Kinematografia shqiptare në zi, shuhet aktori Birçe Hasko në moshën 84-vjeçare! Luajti në mbi 30 filma

23 Maj 2026, 11:11Kulturë TEMA
Kinematografia shqiptare në zi, shuhet aktori Birçe Hasko në

Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, një prej emrave më të dashur dhe të vlerësuar të skenës dhe ekranit, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Hasko njihej për interpretimet e tij të spikatura, ku solli me mjeshtëri karakterin “popullor” të jugut, duke e bërë atë të paharrueshëm për publikun shqiptar.

Gjatë karrierës së tij interpretoi mbi 12 role në teatër, ndërsa një nga rolet më të realizuara mbetet ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” të Teodor Laços. Në kinematografi debutoi në vitin 1971 me rolin e ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”, ndërsa gjatë jetës artistike luajti në më shumë se 30 filma, duke lënë gjurmë në historinë e kinematografisë shqiptare.

Ai lindi në fshatin Dukat, në rrethin e Vlorës, më 15 mars 1942. Në vitin 1961 përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”. Pas përfundimit të saj, punoi për disa vite si mësues dhe drejtor shkolle në fshatrat Amanikaj, Nivicë të rrethit të Tepelenës dhe Poro të rrethit të Vlorës, deri në vitin 1965.

Më pas ndoqi studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1965-1969). Pas diplomimit, nga viti 1969 e në vijim, ai u angazhua si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve, ku më vonë shërbeu edhe si dekan i Fakultetit të Artit Skenik në periudhën 1989-1994.

Në skenë dhe ekran, Hasko u dallua veçanërisht në role të karakterit komik dhe popullor.

Në teatër interpretoi figura si Milo Tafani në komedinë “Shi në plazh” (1983) nga Teodor Laço, Abaz Kola në “Shtëpia me dy porta” (1984) nga Ruzhdi Pulaha, si dhe Shazo në “Familja e peshkatarit” (1984) nga Sulejman Pitarka.

Ai njihej për një natyrë të veçantë interpretuese, ku elementët komikë dhe “fshatarakë” të karaktereve i kthente në pjesë të stilit të tij artistik, duke krijuar një mënyrë loje origjinale dhe të vështirë për t’u përsëritur. Individualiteti i tij u formësua veçanërisht në kinematografi, ku në role dytësore ndërtonte tipa të gjallë, me origjinalitet plastik dhe shprehje të fortë skenike.

Loja e tij karakterizohej nga humori i çlirët dhe spontan, ndërtimi i karaktereve të gjalla dhe autentike, mimika shprehëse dhe një ndjenjë e fortë ritmi në interpretim. Përdorimi i të folurit konkret, shpesh me elemente të dialektit të Labërisë, dhe mënyra e veçantë e komunikimit skenik i jepnin roleve të tij një identitet të dallueshëm artistik.

Përveç interpretimit, ai ka dhënë një kontribut të gjerë si pedagog, duke përgatitur studentë për aktorë dhe duke vënë në skenë shumë etyde, fragmente dhe 18 vepra dramatike të plota. Më 13 nëntor 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1995 mori titullin universitar “Profesor”, ndërsa më vonë u nderua edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”. A.K./TemA

3 Komente

  1. E
    Emigranti

    Aktor i mbrekullushem, njeri i thjeshte. Brezi i arte i kinemase shqiptare.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Aleko

      Njeri pas tjetrit po largohen nga jeta edhe artistet e medhenj te shqiperise…Birce Hasko i perket ketij plejadi me nje game te gjere kontributesh ne fushen e artit,si aktor humorist i shwuar, ne teater , ne filma dhe ne kontributin e posacem si pedagog ne institutin e arteve ne pregatitjen e nje numuri te madhe aktoresh.Ai ngeli stoik ne bindjet e tij si artist i perkushtuar ne punen e tij ne formimin e gjenarstaveve te artisteve te rinj, ngelet unik ne karakterin e tij duke rrezatuar gjithmon thjeshtesi ,ndershmeri ,drejtesi, jo vec ne detyren e tij por dhe ne jeten e tij personsle e fsmiljare,duke mbsjtur lidhje tr ngushta shpirterore me vendin e tij qe e lindi , Dukatin e tij te dashur…Ngushellimi familjes dhe gjithe miqeve e te afermeve te tij ,dhe te gjitha ata qe bashkepunoi per lartesimin e artit tone shqipetare!!! I

      Përgjigjjuni
      1. J
        Jimny

        Iku edhe Bircja! Nje aktor brilant i roleve te dyta, kripa e cdo filmi ku ka luajtur, nje njeri dhe mesues i shkelqyer! Po humbim nje e nga nje kete brez te mrekullueshem aktoresh e artistesh, qe nuk perseriten me. Sa keq per brezat e rinj, qe nuk do kuptojne se c'ishte arti i vertete! Nje thirrje per Arkivin Qendror Shteteter te Filmit...nxitoni qe te restauroni dhe te ruani ne formen digjitale, te gjitha shfaqjet tetrale dhe filmat e periudhes 1960-1990 (patjeter perfshini dramat "Arturo UI", "Shtepia e Peshkatarit", "Oret e Kremlinit", "Kthimi i Dames Plake", "Perrallat e Ezopit", "Fernando Krafti me ka shkruar nje leter" etj...dhe filmat "Njeriu me top", "Udha e Shkronjave", "Hije qe mbeten pas", "Lulekuqe mbi mure", "Era e ngrohte e thellesive", "Dhe vjen nje dite", "Ne pyjet me bore ka jete", "Ne shtepine tone", "Tomka dhe shoket e tij", "Radiostacioni", "Kapedani" etj etj, dhe shfaqje te estradave te Tiranes, Shkodres, Fierit, Vlores, Korces ...,), kjo ishte dhe do te mbetet epoka e arte e artit skenik shqiptar. Nje thirrje per RTSH qe t'i transmetoje keto vepra papushim. Kur te krijohet teatri i ri, regjizoret duhet ta kene me detyrim te rivendosin nje ose dy drama te tilla ne kalendarin e cdo viti, dhe mundesisht falas. Perndryshe, vlerat njerezore dhe kulturore te shoqerise sone do te zbehen gjithnje e me shume.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje