Në data 23 deri me 25 Prill do të zhvillohet Panairi i III Mbarëkombëtar i Botimeve Akademike dhe Shkencore në Akademinë e Shkencave.
Ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm i promovimit të botimeve të këtij lloji dhe autorëve të tyre. Ky panair organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit QKLL.
Komiteti organizativ i ngritur për këtë qëllim ka aprovuar programin e veprimtarive që do të bëjë bashkë 35 institucione të kërkimit shkencor nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut në Ambientet e Brendshme dhe të jashtme të Akademisë së Shkencave.
Ky panair, i kthyer tashmë në traditë (i pari në Tiranë në vitin 2022 dhe i dyti në Prishtinë në vitin 2023), provoi se libri akademik dhe shkencor kërkon qasje të tilla gjithëpërfshirëse, ku akademikët, studiuesit, autorët, botuesit, institucionet kërkimore, IAL-të, të jenë së bashku, në shërbim të promovimit të këtyre botimeve dhe lehtësimit të rrugës së librit akademik dhe shkencor drejt lexuesit.
Për këtë arsye, panairi synon një ridimensionim të rolit të shkencës në një shoqëri të hapur, një prani përfaqësuese sa më të gjerë, duke bërë bashkë autorët, botimet, institucionet e kërkimit dhe IAL-të, që në fokus të punës së tyre kanë librin akademik e shkencor. Si një aktivitet me karakter promovues, konfirmues dhe manifestues, Panairi i 3-të i librit akademik dhe shkencor, Tiranë 2024, do të mundësojë pranëvendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga e gjithë hapësira shqiptare, duke synuar lidhjen në një rrjet të botuesve të librit shkencor, në universitete e institute, për të lehtësuar jo vetëm marrjen e informacionit, por edhe mundësinë e shkëmbimeve shkencore, në liri të plotë komunikimi e ndërveprimi.
Tri ditët e panairit, përpos ekspozimit të librit në stenda të dedikuara, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së botimeve më të reja të institucioneve të lidhura drejtpërdrejt me kërkimin shkencor, të kërkuesve; studiuesve, trupave pedagogjikë, botuesve, panairi do të shërbejë si një hapësirë dhe mundësi diskutimi mbi tema të rëndësishme të dijeve shqiptare, kërkimit shkencor dhe të drejtës së autorit. A.K./TemA
Lini një Përgjigje