Në vitin 2026 do të organizohet "Java shqiptare" për diasporën...

11 Nëntor 2025, 14:23Kulturë TEMA
Në vitin 2026 do të organizohet "Java shqiptare" për

Në shtetet ku ka diasporë të shumtë dhe të spikatur do të organizohet “Java Shqiptare” për të gjithë ato që ndiejnë mall të thekur për atdheun dhe tokën shqiptare, por dhe për familjet.

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti deklaroi sot në prezantimin e projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2026” për Agjencinë për Diasporën në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën se “duke patur parasysh implementimin gjatë vitit 2025 me sukses të disa aktiviteteve në diasporë, Agjencia Kombëtare e Diasporës ka planifikuar ta zgjerojë këtë aktivitet në një numër më të madh vendesh në të cilët ka diasporë të shumtë dhe të spikatur”.

“Në mbrojtje të traditës dhe identitetit kombëtar të komuniteteve kombëtare është planifikuar një program i gjerë, i cili do të jetë i shtrirë në një hapësirë kohore rreth 1 javë në çdo shtet”, tha ajo.

“Aktivitetet dhe takimet që synohet të zhvillohen janë konceptuar si “Java Shqiptare” dhe do të fokusohen në targetgrupet e identifikuara si dhe në rrjetëzimin e profesionistëve dhe konsiston në takime me përfaqësues të personaliteteve të njohura nga bota akademike, politike, biznesit dhe më gjerë, si dhe vizita në qendrat kulturore dhe shkollat shqiptare në komunitetet shqiptare”, tha Premti.

Ndërkohë, shtoi ajo, “aktivitete të tjera të bashkërenduara me MEPJ-në dhe institucione të tjera, do të jenë shkolla verore “Jam shqiptar”, e cila planifikohet të jetë një projekt i përvitshëm duke pritur çdo vit nxënës të komunitetit shqiptar nga një shtet i ndryshëm i botës”.

Ajo theksoi se, aktivitet tjetër i planifikuar në vitin 2026 është Samiti i Katërt i Diasporës, i cili do të realizohet në kujdesin e veçantë të Kryeministrit, të MEPJ-së, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës dhe institucione të tjera.

Zv.ministrja u shpreh se, buxheti i akorduar për Agjencinë për vitin 2026 përgjithësisht është në përputhje me kërkesat e paraqitura nga institucioni gjatë fazave të hartimit të programit të buxhetit afatmesëm 2026-2028.

“Fondi për paga dhe sigurime shoqërore i akorduar për vitin 2026 është në vlerën 28 milionë lekë, nga të cilat 24 milionë lekë për paga dhe 4 milionë për sigurime shoqërore”, tha ajo.

Premti u shpreh se, aktualisht Agjencia ka një strukturë me 11 persona.

Për shpenzimet korrente, tha Premti, “është parashikuar nga projektbuxheti i vitit 2026 një fond prej 50 milionë lekë, ndërkohë që për shpenzimet kapitale janë akorduar 8 milionë lekë”.

“Ky fond është parashikuar duke marrë në konsideratë rritjen e aktiviteteve për përmbushjen e misioneve të Agjencisë në koherencë me prioritetet strategjike që rrjedhin nga programi i qeverisë dhe Strategjia Kombëtare e Diasporës”, tha ajo. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje