Pasuria gjigante e stilistit të famshëm italian Valentino Garavani do të administrohet nga një fondacion në Lihtenshtajn, duke i dhënë fund misterit rreth fatit të trashëgimisë së tij prej qindra milionë eurosh.
Valentino, i cili u nda nga jeta më 19 janar 2026 në moshën 93-vjeçare pa lënë trashëgimtarë ligjorë, kishte në pronësi një pasuri të jashtëzakonshme që përfshin vila luksoze, një jaht 46 metra, vepra arti nga emra të mëdhenj si Pablo Picasso dhe Andy Warhol, një kështjellë në Francë, investime financiare dhe llogari bankare jashtë vendit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Corriere della Sera, stilisti kishte hartuar testamentin më 29 mars 2023 te një noter zviceran në Gstaad, duke përcaktuar mënyrën e administrimit të pasurisë së tij.
Në dokumentet e ekzekutimit të testamentit rezulton se trashëgimtari i vetëm është Fondacioni Valentino Garavani-Giancarlo Giammetti, me seli në Vaduz, kryeqytetin e Lihtenshtajnit.
Fondacioni ka pranuar zyrtarisht trashëgiminë më 15 prill 2026 dhe tashmë një pjesë e rëndësishme e pasurisë së Valentino-s është regjistruar në emër të tij. Mes aseteve janë vila luksoze në Romë, përfshirë një rezidencë me 30 dhoma në zonën e Via Appia, jahti “Tm Blue One” dhe aktivitete të tjera të lidhura me fondacionin e tij.
Megjithatë, dokumentet tregojnë se testamenti parashikon edhe një seri dhurimesh për persona të afërt me stilistin, ndërsa emrat e përfituesve nuk janë bërë publikë.
Ndër personat që mendohet se mund të kenë përfituar nga trashëgimia janë partneri i tij Vernon Bruce Hoeksema, miku dhe bashkëpunëtori i tij prej dekadash Giancarlo Giammetti, nipi Piero Villani, si dhe familja e mikut brazilian Carlos Souza.
Një nga pasuritë më të çmuara të Valentino-s është Kështjella Wideville, pranë Parisit, një ndërtesë historike e shekullit XVI. Prona, e blerë në vitin 1995, sot vlerësohet shumë më tepër dhe pritet të jetë një nga asetet që mund të shitet gjatë procesit të zbatimit të testamentit.
Trashëgimia e Valentino-s përfshin gjithashtu prona në Londër, një apartament luksoz në Romë dhe investime financiare ndërkombëtare.
Me këtë vendim, një prej figurave më të mëdha të modës italiane ka zgjedhur që pasuria e tij të ruhet dhe menaxhohet përmes një fondacioni në Lihtenshtajn, me synimin për të mbajtur të bashkuar trashëgiminë e tij artistike dhe financiare. A.K./TemA
Lini një Përgjigje