Për këtë fundjavë për të gjithë ndjekësit e gazetës TemA, gazetari Namir Lapardhaja ka përzgjedhur librin e autorit Simon Vrusho me titull “Hebrenjtë e Beratit – një vështrim nëpër gjurmë”.
Lapardhaja shprehet se libri “Hebrenjtë e Beratit” është më shumë sesa një botim historic, sepse është një akt kujtese dhe një dëshmi morale për një qytet që, në një nga periudhat më të errëta të shekullit XX, zgjodhi njerëzoren përballë barbarisë.
Boshti ku përqëndrohet libri është periudha 1942–1945, kur në Berat u strehuan qindra hebrenj të ardhur nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Europës Qendrore. Në një kohë kur makineria naziste po shfaroste sistematikisht hebrenjtë, Berati, një qytet i vogël, periferik në hartën e Luftës së Dytë Botërore, u kthye në simbol të mbrojtjes së jetës.
Autori sjell raste konkrete, emra familjesh shqiptare, episode strehimi dhe solidariteti, duke e zhvendosur rrëfimin nga abstraksioni historik në përvojën njerëzore.