Falë përkushtimit të tij, mësuesi i historisë në Pustec, Spase Tërpo, ka ngritur një muze etnografik.
Veshjet e vjetra, veglat e punës e gjithçka tjetër që ruhej si trashëgimi familjare, ai i ka ekspozuar në banesën e tij, duke ngritur këtë minimuze, të parin në llojin e tij në Pustec.
“Vitet e fundit ka pasur shumë vizitorë në zonën tonë, duke kaluar nëpër rrugicat e fshatit edhe këtu afër shtëpisë sime. Më lindi si ide dhe, ndjesë pastë, gjyshi im ishte gjallë atëherë. Më tha që këta turistë duhet t’i presë dikush, se fshati sa po vjen e po braktiset. Pjesa kryesore e muzeut është pjesa etnografike, që paraqet jetën në zonën tonë në shekullin XIX dhe fillimin e shekullit XX, pjesën e komunizmit. Në pjesën hyrëse të muzeut janë paraqitur disa fotografi, monedha të vjetra, instrumentet muzikore të përdorura nëpër dasma në zonën tonë,” tregon z. Tërpo.
Interesi për t’u njohur me këtë muze, ku veç të tjerash ekspozohen edhe enë gatimi, sëndukët e vjetër ku mbahej paja e nuseve apo edhe materiale të kohës së komunizmit, është më i madh nga vizitorë të huaj, që dëshirojnë të dinë më tepër për traditën, kulturën dhe historinë e vendit tonë.
“Janë turistë që vijnë më tepër nga Holanda, Belgjika dhe Anglia. Kanë interes të madh për t’u njohur me gjërat e vjetra, se si kemi jetuar ne,” thotë mësuesi.
Spase Tërpo vjen si shembulli i një njeriu që e do vendin dhe dëshiron ta promovojë atë qoftë dhe me këtë mënyrë të thjeshtë, pasi Prespa ka potencial të madh turistik, historik e kulturor.
/RTSH/
Lini një Përgjigje