Nga Eda Zhiti
Ishte një takim ndryshe në Universitetin e Illinois-it, UIC, më i madhi i atij shteti. Në Departamentin e Mjekësisë, Qendra e Shëndetit Global, Kolegji i Mjekëve në fakultet ftonte poetin Visar Zhiti. Për se do të flitej, për poezinë, do të lexoheshin? Do të tregonte jetën e tij në diktaturë, burgun, traumën kolektive, lirinë më pas, mërgimin, do ta pyesnin për të gjitha këto?
KLINIKA E POEZISË
Kështu shkruhej në ftesën anglisht. Të jetë idiomë metaforike? – do të shpotiste Visari dhe duke buzëqeshur do të shtonte: E frikshme dhe e bukur. Pastaj ishin vendosur fotografitë e atij që do të drejtonte takimin dhe e të ftuarit, poshtë tyre shënimet përkatëse: Damiano Rondelli është shkencëtar italian, mjek, profesor dhe drejtor i Divizionit të Hematologjisë/Onkologjisë në UIC. Dr. Rondelli së fundmi ka botuar një përmbledhje me poezi në italisht me titull “È ora che tutto É” (“Është tani që gjithçka Është”). Visar Zhiti është poet shqiptar, i burgosur për poezinë e tij në vitin 1979 dhe i dënuar me 10 vjet heqje lirie nga regjimi komunist shqiptar (1944–1991). Pas lirimit, ai punoi si gazetar dhe u emërua drejtor i shtëpisë botuese që fillimisht e kishte denoncuar te regjimi dhe e kishte çuar në arrestimin e tij. Më pas u punësua në shërbimet administrative të Parlamentit të ri shqiptar dhe në vitin 1996 u zgjodh deputet dhe u bë Ministër i Kulturës. Në vitin 1997 kaloi në diplomaci, u emërua në Ambasadën e Shqipërisë në Itali dhe më pas Ambasador i Shqipërisë në Vatikan (Romë). Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë dhe ai është fitues i çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare letrare. Zhiti banon në Çikago me bashkëshorten e tij dhe vazhdon me pasion të shkruajë dhe të botojë veprat e tij.
Më poshtë ishin dhe këto vargje të Visarit:
Të gjithë të mos kthehen në asnjë shtëpi mbrëmjeve...
Të mos kesh copën tënde të mbrëmjes,
dhomën tënde të mos kesh, as rrugën, as kthimin.
Tmerrësisht njëlloj të jenë ditët,
5 herë rresht e premte,
gjithmonë e martë ters, asnjëherë e dielë.
Të mos kesh më shqetësime të vogla
punë lotësh apo krijimesh,
duke qënë shqetësimi më i madh në botë:
i I burgosur!
Në fund vendi ku do të zhvillohej veprimtaria: UIC - Universiteti i Illinois, Rruga 1940 W. Taylor, Salla e Konferencave 230, ora 12.00, do të kishte dhe drekë...
FUQIA E SHPIRTIT PËRBALLE MIZORIVE TË JETËS.
Takimi
Nuk kishte thjeshtë lexues dhe as student siç isha mësuar në veprimtaritë që kisha ndjekur me Visarin. Në tryezat e gjata dhe të shumta ishin ulur përballë njëri-tjetrit kërkues shkencorë, pedagogë, mosha të reja, por dhe të vjetër, etj, por të dhënë dhe pas letërsisë, patjetër, ja, ai profesori ukrainas në anë, ka botuar tre romane, na treguan. Në tryezë kishte libra. Takimin e hapi Profesori amerikan, Stevan M. Weine, psikiatër, studiues i njohur ndërkombëtarisht për veprat e tij psikologjike, dhunën, gjenocidin dhe pasojat mendore të luftës. Mes botimeve të tij është dhe libri studimor, i rëndësishëm, për Allen Ginsberg, ku e trajton jo thjesht si poet, por si rast paradigmatik në marrëdhëniet mes krijimtarisë, traumës dhe etikës së dëshmisë. Ia tregova Visarit. Kjo do të jetë dhe optika e takimit me mua? – më tha shqip. “Klinika e Poezisë” – buzëqeshi prapë.
Pas fjalës së mirëseardhjes, Profesor Weine citoi moton e poetit amerikan, ndërkohë dhe mjek, William Carlos Williams “no ideas, but in things” i cili besonte se poezia duhej të lindte nga objektet konkrete dhe përvojat jetësore. Kjo, mendoj, se shpjegon qasjen e tij tek mjeksia dhe poezia, përfundoi profesori duke ia lënë radhën profesorit tjetër, Dr. Damianos, të niste bisedën me të ftuarin. Le t’i dëgjojmë.
Sipas programit, Dr. Rondelli rrëfeu si fillim për librin e tij me poezi, i botuar në Itali me parathënie të Visarit. Jeta përmes poezisë është boshti i librit, tha ai, por dhe i bisedës tonë. Jeta përmes poezisë ka lentet e lirisë dhe kur kjo e fundit nuk është një opsion, si dikur në rastin e Visarit, ku fuqia e shpirtit arrin të përballojë mizorinë.
Ai krijoi një paralele interesante. Si pikënisje mori vitin 1979, kur ai, fare i ri, kishte shkruar poezinë e parë. Po me Visarin ç’ndodhte në këtë vit në vendin e tij? Visarin, pa u bërë 27 vjeçar, e burgosin për një libër me poezi të pabotuar ende. Pra liria ishte bijë e burgut, tha Profesor Damiano dhe nisi të lexonte pjesë nga akt-ekspertiza për poezinë e Visarit, e botuar si pasthënie në librin “The condemned apple”, i ribotuar këtë vit në SHBA, mbas 20 vjetësh nga botimi i parë në Los Angeles, nga shtëpia botuese “Green Integer”, me përkthim të albanalogut Robert Elsie. Poezia dhe akuza. Pse ti do një diell të dytë? A e kemi një, Partinë? Dhe ti diellin e dytë e do në formën e zemrës, armik!
Krijohet heshtje.
DIALOG SI NË DRAMË
Shpesh po i ngjante ankthit dhe absurdit, si të ishin dialogë të Joneskut, dëgjonin me shumë vëmendje, ata dinin të zbulonin ku fillonte e vërteta dhe ku mbaronte ajo, teksa futej dhuna dhe frika. Unë nisa të mbaj shënime, që të jem sa më e saktë.
PROFESOR DAMIANO: Koha në hetuesi... Di për Visarin, unë kam lexuar dhe në italisht jo vetëm poezi të tij por dhe njërin nga librat e burgut, “Rrugët e Ferrit”, 9 muaj qëndroi i mbyllur në qeli, ndonjëra ishte aq e ngushtë, sa arrije të prekje muret anësore të saj me shpatullat, si të zgjonin natën, i shtrirë mbi dysheme duke të vënë majën e çizmes mbi krye dhe të merrnin në pyetje… Si unë tani?
VISARI: Koha atje nuk ishte kohë, mund të them se ishte antikohë. Me pyetjet atëherë ata atje po bënin të ardhmen time, të tashme s’kishte, kurse me pyetjet tani po zbulojmë të shkuarën, kudo ku mund të ketë qenë ajo, të mos harrojmë dhe këtu.
PROFESOR DAMIANO: Në qeli s’lejohej as letër e as penë? Si munde të krijosh poezi, që tashmë janë dhe në librat e tu?
VISARI: Me mend i krijova dhe jo pak.
PROFESOR DAMIANO: Po nuk i bëre dot 100 dhe kjo ishte keqardhja juaj.
VISARI: Po. S’po kishte më rëndësi për mua as arrestimi dhe as uria, por poezitë... isha çmendur mrekullisht.
Dhe u lexuan dy poezi, të krijuara me mend: “Ardhja e Pegasit në qelinë time” dhe “Te hekurat e frengjisë”. Duartrokitje, por dhe pezm. Ndoshta ishte imi dhe i Visarit, por jo, jo, ata kuptojnë shumë më tepër se ç’dëgjojnë.
PROFESOR DAMIANO: Dhe pastaj të çuan në burgun-kamp, me të burgosur të tjerë, ku punonit në minierë si skllevër. Ç’ndodhi me poezinë atje?
VISARI: Atje njerëzit m’u dukën pothuajse njëlloj, të veshur me rrobat e pista të burgut, të zbehtë dhe të dobët. Fantazma, si dhe unë. A do t’i njihja dot? M’u afrua njëri. Kishim qenë bashkë studentë, s’e dija që kishte rënë në burg, s’i kishte më ato flokët me onde e të mëdha. Më tha: “Mirë se ardhe”. U trondita. Si mund t’i thuhet tjetrit mirë se erdhe në Burg. E dija që ky ishte vendi yt, më tha. Ai do të bëhej mecenati im dhe i poezive të mia. Ai më habiti kur më tha aq thjeshtë, sikur po më jepte një cigare: Ti mund të vritesh në minierë, se je i ri dhe nuk ia di punës, por poezitë e tua duhet të shpëtojnë. Ia kisha mërmëritur disa. Do t’i mësojmë ne përmendësh, këtu njoh shokë trima e besnikë, fletoren do ta fshehim ne, as ti s’do ta dish ku do jetë.
Shoku im çam, H. B., më ndihmoi t’i shkruaja poezitë se në burg lejohej shumë se dy faqe, letra dorëzohej e hapur, por mund të bëje gjithë ditën denoncime shtetit. Ne shfrytëzonim këtë mundësi. Poezia denoncim i së keqes ishte, por po e denonconim te vetja, mbase në të ardhmen, po të kishim fat, do të ishte dëshmi.
Lexohen dy poezi të burgut, ajo që ishte e shkruar mbi ftesë “I burgosur” dhe “Ikonat e arrestura”.
PROFESOR DAMIANO: Dhe ti dole nga burgu, po poezitë?
VISARI: Unë isha bërë ndërkaq “kontrabandist poezie”, arrita t’i nxjerr fshehurazi, gati të gjitha, nga burgu gjatë takimeve me familjen, me nënën, vëllezërit, e kam treguar në libër, ata i futën nën tokë për t’i ruajtur në kopshtin e shtëpisë së motrës. Ne në burg i fusnim në kashtën e dyshekut, brenda në opinga, në thasë pis, etj. Kur u lirova, takova njerëzit e mi dhe poezitë e mia, binin erë dhé, djerse të frikës, ishin britma të mbytyra, ishin copa lirie. Kur shkruaja në burg, shpikja lirinë time, nuk ka rëndësi se ku je.
PROFESOR DAMIANO: Këtu janë të gjitha... Dhe... erdhe në Itali si gazetar, pastaj si diplomat... Vazhdove të shkruash... edhe romane.
VISARI: Po. Tregova të vërtetat e mia, që ishin dhe të atdheut. Kurse poezia më dukej sikur ishte ajo që më shkruante mua. Dhe e zbulova pse kisha shkruar në burg, që të krijoja emocionin e gjallë dhe të bukur të njeriut.
PROFESOR DAMIANO: Po shkruaje poezi dashurie?
VISARI: Kurrë nuk shkruajta më “poezi burgu”. Por poezia, kudo që të shkruhet, poezi dashurie është.
Në librin anglisht të Visarit ishin shënuar poezitë që mund të lexoheshin: “Coloseu”, “Të takosh Romeo dhe Zhuljetën në Verona”, “Ketrat në Uashington”, “Bibla në dhomën e hotelit”.
POEZIA SI TERAPI
Pyetje
Salla e Konferencave ose Klinika e Poezisë kaloi në pyetje nga të pranishmit. Sërish nisi me Profesor Stevan M. Weine. Në Bashkimin Sovjetik, tha ai, shpesh artistët opozitarë futeshin në çmendinë, edhe për t’i shpëtuar. Gjatë diktaturës në Shqipëri sistemi i trajtonte si të çmendur kundërshtarët e vet? Ndodhi kjo në Shqipëri?
Visari u përgjigj: Ndoshta, por rrallë, duhej të kishe mik të fortë lart, në udhëheqje, zakonisht në raste të tilla braktiseshe nga miqtë. Por realiteti ishte ky, vetë Shqipëria ishte një çmendinë e madhe dhe më të çmendurit e të çmendurve, detyrimisht do t’i mbyllje në një vend akoma më të rëndë, në burgje ose në varr. Po flas për Shqipërinë politike, vazhdoi Visari, por ne kemi një atdhe të mrekullueshëm, të lashtë, të përjetshëm, një popull me virtyte, të cilat ia çmon dhe bota.
Pyetje të tjera: A i njihje në burg, a kishe lexuar Allen Ginsberg, Anna Ahmatova, Osip Mandelshtam, Yevtushenco? Visari u përgjigj: I kisha dëgjuar. Në burg kishte intelektualë që kishin studiuar para luftës në Perëndim, në Europë e deri në SHBA dhe pas luftës në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera socialiste. Ata na tregonin. Ndërkaq mes poetëve që kam dashur gjithë jetën ishin Sergei Esenin, Walt Whitman. Për të parin kërkuan ta thoshte edhe një herë emrin, kurse me të dytin qeshën me historinë që tregoi Visari. Të dy poetët, pasi u përkthyen, u ndaluan nga regjimi dhe Visari shpjegoi shkurt rrethanat. Në libraritë e provincës, ku unë jetoja, librin e Whitmanit e shpëtoi titulli, “Fije bari”, e dinin libër bujqësor dhe e vunë në vitrinë pranë botimeve “Si të rrisim grurin”, “Misri”, “Derri”, më tej ishin librat që tregonin se si të rritej njeriu i ri, komunistët, etj. Ndërsa me Jevtushenkon, përfundoi Visari, jemi pranuam anëtarë të Pen Club-it Italian në të njëjtën ditë. Ai u gëzua shumë kur i tregova se isha dënuar dhe për poezitë e tij. Pra paskësh qenë i rrezikshëm.
Si ishte liria? Po Italia për ty? Ishin bashkë, tha, kur e di ç’janë, të mungojnë. Liria për mua deri atëherë ishte si dritaret e autoburgut, falso, dukeshin nga jashtë, por nga brenda s’kishte dritare. Hapa dritare brenda vetes, u mbusha me gjak drite.
A kanë kërkuar falje? Një këngëtar italian, tha Visari, kur mori vesh që një këngëtar shqiptar ishte dënuar pse kishte kënduar këngë të tij. Shoqata e Juristëve Europianë ftoi Visarin në Romë dhe i kërkuan falje pse kolegët e tyre në Shqipëri kishin dënuar një njeri për poezitë e veta.
Pyetja e fundit: Keni patur shqetësime të shkaktuara nga trauma e burgut? PTSD? Ime shoqe mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, tha Visari. Pastaj u tregua se netëve zgjohej nga të thirrurat e forta, e qetësonte bashkëshortja dhe më pas ai e qetësonte atë. Me kalimin e viteve të bërtiturat u zbehën. Tani më pëlqen të bërtas ditën, thaha Visari, ka plot arsye.
Ka gjithmonë një formë rikthimi, e butë, që e sheh nga larg dhe nga lart veten, kohën dhe të tjerët. Trauma e një njeriu është dhe e të gjithëve. E shkuara është dhe në të ardhmen.
Profesori Stevan M. Weine e mbylli takimin: “Dëgjuam dëshminë morale të një poeti. POEZIA DHE DASHURIA E KANË SHËRUAR”.
Sa bukur më kumbuan këto fjalë. Janë për të gjithë, besoj, edhe për Shqipërinë.
Jam kurioz të dija se si është formuluar aktakuza e dënimit të poetit Visar Zhysti. Ajo mbi të cilën gjykata e ka dënuar. Se më duket çudi që të dënohet njeriu me burg vetëm për poezi.
Ta them une. Visar Zhiti e jo Zhysti, eshte denuar pikerisht per poezi, dhe sado te mos ju besohet juve, kete nuk e luan topi, por kjo s'ka te beje me kriteret e vleresimit te poezise se tij. Sepse ruajme te tille kritere vleresimesh,arti yne po shkon poshte e me poshte.
Vasari nuk eshte poet I keq, por humbet pike me mungesen e theksuar te modestise. Cfardo qe te shkruaj Visari, Havzi Neles nuk ia merr dot, perderisa kriter I vlerave poetike te ngelet fati personal e autorit. Mbase e meson kete gje te thjeshte, andej nga jep leksione per poezine.