh të shkuarën me të ardhmen. Synimi është fare I qartë dhe afatgjatë; që kënga polifonike labe të mos mbetet privilegj i brezave të vjetër, por të bëhet frymëzim për të rinjtë; të mos këndohet vetëm nga kujtesa, por nga zemra e gjallë e rinisë.
Në vizionin e Viktorit, kjo nismë nuk është vetëm një projekt edukativ, por një investim shpirtëror. Ai e di mirë se nëse një fëmijë mëson të mbajë iso, ai mëson edhe të dëgjojë tjetrin; nëse mëson të jetë marrës apo kthyes, ai mëson përgjegjësinë dhe harmoninë. Dhe harmonia është themeli i çdo shoqërie të shëndetshme.
Ndërkohë, për “Thesaret Labe”, objektivat e këtij viti janë në rritje - si në cilësinë artistike, ashtu edhe në shtrirjen e aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit. Synimi mbetet i qartë: rritja e performancës, pasurimi i repertorit, përpunimi më i thellë i interpretimit, duke e çuar grupin në një stad edhe më të lartë profesional. Sepse arti i vërtetë nuk kënaqet me arritjet e djeshme; ai kërkon përmirësim të vazhdueshëm. Siç thotë një fjalë e urtë: “Kush ndalet, mbetet pas; kush punon, përparon.”
Ftesa nga Shkolla Shqipe “Iliria” në Londër për festat e Nëntorit është një tjetër dëshmi se zëri i “Thesareve Labe” po kalon kufijtë gjeografikë. Pas përvojës në Amerikë, edhe diaspora në Britani do të ketë mundësinë të dëgjojë nga afër jehonën e Labërisë. Këto udhëtime nuk janë vetëm koncerte rutinë me prapavijë komercialeë; janë rikthime simbolike të këngës në zemrat e shqiptarëve që jetojnë larg atdheut. Sepse, siç thotë një proverbë e vjetër, “Atdheu është aty ku të rreh zemra.” Dhe kur kënga labe ngrihet në skenat e botës, ajo bëhet urë mes zemrave.
Në fund, projektet e këtij viti dëshmojnë se për Viktor Aliun rruga nuk ka mbaruar; ajo sa vjen e zgjerohet. Ai mbetet besnik ndaj një misioni që e ka nisur që në fëmijëri: të ruajë, të promovojë dhe të përçojë trashëgiminë shpirtërore të vendit të tij. Sepse, në thelb, siç ka thënë Aristoteli, “Ne jemi ajo që bëjmë vazhdimisht.” Dhe ajo që ai bën vazhdimisht është t’i japë zë kujtesës, t’i japë skenë traditës, të argëtoj publikun, të gjallëroj jetën komunitare dhe t’i japë të ardhme këngës.
 
Një jetë si këngë polifonike
 
Nëse do ta përmblidhnim në një figurë të vetme gjithë këtë udhëtim, do të thoshim se jeta e Viktor Aliut është si një këngë polifonike: me shumë zëra, me shumë role, me ulje-ngritje, por me një bosht të pandryshueshëm harmonie. Ai ka qenë mësues, jurist, drejtues institucioni, administrator; ka kaluar nëpër sektorë të ndryshëm, ka mbajtur përgjegjësi të larmishme - por në thelb ka mbetur gjithmonë këngëtar i shpirtit të vet dhe i shpirtit të trevës së tij.
Sepse për të, folklori nuk është kujtim nostalgjik, por përgjegjësi e gjallë. Ai e ka kuptuar thellë se tradita nuk ruhet duke e vendosur në rafte, por duke e vënë në skenë; nuk mbijeton duke u përmendur, por duke u kënduar. “Një popull që harron rrënjët, thahet si pema pa ujë,” thotë një fjalë e urtë. Ndërsa Viktori ka zgjedhur të bëhet ujë për rrënjët e kwngws polifonike.
Në çdo projekt të tijin ndihet qartë një vizion: që kënga labe të mos mbetet vetëm jehonë e së shkuarës, por të jetë zë i së ardhmes. Që fëmijët të mësojnë jo vetëm tekstin e këngës, por kuptimin e saj; jo vetëm melodinë, por vlerën e bashkimit që ajo përçon. Sepse polifonia, në thelb, është metaforë e shoqërisë: zëra të ndryshëm që bashkohen për të krijuar harmoni.
Në fund, ajo që mbetet nuk janë titujt, as detyrat e mbajtura, por gjurma e lënë. Dhe gjurma e Viktor Aliut është një gjurmë zëri - një jehonë që nis nga brigjet e Vjosës, përhapet në skenat e festivaleve, kapërcen oqeanin e mbërrin në diasporë, e rikthehet sërish në zemrat e njerëzve si kujtesë dhe krenari.
Siç ka thënë Platoni, “Muzika i jep shpirt universit, krahë mendjes, fluturim imagjinatës dhe jetë gjithçkaje.” Në jetën e tij, muzika - kënga polifonike labe - i ka dhënë jo vetëm kuptim, por mision. Dhe për sa kohë që ai dhe të tjerë si ai do të vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë mision, jehona e këngës sonë nuk do të shuhet.
Ajo do të këndohet. Do të trashëgohet. Do të jetojë.
 
 
Iso e Femijërise, misioni i jetës së Viktor Aliut
 

 

 

 

Lini një Përgjigje