Sa herë që restaurohet një film i prodhuar para viteve 1990-të, shohim të nisë nga e para debati nëse duhet ruajut ose jo trashëgimia e ish Kinostudios. Nëse këta filma duhet të vazhdojnë të shfaqen dhe nëse ankthet e kahershme se ata mund të indoktrinojnë të rinjtë sot duhen marrë seriozisht edhe kur kanë kaluar disa dekada nga rënia e regjimit gjatë të cilit këta filma u prodhuan.
Kjo ishte një nga temat e diskutuara në episodin e fundit të Apostrof Podcast me kritikun dhe themeluesin e klubit të filmit “Cult Cine Closet,” Erion Bashi.
Ai ka realizuar së fundi një seri videosh ku riviziton disa prej filmave klasikë shqiptarë, duke iu qasur atyre si objekte kulturore komplekse që meritojnë analiza serioze dhe objektive, dhe jo vetëm si relike të paprekshme të diktaturës. Biseda nis nga filmi “Vitet e Pritjes”, një nga filmat më të rëndësishëm të fundit të periudhës komuniste, për të kaluar më pas tek raporti mes artit dhe ideologjisë, nostalgjia, propaganda moderne komerciale dhe kriza e kulturës së kinemasë sot në Shqipëri.
Pikërisht kjo përplasje mes vlerës artistike dhe ngarkesës ideologjike vazhdon ta mbajë të hapur debatin rreth kinemasë shqiptare të asaj periudhe, ku njëra palë në i sheh ata vetëm si instrumente të propagandës së kohës, të pandarë nga sistemi totalitar që i financoi dhe i prodhoi Pala tjetër i sheh si pjesë të trashëgimisë së kujtesës artistike dhe kulturore të vendit dhe si diçka tepër komplekse për t’u parë vetëm si mjete në dobi të politikës.
Por ndoshta ajo që e bën debatin interesant është pikërisht fakti se të dy palët kanë pjesërisht të drejtë.
Nuk ka kuptim të shtiremi sikur kinemaja e prodhuar gjatë diktaturës ka qenë politikisht neutrale, pasi nuk ka qenë e tillë. Shumë filma kanë patur ndoshta edhe haptas qëllime ideologjike për krijimin e miteve rreth bindjes apo legjitimitetit moral të regjimit. Megjithatë, ajo që e bën artin të veçantë është se, edhe kur gjendet nën censurë, ia del shpesh të kapërcejë qëllimet e sistemit që përpiqet ta kontrollojë atë.
Ndoshta kjo është arsyeja pse disa prej këtyre filmave vazhdojnë të mbijetojnë emocionalisht edhe sot. Sepse nën shtresën ideologjike, ato vazhdojnë të përmbajnë melankoli, tension social, vetmi, zhgënjim, pritje apo dëshirë për largim, gjëra që mbeten thellësisht njerëzore dhe që arrijnë t’i mbijetojnë kohës dhe sistemit politik që i prodhoi.
Biseda prek edhe një aspekt tjetër interesant: idenë se propaganda nuk është zhdukur nga kinemaja moderne, por thjesht ka ndryshuar formë. Sipas Bashit, shumë filma modernë shqiptarë janë sot të mbushur me reklama të drejtpërdrejta, sponsorë dhe vendosje produkti mjaft agresive, deri në pikën ku kamera ndalet hapur mbi logo kompanish kafeje, telekomunikacioni apo taksish. Në njëfarë mënyre, filmi vazhdon të mbetet i manipuluar nga interesa të jashtme; dikur politike, sot komerciale.
Në episod diskutohet gjithashtu për krizën e kulturës së kinemasë sot, humbjen e eksperiencës kolektive të shikimit të filmave, vështirësinë e publikut të ri për t’u përqendruar tek filma më të ngadaltë dhe rolin që hapësira të vogla si Cult Cine Closet po përpiqen të luajnë për të rikthyer një raport më intim dhe më të vetëdijshëm me kinemanë.