Petrit Hidri, 65 vite dashuri me librin - 76-vjeçari nga Elbasani jeton duke lexuar

31 Korrik 2025, 14:20Kulturë TEMA
Petrit Hidri, 65 vite dashuri me librin - 76-vjeçari nga Elbasani jeton

Ky është Petrit Hidri, 76 vjeç, një nga lexuesit më të vjetër dhe më të përkushtuar të bibliotekës publike “Qemal Baholli” në Elbasan.

Prej 65 vitesh, ai nuk ka munguar pothuajse asnjë ditë në ritualin e tij të leximit. Letërsia klasike botërore nga rusët te francezët, italianët dhe amerikanët e shoqëron çdo mëngjes. Për të, kjo bibliotekë është një shtëpi e dytë, dhe leximi një nevojë po aq e natyrshme sa frymëmarrja.

“Kam shkelur në këtë bibliotekë qëkur isha nxënës në klasën e pestë dhe që asaj kohe kam qenë mik i vazhdueshëm i kësaj biblioteke. Veçanërisht pasi dola në pension, e quaj vetën jo mik të bibliotekës, por e quaj shtëpi të dytë”, shprehet 65-vjeçari.

Sipas Petritit, libri është ushqim i përditshëm, pa të cilin nuk mund të jetojë. Ai gëzohet që pasioni për leximin po kalon te brezat e rinj. Vajza e tij zotëron një bibliotekë personale ne shqip dhe në disa gjuhë të huaja, një trashëgimi e heshtur që nisi që kur ajo shihte librat e babait.

“Unë ndjej kënaqësi. Duke qenë dhe i përditshëm këtu, dita ditës vë re se shtohen edhe lexuesit, jo vetëm në sallë, por edhe në sportel, shoh grupmosha të ndryshme që tërheqin libra për të lexuar”, shprehet ai.

Për personazhin tonë, libri nuk shërben vetëm për të zgjeruar dijet, por për të formuar njerëz më të mirë. Edhe pse vitet kalojnë, Petriti nuk humb as edhe një ditë takimi me dashurinë e tij bibliotekën. Në një kohë kur nga dita në dite po krijohet një distance me leximin, Petrit Hidri, vazhdon të mbetet një figurë frymëzuese për lexuesit e rinj në Elbasan, transmeton RTSH.

Lini një Përgjigje