"Koha të tregojë të vërtetën time..."/ Michael Douglas vjen me libër kujtimesh në Tetor

12 Shkurt 2026, 16:59Kulturë TEMA
"Koha të tregojë të vërtetën time..."/

Legjenda e Hollivudit dhe fituesi i çmimit Oscar, Michael Douglas, ka njoftuar zyrtarisht se do të publikojë një libër me kujtime këtë vjeshtë. Aktori 81-vjeçar premton një rrëfim “të papërpunuar dhe gjithëpërfshirës”, i cili do të hedhë dritë mbi jetën e tij private dhe profesionale, larg shkëlqimit të rremë të famës.

Shtëpia botuese “Grand Central Publishing” konfirmoi se libri, i cili ende nuk ka një titull zyrtar, do të dalë në treg më 6 tetor.

Në një deklaratë për mediat, Douglas theksoi se ky libër është përpjekja e tij për të rimarrë kontrollin mbi narrativën e jetës së tij.

“Pasi më është kërkuar për shumë vite, më në fund kam vendosur që është koha ta tregoj historinë time sipas kushteve të mia. Jo versionin e formuar nga titujt kryesorë apo shifrat e biletarisë, por atë të vërtetin. Fama mund ta turbullojë të vërtetën; kjo është përpjekja ime për ta sjellë atë përsëri në fokus,” u shpreh aktori.

Nga hija e babait te lufta me kancerin

Libri, i shkruar në bashkëpunim me Michael Fleming, pritet të prekë tema të ndjeshme. Sipas njoftimit, kujtimet do të gjurmojnë rrugëtimin e tij për të dalë nga hija e babait të tij legjendar, Kirk Douglas, dhe për të krijuar identitetin e vet. Gjithashtu, Douglas do të flasë hapur për “demonët dhe zhgënjimet”, luftën e tij fitimtare me kancerin e fazës së katërt, si dhe martesën 25-vjeçare me aktoren Catherine Zeta-Jones, një lidhje që fillimisht u prit me skepticizëm për shkak të diferencës në moshë, por që sot është një nga më të fortat në Hollivud.

Michael Douglas numëron një karrierë të jashtëzakonshme me filma kult si “Wall Street”, “Basic Instinct” dhe “Fatal Attraction”. Ai është gjithashtu producenti i filmit historik “One Flew Over the Cuckoo’s Nest”. Përveç dy çmimeve Oscar, ai mban titullin Lajmëtar i Paqes nga OKB që prej vitit 1998. A.K./TemA

Lini një Përgjigje