Muzeu Arkeologjik pranë Kalasë së Lezhës, ekspozohen gjetje arkeologjike ndër vite nga qyteti

14 Shtator 2025, 18:24Kulturë TEMA
Muzeu Arkeologjik pranë Kalasë së Lezhës, ekspozohen gjetje

Rreth dy mijë objekte arkeologjike, të zbuluara ndër vite në territorin e Lezhës, do të dalin nga bodrumi i Bibliotekës dhe do të ekspozohen në një muze arkeologjik, i cili ka nisur të ndërtohet në afërsi të kalasë së qytetit.

Investimi po realizohet me financim të Bashkimit Evropian dhe do të jetë një ndërthurje mes historisë, identitetit dhe potencialit turistik të Lezhës, duke sjellë në vëmendje rrënjët e lashta të këtij qyteti 2400-vjeçar.

Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, sipas të cilit ekspozimi i objekteve arkeologjike në këtë muze do të shërbejë për tërheqjen e më shumë vizitorëve.

Lezha ka shumë objekte, të cilat e tregojnë atë ashtu siç ka qenë në lashtësi. Na duhet një muze që t’u tregojë gjithë turistëve, por edhe brenda vendit se kush realisht është Lezha,” deklaroi kryebashkiaku Ndreu.

Punimet për ndërtimin e Muzeut Arkeologjik të Lezhës janë parashikuar të përfundojnë brenda kater muajve dhe aty do të ekspozohen artefakte prej qeramike, guri, mermeri, hekuri dhe bronzi, të cilët përfaqësojnë një periudhë kohore që nis nga epoka e bronzit, vijon në atë të hekurit dhe arrin deri në mesjetën e vonë.

Puna për konservimin e tyre ka nisur prej muajsh, ndërsa këto gjetje konsiderohen me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore për trashëgiminë e qytetit dhe të gjithë rajonit.  - RTSH-

Lini një Përgjigje