Prishtinë/ Çelet ekspozita "Makth"

3 Korrik 2026, 16:25Kulturë TEMA
Prishtinë/ Çelet ekspozita "Makth"

Në galerinë e arteve “Art i Ngujuar – Artistët për Artistët” në Prishtinë, po qëndron e hapur ekspozita “Makth”, e cila përmes artit figurativ dhe rrëfimeve personale trajton përvojat traumatike të luftës në Kosovë dhe pasojat e saj.

Ekspozita përmbledh 15 punime të realizuara në teknika të ndryshme figurative nga pjesëmarrësit e trajnimit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, realizuar nga organizata “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes” (ANP).

Çdo punim figurativ shoqërohet me një tregim të shkurtër, i cili shpjegon ngjarjen ose përvojën që ka frymëzuar krijimin artistik. Punimet dhe rrëfimet pasqyrojnë ngjarje të ndryshme traumatike të periudhës së luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, por edhe përjetime që lidhen me pasojat e saj në vitet e mëvonshme.

Në ceremoninë e hapjes, të mbajtur të martën mbrëma në praninë e një numri të madh artdashësish, përfaqësuesja e ANP-së dhe kuratorja e ekspozitës, Emine Ismajli, tha se ekspozita “sjell oshëtimën e shpirtit të lënduar, që thellë brenda vetes ka ndryer traumën e përjetuar”.

“Një fije e padukshme i përshkon dhe i lidh mes vete këto tablo, rrëfime dhe njerëz, duke ndërthurur pandashëm historinë e dokumentuar me kujtesën individuale”, u shpreh ajo.

Sipas Ismajlit, ekspozita bart një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e dokumentimit të së vërtetës, të reflektimit mbi të kaluarën dhe ruajtjes së kujtesës kolektive, duke përcjellë njëkohësisht mesazhin se e ardhmja mund të ndërtohet mbi respektin për vlerat njerëzore dhe kulturën e paqes.

“Makth” është ekspozita e dhjetë e realizuar nga organizata ANP në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”. Siç thamë, punimet janë krijuar nga pjesëmarrës të ardhur nga vende të ndryshme të Kosovës, të cilët gjatë viteve 2025 dhe 2026 u bënë pjesë e programit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, dhe ndanë përmes artit rrëfimet e tyre personale mbi përjetimet e luftës.

Galeria e arteve “Art i Ngujuar – Artistët për Artistët” ndodhet në katin III të hotelit “Grand” në Prishtinë, dhe të gjithë të interesuarit mund ta vizitojnë ekspozitën çdo ditë pune nga ora 11:00 deri në ora 17:00.

A.K./Tema

Lini një Përgjigje

Blog Tema