Romani më i ri i ambasadorit Fate Velaj, “Mossanga”, u prezantua në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD).
“Mossanga” është një udhëtim letrar në Shqipërinë e viteve ’60, ku kujtesa, pushteti dhe njeriu ndërthuren në një rrëfim të thellë dhe reflektues. Në bisedën mes Fate Velajt dhe botuesit Bujar Hudhri, u theksua se “Mossanga” nuk është thjesht një roman historik, por një tekst që e kthen kujtesën në gjuhë dhe pushtetin në përvojë njerëzore.
E pranishme në këtë promovim ishte ministrja për Evropën dhe Punët e Jashme, Elisa Spiropali, së bashku me shkrimtarë, artistë e intelektualë.
Ministrja foli për profilin multidimensional të autorit dhe kontributin e tij në kulturë, art dhe diplomaci.
“Mossanga” është një vepër që i afrohet diktaturës komuniste jo përmes aktakuzës, por përmes njohjes, reflektimit dhe ndjeshmërisë.
Vetë autori ndau me publikun rrugëtimin e tij gjatë realizimit të kësaj vepre, si dhe frymëzimin nga ngjarje reale të përjetimit dhe ndodhive të asaj periudhe.
Fate Velaj është ambasadori i Shqipërisë në Austri. Ai ka shkruar disa libra, pikturon dhe është i apasionuar pas fotografisë. Ka studiuar Menaxhim Arti dhe Kulture në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje