Poet është folje

14 Maj 2026, 17:41Kulturë Ardian Vehbiu

Poet është folje

“Ai që bën vjersha, vjershëtor,” e përkufizon poetin Fjalori i madh i 2026-ës, pa i ndryshuar një presje asaj që thuhej që në Fjalorin e 1980-ës.

Po cili është poet pikërisht? Ai që bën vjersha 24 orë në ditë, 7 ditë në javë? Ai që jeton me honoraret e vjershave që bën? Ai që paguhet nga shteti, për të recituar vjershat e veta në evente madhështore?

Apo mjafton të kërresh edhe një vjershë çdo dhjetë vjet, që ta meritosh këtë emër?

A është poeti poet edhe kur fle? Kur ushqen macen, kur shkon të kositë barin, kur luan tavëll, kur sëmuret e lëngon në shtrat?

Kur del para pasqyrës dhe sheh atje një poet?

Te The Missing Pieces, Henri Lefebvre përmend poetin surrealist me influencë Jacques Vaché, duke vërejtur se, në fakt, ky nuk pat shkruar asgjë (“never wrote a thing”).*

Një poet që e ka lënë fletën të bardhë të bën të mendosh; dhe sidomos t’i kthehesh pyetjes se çfarë e bën dikë poet – vepra apo qenia, apo qenia si vepër? Ka diçka post-moderne, avant-gardiste, te ky poet që nuk ka shkruar asnjë varg, njëlloj si artisti vizual që nuk vizaton dot, ose kompozitori “digjital”, që nuk di t’i bjerë asnjë vegle (përfshi këtu edhe veglën muzikore).

Poeti, të thonë, e sheh botën në mënyrë unike, ose duke gjetur lidhje dhe metafora atje ku vdekëtari veç arrin të numërojë. Nëse është kështu, atëherë të qenët poet është vetëm modalitet i qenies, jo i individit; dhe të gjithë jemi poetë, në mos gjatë ditës, së paku në ëndrra.

Por Jacques Vaché-ja jetoi në një kohë poetësh të penës, që shkruanin vargje mirëfilli, disa madje edhe duke fjetur (écriture automatique); pa çka se të jesh poet doemos do të thotë të synosh diçka përtej mjeshtërisë për t’i ndarë arbitrarisht rreshtat e tekstit në faqe.

Dhe këta autorë, disa prej të cilëve i këndojmë me ëndje edhe sot, e mbanin Vaché-në për poet të madh. Madje André Breton pat thënë se, sa i përket letërsisë, këtij i detyrohej më shumë se kujtdo tjetër.

(En littérature, je me suis successivement épris de Rimbaud, de Jarry, d’Apollinaire, de Nouveau, de Lautréamont, mais c’est à Jacques Vaché que je dois le plus.)

Por një poet që nuk ka vargje të vetat, do të ishte njëlloj si luftëtari hero që nuk ka luftuar asnjë betejë, mjeku që nuk ka prekur kurrë një ballë të nxehtë, futbollisti që nuk ka goditur kurrë një top, kopshtari që nuk ka prashitur.

Edhe ashtu edhe kështu, të paktën për të gjithë ata të tjerët, që kanë shkruar vargje pas vargjesh, duke e kujtuar veten poetë.

Gjithsesi, Lefebvre flet për këtë “poet” në një libër kushtuar veprave të artit dhe ndonjëherë edhe vetë artistëve që kanë humbur –për shkak të harresës, shkatërrimit, persekutimit, dëshpërimit, zjarrit, pakujdesisë, vanitetit, euforisë, hakmarrjes, dyshimit, censurës, zellit fetar, obsesionit me përsosmërinë.

Prandaj pasazhin në fjalë do të më pëlqente ta lexoja sikur Vaché-së t’i kenë humbur përfundimisht të gjitha veprat: sonetet, poemat, romanet në vargje, këngët, baladat, himnet. Dhe ashtu nuk do të ishte as i pari, as i fundit autor që ka mbetur në histori, edhe pse nuk ia njohim veprën.

Vaché-ja ka lënë një korpus prej 15 letrash (Lettres de guerre ku është përfshirë pastaj edhe një ese e pabotuar në të gjallë të autorit, Blanche acétylène, të cilën ndonjëherë e sheh të cilësuar si “poemë”). Por këtë herë një poemë do të ishte më pak se asnjë, prandaj le ta lëmë këtë fakt në heshtje…

Është titull, ky i poetit, më thonë. Duhet të ta japin të tjerët, nëse të shohin ashtu. Mund të bësh edhe një vjershë të vetme, dhe të mbahesh si poet, madje i madh.

Por të paktën poeti duhet të bëjë ose të ketë bërë njëfarësoj vjersha, them unë. Dhe jo vetëm t’i bëjë, por edhe t’ua recitojë të tjerëve, ose më mirë akoma, t’i botojë online, në Facebook, ose në revista letrare e në libra.

Rast ekstrem: vjersha e premtuar për epitaf. Ose e porositur si epitaf.

Po si i bëhet me atë që vjershat i mban në sirtar? A është poet? Po me atë tjetrin, që nuk e lënë të bëjë vjersha fare?

A mund të bëhet dikush poet në mënyrë retroaktive, për shembull pasi të ketë vdekur dhe t’ia kenë zbuluar krijimet që i mbante të fshehura?

Këtu vijnë ca të tretë dhe të shpjegojnë: që të jesh poet, nuk mjafton të shkruash vjersha. Sot edhe ChatGPT-ja shkruan vjersha.

Duhet, përkundrazi, të kesh shpirt prej poeti, ta shohësh e ta lexosh botën në mënyrë poetike. Të qash atje ku të tjerët qeshin. Dhe e kundërta.

Të entuziazmohesh me një zog që këndon në degë. Të dashurohesh me një re në qiell.

Të jesh poet duhet të jesh poet.

Dakord, u them unë. Poet është ai që dehet me ujët e detit. Po atëherë le të gjejmë një fjalë tjetër, për ata që – realisht – shkruajnë vargje.

Në kuptimin që ulen, nxjerrin lapsin dhe bëjnë qëllimisht poezi.

Nuk flasin vetvetiu me hekzametër, as ligjërojnë si bilbili; por e thurin poemën me vetëdije. Gëdhendin skulptura gjuhësore, për kënaqësinë e të tjerëve (dhe të vetes).

Qëllon që të jesh diku, për shembull në plazh, dhe të kalojë dikush anës detit dhe të të thonë: e shikon atë tipin atje? Është poet.

Dhe të ta thonë me të njëjtin ton siç të thonë për dikë: nuk është mirë nga trutë. Ose, ka kaluar një depresion të rëndë. Ose, e ka lënë gruaja. Ose, i la të gjitha në bixhoz.

Por jo – sa për një kundërshembull – është poet, sepse sapo fitoi llotarinë.

Një përkufizim pak poetik: poet është ai që ka humbur diçka, por që ende shpreson se do ta gjejë. Zakonisht duke kërkuar jo në vendin e duhur.

Për shembull, një yll deti në qiell. Ose një premtim në varreza.

Këtu përvijohet edhe një dilemë e llojit gramatikor: a është poeti poet kur krijon vargje (në kohën e tashme), apo kur i ka krijuar (në kohën e shkuar)?

Ose më keq akoma: a është dikush poet, apo është gjithnjë edhe poet?

Zëre se takon një vajzë diku, të prezantojnë, fillon të rrish pak me të, ndoshta edhe të flirtosh, ose ajo me ty, të duket se është ajo e duhura; dhe befas një mik të thotë: kujdes me filanen, se është poete.

Aty për aty, kjo këshillë kaq dashamirëse duket sikur e paraqit poetin – poeten në këtë rast – si njeri të veçantë, si përjashtim, madje si njeri i dënuar që ta jetojë jetën si diçka që i përket vetëm tërthorazi.

Që e kanë dërguar këtu Perënditë me mision të fshehtë e të pakuptueshëm.

Që krijon, me rrjetën e fjalëve të veta, meridianet dhe paralelet e botës ku ne të tjerët lëvrijmë.

Që na mëson si ta shohim një ishull në errësirë dhe si ta puthim një dorë të rrudhur plake.

Pastaj mendohesh pak dhe fillon të dyshosh mos këshilla e mikut ka pasur kuptim tjetër: kujdes me filanen, është shumë e brishtë, delikate, me shpirt të hajthëm.

Por gjithsesi, miku proverbial nuk të thotë kurrë “kujdes me filanen, se shkruan poezi.” Në fjalët e tij, të jesh poet do të thotë thjesht t’i përkasësh një përmase tjetër, jo të bësh detyrimisht diçka. (Të krahasohet këshilla me këtë tjetrën: kujdes me macen, se të gërric.)

E kundërta – a është poet ai që shkruan poezi të keqe?

U ula të bëj poezi
Por pena më ngriu në gishta
Çfarë hodha në letër s’e di
Por di që nuk isha Gjergj Fishta.

Ç’të thuash për atë që e ka qëndisur vjershën më lart? Strofa ka vargje të rimuara, dhe deri diku të rregullta (amfibrahe, të këndueshme me një ritëm valsi). Përshkruan një lloj lemze shpirtërore. Ka madje edhe një referencë intertekstuale...

Por si zor të gjejë vend në ndonjë antologji, apo jo?


(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është realizuar me AI (Midjourney). Botohet me leje te TemA.

1 Komente

  1. T
    Treni

    Jo, nuk është.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje