Një ngjarje unike dhe emocionuese po përgatitet të ndezë skenën artistike në Prishtinë më 2 gusht.
Për herë të parë, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të ngjitet në skenë së bashku me tenorin me famë ndërkombëtare Ramë Lahaj në mbrëmjen gala të edicionit të pestë të festivalit ndërkombëtar “Ramë Lahaj & Friends”.
Përveç tenorit Lahaj, në këtë mbrëmje do të interpretojnë edhe sopranoja e famshme Nino Machaidze dhe basisti Dario Russo, duke sjellë një repertor të pasur dhe të larmishëm, ndërsa do të vijë nën drejtimin e dirigjentit Italian Roberto Rizzi Brignoli, i njohur për interpretimet e tij emocionuese.
Programi i koncertit përfshin disa nga ariet më të dashura të repertorit klasik botëror, pjesë ikonike të operës që kanë magjepsur breza të tërë artdashësish.
“Jam vërtet shumë e emocionuar dhe e lumtur që jam këtu, për të performuar për herë të parë me këtë orkestër të mrekullueshme, me një maestro të jashtëzakonshëm dhe kolegë fantastikë. Kemi përzgjedhur një program shumë të bukur dhe të larmishëm, me arie dhe duete të ndryshme nga njëra-tjetra – disa të gëzuara, disa më melankolike – secila me emocionin dhe ngjyrën e vet. Do të jem në skenë me një tjetër tenor, Ramë Lahaj. Është hera jonë e parë që performojmë së bashku, ashtu si edhe me Dario Russo. Kjo do të jetë hera e parë që këndojmë të tre së bashku, dhe jam shumë e entuziazmuar. Mendoj se do të jetë një mbrëmje e mrekullueshme,” u shpreh sopranoja Machaidze.
“Ky koncert do të jetë një festë e vërtetë një moment i mrekullueshëm gëzimi dhe përvoje të përbashkët kulturore, i mbushur me emocione dhe ndjesi. Kjo është ajo që shpresojmë t’i përcjellim publikut. Sepse për ne është shumë emocionuese të jemi, për herë të parë, duke kënduar në Prishtinë dhe të bëhemi pjesë e këtij projekti të mrekullueshëm nga Lahaj. Kam zgjedhur disa arie që janë të lehta dhe të këndshme. Vetëm një prej tyre është nga trubaduri dhe është mjaft e trishtë, sepse flet për një fëmijë që dhunohet dhe vritet. E kam zgjedhur pikërisht për të dhënë një mesazh: që të mbrojmë të gjithë fëmijët në botë,” tha basisti Russo.
Ky edicion i festivalit mbart një mesazh të fuqishëm bashkimi: “Ëndrra pa kufij, Opera pa mure”.
Mbrëmja gala “Ramë Lahaj & Friends” do të zhvillohet në Sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës, shkruan rtsh.
SHESHI NUK E KA EMRIN ALBINDENOVIC !!!!???????