Grupi Këshillimor Teknik i Punës ka bërë prezantimin final të dosjes së nominimit të Liqenit të Shkodrës në UNESCO, si Rezervë Biosfere Ndërkufitare.
Prezantimi i dosjes u bë gjatë takimit në mjediset e KUB Piramida.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Shkodër tha se, qëllimi i këtij takimi të fundit ishte, rishikimi i dosjes së nominimit, përpara prezantimit dypalësh (me Malin e Zi) dhe fazën finale, dërgimin në UNESCO për shqyrtim dhe vendimmarrje.
DRTK Shkodër që në vitin 2023 ka qënë pjesë e institucioneve partnere vendore në territorin e Pellgut Ujembledhës të Liqenit të Shkodrës dhe ka dhënë ekspertizën e nevojshme për sa i përket trashëgimisë kulturore në zonën e propozuar për nominim.
Shqipëria dhe Mali i Zi do të paraqesin një dosje të përbashkët. Ky projekt synon të sjellë ndikim pozitiv për komunitetet vendase duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me Programin e UNESCO-s për Njeriun dhe Biosferën.
Nëse shpallet zonë e mbrojtur nga UNESCO, Liqeni i Shkodrës do të përfitojë standarde më të larta menaxhimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve, shkruan atsh.
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit.
Liqeni nuk ka nevoje per medalje te ndritshme! Po te kete vullnet mund te behet shume edhe pa UNESCO.