Ja cilat janë premierat e reja në Teatrin e Kukullave...

17 Shkurt 2026, 16:32Kulturë TEMA
Ja cilat janë premierat e reja në Teatrin e Kukullave...

Teatri i Kukullave po vijon sezonin e ri artistik me një kalendar të larmishëm premierash, rikthimesh të dashura për publikun e vogël dhe projekteve të reja në proces krijimi. Një theks i veçantë i është vendosur krijimtarisë vendase. Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kukullave Melsi Qirici thotë se teatri ka shpallur thirrje të hapura për projekte të reja, duke inkurajuar autorë, regjisorë dhe artistë të rinj të paraqesin ide për shfaqje të destinuara për grupmosha të ndryshme.

“Ne kemi filluar sezonin e ri zyrtarisht. Kemi lançuar edhe thirrjet e reja për sezonin deri në fund të qershorit.

Thirrjet i kemi ndryshe këtë vit. Menduam të bëjmë thirrje për shfaqje për fëmijë më të vegjël dhe skenografitë te jenë në dy opsione: për në skenë dhe tur veror. Një pjesë e buxhetit të thirrjeve tona do i alokohet artistëve të rinj. Kjo është një gjë e mirë dhe për ata që duan të eksperimentojnë me shfaqjet me fëmijë. Ne kemi dhënë premiera të jashtëzakonshme.

Vitin e kaluar dhamë 2 premiera që ishin të përmasave të mëdha: Libri i Xhunglës dhe Meri Popins që do e rikthejmë për publikun”, deklaroi Qirici.

Prodhimet më të fundit sjellin skenografi moderne, muzikë origjinale dhe elementë ndërveprues që e bëjnë përvojën teatrale më të afërt dhe më dinamike për fëmijët. Shfaqjet do të vijojnë gjatë fundjavave, me orare të përshtatura edhe për shkolla e kopshte, duke e kthyer teatrin në një qendër të qëndrueshme të edukimit artistik.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje