“Kam zemrën tënde” nuk ishte thjesht një koncert. Ishte një rrëfim i jetës së Rajmonda Kamberit, një përplasje e kujtimeve me të tashmen, një udhëtim nëpër muzikën shqiptare, italiane e greke. Një mbrëmje ku publiku u rikthye pas në kohë, por njëkohësisht ndjeu forcën e të tashmes dhe premtimin se arti i vërtetë nuk vdes kurrë.
Pas një heshtjeje të gjatë, të imponuar dhunshëm nga jeta dhe rrethanat e kohës, Rajmonda Kamberi i është rikthyer publikut me një recital të paharrueshëm, “Kam zemrën tënde”. Ky koncert, i organizuar dhe i kuruar me kujdes nga kantautori i njohur Gjergj Leka, solli jo vetëm nostalgjinë e viteve të arta të muzikës shqiptare, por edhe një dëshmi të gjallë se talentet e vërteta nuk shuhen.
Recitali ishte një udhëtim i pasur muzikor, që nisi me këngët shqiptare të kultivuara dhe homazhet për Tefta Tashko Koçon, përmes dy interpretimesh të saj të paharruara, të sjella me riorkestrimin e Gjergj Lekës. Më pas, repertori lëvizi natyrshëm drejt këngëve origjinale të Kamberit.
Por muzika nuk mbeti vetëm brenda kufijve. Rajmonda solli edhe ndikimet që kishin shënuar rininë e saj në Durrësin e viteve ‘70–’80, kur qyteti bregdetar ishte dritarja nga ku ëndërrohej për botën përtej Adriatikut. Atëherë, të rinjtë e pasionuar ndiqnin fshehurazi televizionet italiane, ku adhuroheshin yjet e kinemasë, festivalet e Sanremos, pëshpëriteshin këngët e famshme italiane, që formësuan edhe shijen muzikore e artistike të Kamberit. Këtë ndikim ajo e bëri të prekshëm në recital, përmes interpretimit të “Quando l’amore diventa poesia”.
Një tjetër moment i veçantë i recitalit ishte përshëndetja e Rajmondës me dy këngë greke, si shenjë dashurie për Greqinë, vendin ku ajo jeton prej vitit 1990. Ky detaj e bëri mbrëmjen edhe më universale, duke lidhur artin e saj me përvojat dhe rrugëtimin jetësor të artistes.
Gjergj Leka, i cili u përkujdes për riorkestrimin e të gjitha këngëve, e krahasoi zërin e Kamberit me atë të madhes Tefta Tashko Koço. Një krahasim i merituar, duke marrë parasysh timbrin e veçantë dhe interpretimin plot ndjenjë të këngëtares, që edhe pas dekadash mbetet i freskët dhe i fuqishëm.
Këngëtarja nuk u mjaftua vetëm me repertorin e huaj. Ajo solli edhe krijimet e veta muzikore, dëshmi e ndjeshmërisë dhe finesës së saj artistike.
Një artiste që nuk u dorëzua kurrë
Historia e Rajmonda Kamberit është e ndërthurur me pengesa të padrejta, por edhe me ngjitje të ndritshme. Që në fëmijëri u dallua si talent, kur me këngën “Valsi i Lumturisë” fitoi duartrokitje të zjarrta dhe u krahasua me Joseliton, gjeniun e vogël spanjoll. Por regjimi i kohës i ndali hovin, duke e lënë jashtë konservatorit për shkak të “biografisë së keqe”.
Megjithatë, zëri i saj nuk mundi të shuhet. Vazhdoi të ndriçojë në estradat e Durrësit, në festivalet e Radios, në Ansamblin Shtetëror dhe në çdo hapësirë ku muzika kishte vend.
Rajmonda Kamberi ka qenë një konkurrente e rregullt e edicioneve të “Festës së Këngës”, aktivitet i organizuar nga vetë Gjergj Leka, që ndër vite ka mbledhur zëra të spikatur të muzikës shqiptare. Edhe në këtë edicion të gjashtë, ajo ishte e pranishme, duke dëshmuar se lidhja e saj me muzikën dhe me publikun është e pathyeshme.
“Kam zemrën tënde” nuk ishte thjesht një koncert. Ishte një rrëfim i jetës së Rajmonda Kamberit, një përplasje e kujtimeve me të tashmen, një udhëtim nëpër muzikën shqiptare, italiane e greke. Një mbrëmje ku publiku u rikthye pas në kohë, por njëkohësisht ndjeu forcën e të tashmes dhe premtimin se arti i vërtetë nuk vdes kurrë.
Rajmonda Kamberi, fëmija që dikur e brohorisnin “Joselito!”, u rikthye për të dhuruar një vals lumturie, një dëshmi e gjallë se zërat e mëdhenj janë të përjetshëm. /liberale/
Lini një Përgjigje