Në zemër të Shkodrës ndodhet “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, i pari muze në vendin tonë, që ruan kujtimet e periudhës së përndjekjes komuniste.
Dikur ndërtesë e Sigurimit të Shtetit, sot është kthyer në hapësirë muzeale, ku vizitorët mund të shohin qelitë origjinale të paraburgimit, dhomën e torturave dhe një koleksion të çmuar me objekte e dokumente të kohës.
“Jemi mjaft të kënaqur si staf i këtij muzeu që sezoni turistik 2025 ishte i suksesshëm dhe i frytshëm, me frekuentimin e vizitorëve, të cilët vinin nga vende të ndryshme të botës”, u shpreh specialisti i muzeut, Xherardo Nikjari.
Vizitorët e këtij muzeu vijnë si individualisht, ashtu edhe në grupe. Një pjesë e tyre janë të huaj që shprehin interes për të kuptuar nga afër historinë e periudhës së errët në Shqipëri.
“Vijnë grupe nga Polonia, nga vende të tjera të Evropës Qendrore, por edhe ajo Perëndimore”, tha ai.
E veçantë është edhe historia e një çifti nga Holanda, të cilët u rikthyen në Shkodër pas më shumë se 40 vitesh.
“Vizita e tyre të parë në një vend të ish-bllokut të Lindjes ishte në Shqipëri dhe ishin shtangur nga niveli i varfërisë në atë kohë. Rikthimin në Shkodër e kishin parë me një optimizëm mjaft të madh”, u shpreh Nikjari.
Ky muze mbetet një nga destinacionet më të veçanta të qytetit dhe një vend i domosdoshëm për këdo që dëshiron të njohë historinë e dhimbshme, por edhe forcën e qëndresës së shqiptarëve në diktaturë. - RTSH-
Lini një Përgjigje