Kori i artistëve me aftësi të kufizuara në shikim sjell emocion në skenën e Teatrit "Bylis"

24 Maj 2026, 17:33Kulturë TEMA
Kori i artistëve me aftësi të kufizuara në shikim sjell

Një koncert sa i veçantë aq edhe prekës u ngjit në skenën e Teatrit “Bylis” në Fier, ku kori “Joy of Singing”, i përbërë nga artistë me aftësi të kufizuar në shikim, dhuroi emocione të rralla për publikun fierak.

“Ishte shumë bukur dhe është hera ime e parë që vij në Fier të interpretojmë dhe ishte kënaqësi shumë e madhe për mikpritjen, për interesin, për reagimin”, u shpreh një prej anëtarëve të korit.

“Shumë mirë, skena shumë e ngrohtë. Është ajo shprehja e bukur që muzika i bashkon të gjithë në një, ne jemi të gjithë njësoj dhe nuk bën asnjë lloj diferencimi”, tha një pjesëmarrëse.

Nën drejtimin e dirigjentes së mirënjohur shqiptare Suzana Turku, koncerti “Invisible Harmony” solli një program artistik elegant dhe emocional, ku muzika klasike, këngët qytetare shqiptare dhe interpretimet korale u ndërthurën në një harmoni të jashtëzakonshme.

Në koncert interpretuan solistët Diego Zelka (tenor) dhe Anjeza Marku (soprano), si edhe pianistja Blerina Shalari, ndërsa kori “Joy of Singing” solli pjesë të repertorit shqiptar dhe ndërkombëtar nën dirigjimin e Suzana Turkut.

“Kori “Joy of Singing” është një kor i cili ishte i përbërë nga persona vështirësi në shikim por që në shpirtin e tyre është dëshira e madhe për të bërë muzikë për të kënduar për të qenë si gjithë të tjerët dhe në këtë kor nuk ka absolutisht asnjë lloj dallimi”, u shpreh dirigjentja Suzana Turku.

Publiku e mirëpriti koncertin me duartrokitje të zjarrta, duke vlerësuar jo vetëm nivelin artistik të interpretimit, por edhe forcën frymëzuese të artistëve që arrijnë të shohin dhe përcjellin botën përmes artit dhe muzikës. A.K./TemA

Lini një Përgjigje