PARATHËNIA e Dionis Priftit për librin "Planeti leshtor": Vëzhgimi i mprehtë, arma e fortë e Enird Malile

4 Tetor 2025, 18:14Kulturë TEMA
PARATHËNIA e Dionis Priftit për librin "Planeti leshtor":

Autorët, përgjithësisht, e ndërtojnë veprën rreth çasteve kyçe të jetës. Preferohet epika, ndërsa e përditshmja shpesh cilësohet si dytësore. Por gjatë këtyre çasteve kyçe harrohen pritjet, hapësirat midis veprimeve, sekondat në ashensor, minutat para ardhjes së festës, javët që përsëriten mërzitshëm. Me të drejtë, të gjitha këto çaste boshe meritojnë vëmendjen e shkrimtarit — ashtu si në rastin e tregimeve të këtij vëllimi.

Autori përpiqet të kuptojë ç’ndodh në mendjen e dikujt gjatë atyre sekondave të pritjes. Ai nuk synon medoemos të shpjegojë, por vetëm të vështrojë nga larg. Vëzhgimi i mprehtë është arma e tij më e fortë.
Në dukje, tregimet e tij janë për Asgjënë. Pikërisht këtu qëndron veçantia dhe vlera e tyre. Autori nuk përpiqet të nxjerrë me dhunë një mesazh nga kjo Asgjë; përkundrazi, ai nuk bie në këtë grackë, por e kremton me vetëdije shijimin e saj. Janë këto çaste të vogla, rreth të cilave sillen tregimet e tij.
Asgjëja kremtohet te “Gjërat e thjeshta”, te “Në kryqëzim”, te “Asgjë”. Ajo merr një shije të hidhur te “Solidariteti”, te “Refuzimi”, ose në monotoninë e përditshmërisë te “E njëjta gjë”. Ndërsa te Planeti leshtor duket sikur diçka po na humbet nga duart, sikur kemi harruar të mendojmë.

Çfarë sjell pranëvendosja e banales me mendimet e holla filozofike të sublimes? Dhe pse ia vlen të humbasim kohë me këto mendime, kur e dimë mirë se banalja do të vijojë pa mëshirë të përsëritet mërzitshëm?
Personazhet këtu kanë veset e tyre: ruletë, lotari, bilardo. Megjithatë, ata trajtohen me dashuri, pa u gjykuar aspak. Kërkimi i tyre i pashpresë mund të lexohet si forcë për të ëndërruar, për të mos hequr dorë deri në fund. Është e bukur mënyra se si “fiksimet” e tyre paraqiten me zemërgjerësi, ashtu si edhe përpjekjet e tyre për kënaqësi të shumëfishta.

Njëkohësisht, autori nuk harron të argëtojë lexuesin; por në këtë argëtim fshihet diçka e trishtë, një nuancë midis eksitimit dhe zhgënjimit.
Duke guxuar ta thjeshtojmë shumë çështjen: ndoshta një tregim i mirë mjafton të ketë vetëm tre elementë — një ide (vetëm një), lakonizëm (tej për tej) dhe një fund befasues (që të lë të mendosh gjatë). Të gjithë këta elementë janë përdorur me mjeshtëri në këtë vëllim.

Edhe kur autori i jepet joshjes për të krijuar një tregim ndryshe — qoftë me tematika më “serioze” apo me një stil më të vetëpërmbajtur, si te “Fundi”, “9.1.2004” (Një ditë më pas) apo “Hirësi”— tensioni dhe ritmi mbeten të njëjtë.
Te “Në Linjë”, tema aktuale e inteligjencës artificiale shfaqet natyrshëm, duke çuar në një fund asgjësues. Edhe këtu, zhvillimet teknologjike nuk shpjegohen gjatë: jeta vazhdon po njëlloj edhe pas çasteve të para të habisë kolektive.
Ndërsa te “Komentuesi”, kritikat ndaj jetës së mbyllur sociale përzihen me legjitimitetin e gjetjes së kënaqësisë në një virtualitet bosh.

Copëzat e këtij libri janë lidhjet e humbura, njoftimet e marsit 2008 që i anashkalojmë në celular. Shkrimtari rrëmon në to me dashuri dhe, me përkujdesje, gjen në këto njoftime të harruara grimca dashurie, grimca jete.
Fundet e papritura nuk shërbejnë vetëm për të shpërblyer ose zhgënjyer pritshmëritë e lexuesit, por edhe për të kaluar nga vetja e parë te e përgjithshmja. Nga një rast i veçuar përfundojmë në një vetmi kolektive.

Për Asgjëtë - sepse, siç thotë autori te “Kthimi”, luksi i vërtetë është të jesh i ngeshëm, ndërsa gjithë bota nxiton.

*Autor i disa botimeve, fituese i Çmimit Letrar Kadare 2024, me novelën "Dy javë nën balonë"

Lini një Përgjigje