Reportazh/ Një vizitë në Romë

1 Shkurt 2026, 16:30Kulturë Adri Kalaja

Reportazh/ Një vizitë në Romë

Një prej ndjenjave më të mira që mund të provojë dikush është udhëtimi, më saktë lehtësimi pasi avioni ka mbërritur në destinacion. Pasi i ke dhënë një duartrokitje pilotit, edhe atëherë kur ai nuk e meriton, mund të bëhesh gati dhe të shohësh shqiptarët (por jo vetëm) që zihen kush e kush do të dalë i pari nga dera e avionit, kush do ja dalë mbi tjetrin, kush do të fitojë, një përballje mitike kjo për sytë e të gjithë të qytetëruarve.

Aeroporti i Romës, Ciampino, ishte modest, i thjeshtë, i padekoruar, madje edhe pa kafene rreth e rrotull, me vetëm ca makineta dhe dy roje, përveç ekraneve të shumtë që tregojnë orën. Ndryshe nga disa aeroportë të tjerë, ai ishte vetëm me një kat dhe për çdokënd që ka qenë këtu e di që nuk është për klasat e larta shoqërore por për ato që fluturojnë në klas ekonomik dhe nuk akomodohen po në klas të parë.

Përpara se të mbërrija në Romë, polici shqiptar që kontrollon pasaportat (gjej rast ta përshëndes) më kishte pyetur për profesionin, dhe, kur i thashë gazetar, ngulmoi me të qeshur se nuk ka asnjë gazetar për be që shkruan për policinë dhe kur ju përgjigja se lajme kronike ka boll, më tha se e kishte fjalën për kushtet e uniformën që e kishte blerë vetë. U justifikova se jam gazetar kulture. Nuk e di si është e vërteta por di që, sipas biblës, çdo sekret del një ditë në dritë, nuk ka fshehta.

Gjëra të tilla nuk ndodhin në dhe të huaj por unë nuk kisha ardhur aty për t’u socializuar por për të vizituar trashëgiminë e mahnitshme historike, arkitekturore dhe arkeologjike që ofron një prej qyteteve më të lashtë të njerëzimit, Roma.

Më bëri përshtypje megjithatë dallimi me Parisin nga aspekti i pastërtisë dhe mirësjelljes. Duket se romanët e marrin për të mirëqenë se do kenë gjithmonë turistë (klientë potencialë) dhe nuk investojnë në infrastrukturë. Nuk ka një autobus që të çon nga aeroporti në qendër të qytetit, ose, ku di unë, nuk ka nga ky aéroport, duhet të marrësh urban dhe pastaj të hypësh në metro. Peizazhi rrugës është i bukur por i ngjashëm me Shqipërinë, me shtëpi njëkatëshe, por me më shumë jeshilllëk.

Ka vetëm dy linja metroje dhe në shumë prej kioskave përtojnë të thyejnë lekët, po pate 10 euro nuk mund të blesh biletë metroje, ndërsa te Koloseu mund të blesh biletë vetëm me kartë, ose ta kesh porositur më parë, po me kartë.

Në Romë ka shumë muze dhe pjesa më e bukur sigurisht janë rrënojat e Foro Romano, por edhe rruga për në Vatikan. Lërmëni të tregoj një anekdotë. Ditën e dytë u nisa shumë herët në mëngjes nga hosteli, nuk më pritej dhe pasi vajta në disa Landmark, si përshembull kisha Maria Magore, statuja e Viktor Emanuelit, Fontana Di Trevi, Piaca Adriana e të tjera, kalova lumin Tiber, më bëri përshtypje të madhe gjerësia e tij dhe madhështia e urave, gjithashtu dhe madhështia e Gjykatës së lartë romane.

Në anën tjetër ishte një restorant simpatik, porosita ca makarona carbonara dhe një shishe ujë (nuk lejohet alkoli kur udhëton vetëm). Pronari ishte nga Peruxhia dhe nga mirësjellja më pyeti për Shqipërinë, dhe unë po nga mirësjellja, i rrëfeva të vërtetën, një vend islamik me mentalitet tradicional, i varfër, peng i së shkuarës, peng i vetes, mbretit Zog e komunizmit. I rrëfeva për shëmtinë shqiptare të shtëpiave njëkatëshe, të Shkodrës me 14 xhamia, të Tiranës me pluhur e zhurmë.

Do tiramisu? – më pyeti. Vetëm kafe. – iu përgjigja. Unë vërtet po përpiqesha të ruaja linjat por pavarësisht refuzimit, miku im kamerier kishte marrë një gëzim disi të tmerrshëm. Ai sapo ishte siguruar që kishte më keq se në Itali.

Hyrja për në Vatikan, rrugëve nga i rashë unë (doja të humbja në një prej qyteteve të mëdha europiane), kalonte nepër një parking dhe kur i sfilitur nga rruga ndala të pyes një kalimtar.

-Edhe ti po kërkon? – e pyeta pa vrarë mendjen për implikimet.

- E kam gjetur. – tha. Pastaj qeshi. Isha aq i lodhur sa nuk kisha fuqi të qeshja bashkë me të.

Vetëm më vonë përballë pamjes së sheshit qendror të Vatikanit dhe të një Prifti të ri dhe një rojeje zezak që shtrëngonin duart e bënin muhabet miqësisht mu kthye humori. Piva një kafe, bëra ca foto, dhe hapa librin tim (Krim dhe ndëshkim, nga Dostojevski, me përkthim të Agron Tufës). Jo se nuk e kisha lexuar më parë por më kishte marrë malli për pak intrigë. Peripecitë e Raskolnikovit mu dukën të miat. Sa të vogla i kanë gotat e ujit në Itali xhanëm! Si të bëra për turistët kinezë që vitet e fundit po mësyjnë Europën.

Një gjë tjetër që më bëri përshtypje në Romë ishte dhe mungesa e bukinistëve por dhe librarive. Feltrinelli me po ato tituj kitch, me po ato kopertina që i gjen dhe te adrioni, me po atë aromë spitali, call me old fashioned por libraria duhet të mbajë aromë rakie dhe druri të vjetër, mundësisht të ngrënë nga mola, duhet të mbajë aromë kafeje të derdhur, duhani të dredhur dhe të netëve pagjumë. Duhet të mbajë aromë libri. Dhe librat duhet ta mbushin përplot, edhe gazeta e filma po deshët. Një librari që i rreshton librat si patatet nuk ka asnjë lidhje me bibliofilinë.

Megjithatë, bukinistë ka dhe në Romë, por shumë pak, kryesisht janë të përzier me lotosport dhe filxhanë me stema futbolli. Për ato që e duan librin, Roma nuk është qyteti i duhur përfundimisht, edhe nga ana e kinemave nuk është më mirë, pavarësisht Pallatit madhështor të Operas në Termini. Ose, ndoshta Italia ka 1000 vjet që nuk nxjerr më poetë e shkrimtarë. Ndoshta jam zgjuar në anën e keqe të krevatit unë. Mund të duhet një udhëtim i dytë. Deri atëherë, pres me pasaportë në xhep në një aeroport që është larg atij të Rinasit të hapet porta (si porta e ligjit te Kafka) për tu kthyer në Shqipërinë time me halle që gjithsesi më duket si më e ngrohtë. Kam frikë vetëm zotin dhe ato që përdorin shprehjen “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”.