“Kongresi i Drejtshkrimit nuk krijoi ndonjë gjuhë të re letrare”

11 Nëntor 2022, 15:00Kulturë TEMA

 

“Kongresi i Drejtshkrimit nuk krijoi ndonjë gjuhë të re

 

Nga Mimoza Kelmendi

Intervistë me gjuhëtarin, akademikun dhe pedagogun, Prof. Anastas Dodi, një ndër organizatorët e Kongresit të Drejtshkrmit të gjuhës shqipe në vitin 1972.
Biseda është zhvilluar para 20 vjetësh për multimedian gjermane Deutsche Welle.

 

Cili është për ju, zoti Dodi, roli i Kongresit të Drejtshkrimit për Gjuhën Letrare Shqipe?

Anastas Dodi: Kongresi i Drejtshkrimit nuk krijoi ndonjë gjuhë të re letrare, siç thuhet gabimisht ndonjëherë. Ai miratoi ato arritje që ishin shënuar objektivisht gjatë një periudhe të gjatë të zhvillimit të gjuhës së shkruar, sidomos që nga gjysma e dytë e shekullit XIX. Gjuha letrare është rezultat i një zhvillimi të gjatë historik, për të cilin kanë punuar breza të tërë - se ajo mbështetet gjerësisht në gjuhën e popullit, duke thithur prej saj çdo gjë të vlefshme. Ajo nuk mund të jetë një përzierje pa kritere elementësh heterogjenë, siç thoshin disa. Në të njëjtën kohë, Kongresi ndihmoi për ta çuar përpara njësimin në ato hallka ku ende kishte lëkundje dhe nuk ishte arritur plotësisht njësimi.
Duke dalë në disa raste jashtë detyrave të mirëfillta të një drejtshkrimi, Kongresi diskutoi dhe vendosi edhe për disa probleme gramatikore që lidheshin sidomos me njësimin e treguesve morfologjikë dhe fjalëformues. Kështu, Kongresi zgjidhi detyrën e kodifikimit të plotë të normave të gjuhës letrare dhe të njësimit të tyre të mëtejshëm në gjithë nënsistemet e gjuhës.

Por, cilët faktorë ndikuan në zgjidhjen e bazës dialektore të një gjuhe letrare standarde dhe cilët faktorë qenë vendimtarë për zgjidhjen e bazës për gjuhën letrare shqipe?

Anastas Dodi: Boshti kryesor i çdo gjuhe letrare është nocioni i normës, domethenë, gjuha letrare është e normësuar. Ajo zhvillohet dhe ndryshon së bashku me zhvillimin e gjuhës. Prandaj, gjuha letrare nuk mund të jetë kurrsesi rezultat i ndonjë akti zyrtar, ose i vullnetit të ndonjë personaliteti politik, siç thuhet nganjëherë, ose personaliteti letrar, ose shkencor, sado i rëndësishëm që të jetë ai. Këtë gjuhë nuk mund ta krijojë ndonjë gjuhëtar i vetëm, as shkrimtar i shquar, ose personalitet politik. Të gjithë këta mund të vënë nga një gur në themelet e kësaj gjuhe, por pesha e tyre mund të jetë më e madhe ose më e vogël, sipas peshës që ka vetë shkrimtari ose studiuesi. Gjuha letrare, si e tillë, formohet me kontributin e disa brezave të njerëzve të kulturuar, duke u mbështetur në pasurinë e gjuhës së popullit. Një rol të rëndësishëm për këtë e luan gjuha e letërsisë artistike.

Pas shpalljes së pluralizmit politik u tha se toskërishtja u bë bazë e shqipes letrare, sepse shumica e udhëheqësve të Shqipërisë së pasluftës qenë nga jugu...

Anastas Dodi: Nuk ishte kjo arsyeja pse Gjuha Letrare Shqipe u mbështet mbi dialektin e jugut. Ishte gjithë zhvillimi i gjuhës letrare, deri në atë kohë, që e përcaktonte këtë, jo pse shumica e udhëheqësve ishin toskë, por sepse toskërishtja letrare ishte përpunuar më shumë sesa gegërishtja.

Megjithatë, dihet se kjo ngjarje themeluese për Gjuhën Letrare Shqipe u mbajt në një kohë kur në Shqipëri sundonte një regjim dirigjues politik. Por, në çfarë forme është pasqyruar ndikimi i politikës zyrtare të asaj kohe në politikën gjuhësore?

Anastas Dodi: Edhe regjimi monist ishte i interesuar për standardizimin e gjuhës letrare, sepse ajo shënonte një arritje, një sukses edhe të atij regjimi. Kjo e përcakton, domethënë, edhe atë që pse ai regjim e përkrahu formimin e një gjuhe letrare të vetme. Unë mendoj se ndikime të drejtpërdrejta për këtë nuk ka pasur. Aty u ndoq pak a shumë ajo që e parashikonte profesor Eqrem Çabej, u mbështet ai variant që kishte shkuar më përpara që nga shekulli XIX e këtej.

Pse në Kongres nuk u tha që baza e Gjuhës Letrare Shqipe, që po fiksohej aty, është dialekti toskë?

Anastas Dodi: Sigurisht, ajo mund thuhej. Më kujtohet që kjo punë u bisedua - dhe ne i bëmë vërejtje atij referatit të Andokri Kostallarit, edhe i thamë se duhet të thuhet që dialekti bazë është toskërishtja, që vihet në bazën e gjuhës letrare. Por, u tha se kjo mbase mund të bëjë më shumë dëm sesa të sjellë ndonjë dobi.

A u vu dialekti toskë në këtë kongres dhe në konferencat e mëparshme gjuhësore në bazë të gjuhës letrare shqipe?

Anastas Dodi: Jo, për dialektin toskë ishte folur që nga shekulli XIX që duhet të vihet në bazën e gjuhës letrare, si dialekt më i standartizuar më i rregulluar dhe më i njësuar.

Por, çfarë bëri që të hiqej dorë nga përdorimi i gegërishtes së standardizuar nga komunikimi zyrtar?

Anastas Dodi: Gegërishte të standardizuar nuk ka pasur. Edhe në kohën e Ahmet Zogut përdorej një gegërishte zyrtare, por që ishte mjaft e kufizuar në elemente. Gegërishtja, për fat të keq, nuk ka qenë e standardizuar.

A kanë rol gjuhëtarët nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi në konkluzionet gjuhësore për Gjuhën Letrare Shqipe?

Anastas Dodi: Roli i tyre është vendimtar. Në qoftë se kosovarët nuk do të ishin bashkuar me Shqipërinë për formimin e një gjuhe letrare, kjo gjuhë letrare nuk do të ishte formuar. Kjo ka qenë biseda që kemi bërë me profesor Idriz Ajetin, i cili ra dakord plotësisht që në bazën e gjuhës letrare të vihet njëri dialekt, duke u pasuruar me dialektin tjetër. A ka të meta në krijimin e kësaj? Sigurisht që ka, sepse rruga e thithjes së elementëve të dialektit të veriut në gjuhën letrare mund të ishte më e madhe. Në qoftë se do të rishikohet problemi i Gjuhës Letrare Shqipe - ky problem do të rishikohet, në radhë të parë, në këtë që t'i jepet vend më shumë dialektit të veriut, sidomos sa i përket leksikut. Gjuha Letrare Shqipe do të duhej të ishte treguar më e gjerë, më tolerante për leksikun e veriut. Edhe kjo jam i sigurt se do të bëhet në një rishikim që mendohet t'i bëhet problemit të gjuhës letrare.

Çfarë mbetet e vlefshme ende nga konkluzionet e Kongresit të Drejtshkrimit?

Anastas Dodi: Konkluzionet e Kongresit të Drejtshkrimit janë gjuhësore, nuk janë konkluzione politike. Aty ka mjaft gjëra që mund të ndreqen, në radhë të parë, është afrimi më i madh me gegërishten. Ky afrim mund të bëhet qoftë në drejtshkrim, në pakësimin e atyre "ë"-ve të shumta që ka toskërishtja. Ne ngulëm këmbë që në Kongresin e Drejtshkrimit që të bëjmë një hap më tej në afrimin me gegërishten, duke pakësuar 'ë"-të në pozicione të ndryshme. Mirëpo, nuk fitoi kjo tezë në atë kohë, për shkak të këmbënguljes së Kostallarit, i cili ishte për një toskërishte më të qartë. Por, tash jam i bindur se kjo ka ecur përpara.

*Prof. Anastas Dodi (Vlorë, 20 korrik 1933 - Filadelfia, 8 maj 2008) ka qenë pedagog, akademik dhe gjuhëtar shqiptar. Përfaqësues i shquar i kulturës dhe shkencës shqiptare. Gjuhëtar dhe filolog i njohur ndërkombëtarisht. Themelues dhe zhvillues i studimeve shkencore të fonetikës dhe fonologjisë së gjuhës shqipe. Punoi përkrah më të mëdhenjve të studimeve të gjuhësisë shqiptare, si prof. Eqrem Çabej, prof. Shaban Demiraj, etj. Anastas Dodi është nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit më 1972.

7 Komente

  1. s
    shkenctari

    Na rrufsh karin o kelysh serb,tani po reflekton ti o legen materniteti,me sa duket ti do qe ps cdo fjale te jete prapashtesa ic e iq

    1. S
      Sara

      Flm Mimoza qe ne lumin e te paditurve qe flasin e bertasin si kompetente per kete lende, na solle nje ze te urte e te mencur..

      1. A
        Adi

        Titulli teresisht ndryshe nga brendia e artikullit.

        1. S
          Shmil Pollogasi

          Kongresi i drejtshkrimit pat qenë produkt dogmatikësh dhe u interpretua dhe zbatua nga sipërdogmatikët. E vërtetë që gjuha e projektuar si standarde nuk pati sanksionin e ndëshkimit, por normën e përdorimit. Lexoni me kujdes, në mënyrë studiuese dhe kritike, KURRËn e KURRËs nuk u studiua ( por u gjymtua me të madhe, gatise në përmasa masakrimi, RENDITJE, ose NDËRTIMI i fjalive sipas modeleve të gjuhëve të huaja, thesari i shqipes (shto tkurrjen e nuancave kohore të së kaluarës, flakjen e habitores dhe dëshirores etj) nuk e rregullon një doracak normash drejtshkrimore MORFOLOGJIKE. Është cështja e shterpësise intuitive të atyre autoriteteve shkencore gjuhësore fusha tektonike e shpërfytyrimit shkencor në shkencat gjuhësore.

          1. p
            pinoku

            Kongresi i drejtshkrimit ishte një arritje e paparë në standartizimin e gjuhës shqipe. Në atë kongres mori pjesë ajka e gjuhëtarëve shqiptarë nga të gjitha trevat e vendit. Një arritje madhështore. As paskajorja, as habitorja dhe as dëshirorja nuk u flakën, por zunë vendin e tyre të merituar në morfologjinë gjuhës shqipe. Pêr me shumë ky standart drejtshkrimor u mbështet në vatrën e krijimit të gjuhës shqipe. Aty ku ishin bashkuar gegërishtja me toskërishten. Nê Elbasanin e Kristoforidhit dhe Aleksandër Xhuvanit, të Mahir Domit, Petër Elezit etj etj. Në vendlindjen e Shkollës së parê për mësues në vend, Shkollës Normale, me drejtor të parë kosovarin Adem Gashi. Sulmet kundër standartit janë sulme kundër njehsimit të kombit shqiptar. Në favor të ndarjes në toskë e gegë. Lavdi atyre profetëve që e mundësuan suksesin e atij Kongresi të pavdekshëm. Gjuha shqipe e standartizuar është një nga fitoret më të mëdha tê kombit shqiptar.

            1. B
              Bostoniani

              Bravo pinoku ke bere nje analize te shkelqyer. U bej thirrje te gjitheve ta lexojne komentin tend qe tu hapen sytë e mos flasin perçart. Bravo dhe nje herë.

              1. B
                Bregdeti

                Intervidte plotesisht sqaruese. Nga nje person kopetent, me argumenta, ku pranohen dhe te meta.

                Lini një Përgjigje

                Blog Tema